
Labëri
Nga Fatmir Terziu
Rëra ndizet. Ndjesia rrëshqet në brendësi. E hollë,
hapësira tendoset si një najlon i tejdukshëm
rrethina shtrin trupin,
si një grua trupëmbël duke bërë dush,
kodrat, kofshët e tyre ëmbël të gjelbëruara,
nën lëkurën qelibar të dritës,
zhvasin damarët blu në të bardhë,
kurbat e ujta shfletojnë fjalorët pa kapakë,
kërkojnë të mësojnë ritmin e gjuhëve të brinjëve,
deri në bregun matanë,
ndoshta më shumë,
ku një zhytës i vetmuar rrëshqet
dhe lufton me dallgët shkumë.
Një sqimë e kaltër bredh
hepohet nga krahët e saj,
drita e hënës shkëlqen në majë,
flokët i ka të kremta
disa kilometra e gjatë, fytyrë e fshehur nën larushi,
nga emocionet,
dalin pikla nga skaji në skaj,
e përralltë është dehja e saj me erën,
duke shtrënguar pranverën, në gjirin e saj.
Askush nuk mund ta pikturojë më bukur atë vizion,
ta lëvizë, ta shpalosë, si Petrit Ruka,
në mal, në fushë, në kodër, në det,
e pafundmja,
e gjitha është një, pamje mitike në sinkron,
ajo ka zbritur origjinale, miliona vjet gjeografi rriten brenda saj,
kohërat mbledhin musht në vendet e saj të bekuara,
një botë e tërë magjike në sy,
i bindur, dielli perëndon pas saj, hap derën e trimërisë
në Labëri.
Mish në hell
Dëgjohet një iso nga shumë larg.
Midis shkëmbit dhe detit.
Gotat me sy blu-gri
përzihen
kupa mbart një harpë
këndohet nga thëngjijtë e tretur në hi
vështrimi zhvendoset mbi mal,
dhe mali thurret si yrniku nga filli,
dridhet në tel,
duke tërhequr e rrethrotulluar një skaj,
mishin në hell.
Ulur këmbëkryq një plak,
rrëfen për merak,
një fëmijë e ndjek me sy,
rrëshqet fjala përmes hapësirës përqark
në pjatën e tij.
Etje
Gota, një gjerbje e lakmuar nga sytë
rrjedha e tretur,
bardhësia e tejdukshme në sipërfaqen e saj
dhe unë jam duke qëndruar pranë në radhë,
të shuaj etjen,
ndërsa mendja lexon Ali Pashanë,
pak nga pak mendjen kam shtrydhur
rreth librit brenda çantës time prej lëkure të imituar
si një perëndi rrëmoj në rrënjë thagmën e ujit
dhe rrjedha nënshkruan mbi gjurmë.
Shuaj etjen, e di se çfarë është ujë tepelene,
nën këtë etiketë të ngjitur mbi letër,
kur të iki mbase do të shtrydh prej kësaj pene
se si të tret etja më shumë se gjithçka tjetër.
Timo Merkuri
Nuk gabova kurr thashe qe ke nje poezi te ngrohte lirike, por nuk pata shtuar qe te tilla i ke vargjet dhe per laberine. Urime.
Dhimitër Pojanaku:
Lirika tepër të ndjera e figuracion I rrallë! Urime
Petrit Ruka:
Rrofsh or mik I mencur dhe I dashur. I ke qendisur keto viset e mia si me filigrame. Te falenderoj e perqafoj me dashuri!