Cikje
Fatmir Terziu
… po vazhdoj rrugën me njëmijë arsye
e njohura nuk ka nevojë për dritaren e syve
në këtë cipal ikim pa u ndjerë
e zvogëluar bota
e lodhur përditësia
jetojmë me shëmbëlltyrën tënde
në vargje
qëndroj disi më afër
largësia më sjell akoma më shumë pragje
dhe pragjet thyhen e ciflohen në kokriza dixhitale
nëna vuan, e struk dhimbjen, loton nën lëkurë,
ka të tjera halle,
zemra i digjet nga brenda si furrë,
pastaj ka një cikje fjale
humbet në turmë
bën vullkan brenda meje
distancat alarmojnë në gjumë edhe sytë
e gjithë cikja qëndron si një hije pezull
gjerb dritë
për të ricikluar rrugën edhe në mjegull …
…hamendje
Fatmir Terziu
paska pasur shi
përplasja nuk qenka ndjerë në qelq
nga miza që bën pllaq
ndjeva shiun që sytë m’i lag
e pandodhur
ndërsa shushuron si një korije e dehur
gjethtina e lodhur
shkon përtej skalionit të stërkalave
thërmimi
mandej, tjerr në mendjen time modele të hapura
dhjetëra pore të lëkurëzuara
sjellin mijëra histori në të njëjtën përplasje
derisa syri ngopet me një lumë
e mendja si mendje përthith perëndimin
si ekstazë e përvuajtshme
mbi trupin femëror të hajthshëm të duarve të buta
paska ndodhur, kushedi
shiu ka lagur truptha të lodhur në shi…
…huqe
djersa është mbulesë
ka raste që mbështjell lakuriqësinë derisa tretet
ndërsa jashtë ekzistencës së saj një lemzë
hap e mbyll kuti perëndish të lodhura
duke shkruar e rishkruar fatet e lakuriqësisë së trupave
për shkak të ujit që ndotën gojët tona
e njëjta mbulesë griset e ngjitet si letra
që nga molepsja e parë
për shkak të huqeve të vjetra.
Comments