top of page

100 vjet nga lufta e Dibrës


Konferencë shkencore në Akademinë e Shkencave me 19 referate e trajtesa nga akademikë e profesorë të mirënjohur


100 vjet nga lufta e Dibrës


  • Trajtohet dhe promovohet për herë të parë në nivel akademik lufta heroike 9 - vjeçare kundër pushtuesve serbë. “Pa rezistencën e luftën heroike të luftëtarëve dibranë, as Lidhja e Kombeve, as fuqitë e mëdha nuk do t’i detyronin forcat serbe pushtuese të largoheshin nga Dibra. Lufta e Dibrës 100 vite më parë ishte akti i fundit i luftës për sigurimin e unitetit territorial të shtetit shqiptar. Ishte vijimi dhe përmbysja e një procesi historik kombëtar që nisi me Kongresin e Lushnjës, vazhdoi me luftën e Vlorës e përfundoi e luftën e Dibrës", tha prof.dr. Paskal Milo

Nga Halil RAMA –Mjeshtër i Madh

Njëqint vjet më parë, Ismail Strazimiri, protagonist i rendit parësor në vendlindjen e tij në Dibër e në gjithë Shqipërinë, shprehte shqetësimin për mospasqyrimin me vërtetësi nga historiografia dhe nga shtypi i kohës, të luftës heroike 9 - vjeçare të Dibrës kundër pushtuesve serbë.

Njëqint vjet më pas, këtë të vërtetë historike të pamohueshme e argumentojnë shkencërisht akademikë, profesorë të historisë, studjues e historianë të njohur. Më së miri kjo u konkretizua në Konferencën Shkencore “100 vjet nga lufta e Dibrës”, që u organizua më 20 dhjetor 2021 nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Historisë Ushtarake dhe Shoqatën “Çidhna dhe Kastriotët”.

Akademik Skënder Gjinushi, duke përshëndetur të pranishmit, ndër të tjera tha se: “Lufta e Dibrës qe një luftë popullore, që shfaqi të njëjtat ndjenja e veprime atdhetare si dibranët që kishte në krah themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali: dom Nikollë Kaçorri e Vehbi Dibra. Figura të tilla si Elez Isufi e Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, Jashar Erebara, Osman Paci, janë të përmasave kombëtare dhe meritojnë nderimin tone”. Më pas, përshëndeti Mustafa Tola, kryetar nderi i shoqatës “Çidhna dhe Kastriotët” i cili falënderoi Akademinë e Shkencave dhe organizatorët për konferencën që përkujton këtë ngjarje epokale, jo vetëm për historinë e Dibrës, por për gjithë shqiptarinë.

Konferenca u mbajt në dy seanca. E para u drejtua nga akad. Pëllumb Xhufi, prof.asoc.dr.Bernard Zotaj dhe shkrimtari i mirënjohur dibran Xhafer Martini. Seanca e dytë u drejtua nga akad. Marenglen Verli dhe prof.dr. Adem Bunguri.

Sipas një programi me pasuri të gjerë tematike, në 19 referate e trajtesa u evidentuan ngjarjet, priijësit, heronjtë dhe aspekte organizative e taktiko-luftarake të kësaj lufte legjendare.

Akademik Shaban Sinani, tha ndër të tjera në këtë Konferencë Shkencore se “Lufta e Dibrës përmbyll dekadën dramatike prej shpalljes së pavarësisë deri në njohjen përfundimtare të saj. Me këtë luftë për herë të parë shtetit më të ri të Ballkanit iu rikthye tërësia territoriale dhe autoriteti i plotë qeverisës”.

Akad. Pëllumb Xhufi e vlerësoi Luftën e Dibrës si një nga hallkat kryesore të lëvizjes për pavarësimin e Shqipërisë në përgjigje të kundërveprimeve për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve nga Fuqitë e Mëdha, ndërkohë që Serbia po zgjeronte planet e saj për pushtimin e trojeve shqiptare.

