top of page

100 vjet nga marrëdhëniet Shqipëri-Britani


Alistair King-Smith dhe Fatmir Terziu

Le të besojmë!

(100 vjet nga marrëdhëniet Shqipëri-Britani)


Fatmir Terziu


Para disa ditësh në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Londër, ishte i ftuar të fliste rreth marëdhënieve shqiptare-britanike në 100 vjetorin e tyre, Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Mbretërisë së bashkuar në Tiranë, Alistair King-Smith. Takimi me një prani të zgjeruar intelektuale, britanike dhe shqiptare, ishte organizuar nga Shoqata Anglo-Albanian, dhe drejtuesi i saj ish Ambasadori britanik në Shqipëri, Stephen Thomas Nash dhe me prezencën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Londër, Qirjako Qirko.

Në fjalën e tij Ambasadori Alistair King-Smith u përqëndrua në situatën aktuale në Shqipëri dhe në rajon, marrëdhëniet mes dy vendeve, interesat britanike në Ballkan, interesat e përbashkëta, rolin e tij si ambasador, rrugëtimin diplomatik dhe mjaft probleme të tjera, përpara se të theksonte se ishte mjaft e rrëndësishme të organizoheshin dhe silleshin në vëmendje fakte dhe dokumente të periudhës 100 vjeçare mes dy vendeve. Natyrisht kjo përbën interes dhe në një kohë që arkivat britanike flasin mjaft qartë, por akoma me një arsye të mbyllur nga kohërat dhe arsye të tjera.

Po këto ditë Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe prosperitet në rajon. Sir Stuart Peach ka marrë rolin pas dorëheqjes si Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në fillim të këtij viti, një rol që ai e mbajti që nga viti 2018. Më parë ai shërbeu gjithashtu si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të MB. Si i dërguar i posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, të tjerë në të gjithë rajonin dhe aleatët tanë në SHBA dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke ndihmuar në trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar dhe sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.

Kjo dhe mjaft gjëra të tjera flasin qartë dhe saktë për interesat e vazhdueshme, sigurisht më të shtuara britanike pas Brexit në rajonin e Ballkanit, ku natyrisht janë një pjesë dërrmuese dhe shtetformuese shqiptarët, me Shqipërinë dhe Kosovën dy shtete në këtë rajon. Dhe për këtë natyrshëm, 100 vjetori i marrëdhënieve britanike ka dhe rëndësinë e vet të madhe, për të cilën kanë folur dhe flasin mjaft të dhëna, fakte dhe angazhime intelektuale. Për këtë mjaft arkiva gazetash sjellin në dritë fakte mjaft interesante shqiptaro- britanike, japin interesime të ndjeshme, sikurse janë gazetat britanike të periudhës 1920-30, apo dhe më pas e më herët në kushte të tjera.


Një nga artikujt interesant është botuar tek gazeta britanike „Illustrated London News“ (E martë 01 qershor 1976 ) nga autori Stuart Arnold. Në fakt shkrimi është një formë letre dhe diktimi i tillë është si pasojë e asaj që mund të shihet nga brendësia e tij, si pasojë e kushteve që në kohën e botimit, shteti shqiptar kishte rregulla të strikta për të huaj dhe mjaft të tillë dhe për artikujt që dërgoheshin jashtë Shqipërisë. Sidoqoftë ky artikull me titullin seleksionues „Letër nga Shqipëria“ vëtëkupton kohën, e cila është në kohën e marrëdhënieve të mëdha shqiptaro-kineze, dhe kur në atë kohë shihen qartë dominimet kineze në Shqipëri, që nga transporti, mallrat, dyqanet dhe parrullat propogandistike që citon autori.

Artikulli „Letër nga Shqipëria“ sjell kohën kur Shqipëria kishte lënë pas festimet për 30 vjetorin e sundimit komunist dhe tashmë dominohej nga "lufta e klasave". Artikulli në fjalë nënkupton vërtet faktin e asaj që po ndodhte aktualisht në vend, ku thuhej se „Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë“, dhe ku „çdo gjë është nën kontrollin e Sekretarit të Parë, Enver Hoxha, i cili themeloi Partinë Komuniste Shqiptare në vitin 1941 dhe që ka qenë vazhdimisht Kryeministër dhe Sekretar i Parë që nga viti 1944.“ dhe shkon më tej fakti real për të kuptuar dominimin kinez në vend kur „Përmirësimet kapitale janë shtyrë në kurriz të mallrave të konsumit. Ndërsa Albturist, organizata zyrtare turistike, do të tregojë me krenari fabrikat e qilimave dhe fabrikat e tekstilit Mao Tsetung. Shqipëria ndjek linjën maoiste leniniste dhe hapësira e kontaktit me shqiptarët e zakonshëm është jashtëzakonisht e kufizuar.“ Artikull sjell në vëmendje se në vitet e fundit disa vizitorë të huaj janë lejuar, por vetëm me kushtet e Shqipërisë, ku mësohet se ata shkonin në festa, jo individualisht, dhe duhet të qëndroninsë bashku, dhe vetëm me qendër në kompleksin e hotelit dhe plazhit në Durrës në bregdetin e Adriatikut.


