Grim
Fatmir Terziu
Shtatë cipëza përtej vegimit,
lëngu në mes harkut pikturon dashuri,
në kalatën gjithnjë kaq konsumuese vë thellësinë,
e vargu dremit në Sytë e tu,
s'ka Perëndi që s'ta imiton bukurinë,
grim, grim, grim
ashtu si yjet lexohet Krenaria,
pikturohet me një Frymë.
Në harkun e lashtë, të padukshëm zbrazëtia
si një bimë pret diellin,
Hëna ndjek ligjësinë e Hënës
afrohet, nuk bën përjashtim
dhe zjarri furrë në zemrën e Nënës,
ndërsa lotët as nuk u thanë kurrë.
Të shtatë mbetën dëshmitarë,
të pafjalë
nga batica e lashtë,
të shtatë e kaluan atë hark,
bashkë, një jetë si në përrallë
vetëm malli i tyre mbeti Lart,
e ndërsa grimi vazhdon të shkoj më thellë,
kujton, … dhe pëshpërit ngadalë:
a ka ikur ndonjëherë,
do të të presë këtë verë?
E syri grimon përtej Syrit
shtatë cipëza përtej mendimit…
Comments