Sipas këtij informacioni mësohet se në vitin 1975, 500 anglezë vizituan vendin. Shumë prej tyre ishin të lidhur me Partinë Komuniste Britanike, dhe përveçse do të shijonin plazhet, peizazhet dhe ushqimin mjaft origjinal vendas, ishin vërtet të interesuar të shihnin se si funksionon komunizmi në një shoqëri të vogël e të mbyllur. Artikulli thotë se „Ata u përballën me probleme në daljen dhe takimin me vendasit. Vizitorët nuk lejohen të bisedojnë me shqiptarë, përveç guidave Albturist. Gjuha, shqipja është përfaqësuesi i vetëm modern i një dege të veçantë të familjes së gjuhëve indoevropiane, por që krijon më shumë vështirësi.“

Udhëtimet për të huajt dhe sidomos për britanikët janë vetëm me autobuz, ku vetëm kështu ishte e mundur të shihet një pjesë e madhe e vendit ku terreni ofronte disa pamje spektakolare: liqene, male dhe një fushat e kultivuara. Kur bëhet fjalë për turizmin, thuhet se ai mbetet në fillimet e tij dhe ndërkohë që sjell monedhë të fortë të mirëpritur, nuk ka gjasa që ndonjëherë të lejohet të zgjerohet mjaftueshëm për të ndryshuar seriozisht mënyrën e jetesës komuniste.

Artikulli vazhdon kështu: „Edhe në qytetet kryesore, në Shkodër në veri, në Korçë në jug-lindje dhe në Elbasan në qendër, popullata vendase është vërtet e befasuar kur sheh të huajt, ndërsa gratë e veshura me rroba të stilit perëndimor shikohen me habi. Përqendrimi i Partisë në mallrat kapitale, pajisjet bujqësore dhe mekanike, shkakton një farë mërzie në dyqane, por ka pak prova të varfërisë së vërtetë dhe të gjithë duken arsye për zhvendosjen e vizitorëve në qendrat kryesore turistike. Ekziston një sistem hekurudhor, por ai përdoret kryesisht për mallra dhe miniera, dhe të huajt mund të mos e përdorin atë. Vendi është i vetë-mjaftueshëm në naftë dhe ushqime, ndërsa të rëndësishme janë edhe skemat hidroelektrike, me disa asistencë kineze. Shqipëria është prodhuesi i katërt më i madh i mineralit të kromit në botë. Bujqësia po përmirësohet dhe pjesa më e madhe e tokës është nën kontrollin e shtetit, ose në bazë kooperativash ose me shkrirje në ferma të mëdha shtetërore.“

Fjalë bëhet dhe arsimim. Në artikullin „Letër nga Shqipëria“ shkruhet „Arsimi është i detyrueshëm dhe duket i organizuar mirë. Shumë vazhdojnë arsimimin e mëtejshëm. Universiteti i Tiranës ka mbi 13,000 studentë, duke përfshirë disa të huaj, vietnamezë, kinezë, koreano-veriorë dhe libianë. Një aspekt i jetës shqiptare është se të gjithë deri në moshën 26 vjeç duhet të kalojnë një muaj çdo vit duke punuar me dorë—qoftë në fabrika, në fusha ose nën mbikëqyrje në projekte të mëdha me rëndësi kombëtare, si zgjerimet në sistemin hekurudhor.

Nga artikulli mëohet fare qartë: „Në Shqipëri, Partia Komuniste qëndron supreme, dhe Enver Hoxha, ish-luftëtar i rezistencës kundër italianëve dhe stalinist i linjës së ashpër, kryeson në krye të Partisë. Fotot e Hoxhës shfaqen gjithandej. Nuk ka reklamë tjetër veç sloganeve partiake, të cilat shihen me rregullsi monotone kudo, në fshat nëpër kodra dhe në formacione lulesh me fjalët “Lavdi PPSH”. (“Lëvdoni Partinë e Punës të Shqipërisë” -Toka e Shqiponjave, emri tradicional i Shqipërisë).

Ky kult nacionalist ka zënë vendin e fesë së njohur. Në vitin 1967 qeveria mbylli të gjitha xhamitë dhe kishat dhe një popullsi që përfshinte 1.2 milionë myslimanë dhe 500,000 të krishterë të sekteve të ndryshme u gjend pa udhëheqës shpirtëror.

Hoxha që e kishte kopjuar këtë frazë nga të tjerët me preajrdhje të fortë nacionaliste, natyrisht duke privuar kuptimin e drejtë të tij e përdori në qëllimin e tij kur tha se “feja e vetme për një shqiptar është shqiptaria”, dhe vendi u bë shteti i parë zyrtarisht ateist në botë. Duket interesantë ajo që citon artikulli i asaj kohe „Edhe tani ka pak prova të një rikthimi në fe tek të rinjtë, megjithëse brezi i vjetër ende i përmbahet besimeve të tyre.“


Por mjaft interesante është ajo që shkon më pas se „Shqipëria sot po i afrohet një udhëkryqi të rëndësishëm.“ Pra britanikët tashmë e thonë hapur: „Me rritjen e tregtisë me Perëndimin dhe më shumë kontakte të jashtme përmes turizmit, izolimi i saj duhet të shkelet, të paktën pjesërisht“ Kjo është e qartë se „Nga ana politike lë të kuptohet se Hoxha, i cili është 68 vjeç, është në gjendje të rënduar shëndetësore“ dhe po të mos kishte ndodhur një spastrim i dhunshëm në verën e vitit 1975 mund të sillte mundësi të një hapjeje të ngadaltë. Artikulli fokuson dhe një slogan nga një citim i Enver Hoxhës, që është pjesë e posterit politik të shfaqur në qytetin jugor të Shqipërisë, Gjirokastër, aty ku kishte lindur ai dhe që thotë: „Çështja e mbrojtjes së Atdheut të predominojë në mendjen, zemrën dhe ndërgjegjen e çdo njeriu„.

Kjo e fundit është dhe një faktor që kupton mëdyshjen e realitetit, ku nga njëra anë është krejtësisht në dorën kineze dhe nga ana tjetër mbetet ende postulat dhe propagandë e një „mbrojtjeje“ që i kushtonte miliona shtetit. Në një kohë që në vend të shihte hapjen e Shqipërisë me Perëndimin, Hoxha vazhdonte të kërkonte armiq të Perëndimit dhe të Britanisë së Madhe me qëllim që të lëshonte përditë e më shumë dorë dominimit kinez në vend.

Por ajo që është tashmë në vëmendje, ajo që duhet të shkruhet më qartë e më hapur, cila do të ishte një „Letër nga Shqipëria“, 55 vjet nga ajo letër që Stuart Arnold e shkroi në ditën e njohur si Festa e fëmijëve, 1 Qershori në Shqipëri? Ata që kanë lindur në atë datë dhe në atë vit, sot janë të moshës pesëdhjetë e pesë vjeçare dhe shumica prej tyre dhe pas 30 vitesh demokraci ende nuk kanë një stabilitet në mendjen e tyre. Ndoshta e thënë më qartë, dilema e tyre ende mbetet tek thelbi „të qëndrojnë apo të ikin nga Shqipëria“. Dhe kur janë në këtë dilemë, ata që kanë lënë Shqipërinë edhe pse sytë i kanë pas, atje në vendin e bukur e të dhuruar perlë nga Zoti, prapë ndjejnë mjegull. Nga këndvështrimi që shtroi, Ambasadori Alistair King-Smith, duke vënë thkesin në mjaft pika të ndjeshme e të realizueshme, dhe nga interesi britanik në rajon, mund të themi se diçka po ndryshon. Le të besojmë!

Le të besojmë se dhe në kohën kur sot flitet për plane të mëdha për Portin e Durrësit, në vitin 1928 flitej për investime në portet shqiptare, madje dhe në atë Shëngjinit (Liverpool Journal of Commerce: e enjte, 30 gusht 1928). Kështu thuhej në gazetat britanike dhe në vitin 1932, ku shkruhej „Gazeta: Sfera: „autoritetet po e shfrytëzojnë me mençuri mundësinë për të riplanifikuar“ (E shtunë 02 Prill 1932). në këtë e mjaft gazeta të asaj kohe thuhej me gërma të mëdha se „Shqipëria po ndryshon: Kalimi i Epokës së Errët për një Mbretëri Ballkanike“. Dhe kjo u shkruajt për një kohë. U besua atëherë. U besua? Sot po rishkruhet, ajo që tentohet të thuhet. Ne? Le të shpresojmë!

39 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page