Prof. dr. Paskal Milo foli për aspektin diplomatik të rezistencës dhe luftës së dibranëve kundër ndërhyrjes dhe pushtimit jugosllav (1918-1921) dhe e konsideroi këtë moment historik si rizgjimin kombëtar, ndërkohë që forcat serbe mbanin në vitin 1918 të pushtuar krahinat verilindore si dhe ato të Dibrës së Poshtëme, me pozicione të avancuara deri në Qafën e Buallit, e Qafë Murrë, Hasin, Lumën, Malësinë e Gjakovës, Krasniqen e Kelmendin.

Prof. Milo tha se ndërkohë që Serbia po ngrinte administratat e saj në trevën e Dibrës, kjo luftë frenoi vendosjen e regjimit jugosllav në Shqipëri. “Pa rezistencën e luftën heroike të luftëtarëve dibranë, as Lidhja e Kombeve, as Fuqitë e Mëdha nuk do t’i detyronin forcat serbe pushtuese të largoheshin nga Dibra. Lufta e Dibrës 100 vite më parë ishte akti i fundit i luftës për sigurimin e unitetit territorial të shtetit shqiptar. Ishte vijimi dhe pëmbysja e një procesi historik kombëtar që nisi me Kongresin e Lushnjës, vazhdoi me luftën e Vlorës e përfundoi e luftën e Dibrës. “, -tha Milo.


N’tan Europën ka shkue fjala

Qe 9 vjet luftojmë me krajla...


Nëse akademikët Beqir Meta e Pëllumb Xhufi si dhe Prof.dr.Paskal Milo janë pothuajse të një mendje për faktin se fitorja e luftës 9 vjeçare të dibranëve kundër serbëbe në tetor 1921 shënoi riafirmimin e pavarësisë së Shqipërisë, këtë më së miri e argumenton Prof.dr.Bajram Xhafa në trajtesën e tij “Pse zgjati 9 vjet lufta e Dibrës”, e cila ngjalli interes të veçantë tek të pranishmit në këtë konferencë shkencore. Kjo sipas tij për faktin se beteja e Lan Lurës më 28 tetor 1921, është beteja e fundit në ballafaqimet luftarake të dibranëve me serbët, në Luftën Çlirimtare të Dibrës kundër Intervencionit Ushtarak Jugosllav të viteve 1918 – 1921.

Në Betejën e Lanë Lurës shkëlqeu në veçanti një heroizëm i rrallë popullor, nga njerëz të thjeshtë por edhe nga oficerë si nëntoger Abdulla Tirana, aspirant Mynir Dibra i këmbësorisë dhe aspirant Gani Dida i artilerisë. Pa dyshim që rolin më të madh këtu e kishte vetë Elez Isufi, që ishte shpirti dhe krahu i forcave atdhetare, si dhe veprimet taktike të studiuara e zbatuara me mjeshtrinë e artit ushtarak të komandantit të batalionit “Drini”, Ali Riza Kosovës. Prof.Xhafa shkruan se “Beteja në Lanë Lurë në fakt përmbyllte një etapë historike të qëndresës luftarake të shqiptarëve me fqinjët ballkanikë dhe jo ballkanikë, periudhë që kanga popullore në mënyrë poetike e ka stampuar në vargun “N\tan Europën ka shkue fjala/Qe nantë vjet luftojmë me krajla”.

Është fakt i pamohueshëm se Dibra, ndoshta si asnjë krahinë tjetër bëri qëngresën epokale 9-vjeçare duke trimfuar mdaj një agresori të fuqishëm në forca e armatime siç qe ushtria pushtuese serbe. Dhe si askush tjetër, populli i Dibrës gjatë atyre 9 vjetëve të pushtimit serb përjetpo masakra të pashembullta, me vrasje, djegie shtëpish e bagëtish e deri thjrje fëmijësh në djepe. Këto masakra i shtjelloi prof.dr.Asdem Bunguri në trajtesën “Barbarizmat serbe në Dibër në vitet 1913-1921.



Në Luftën e Dibrës u manifestua shpirti

luftarak i popullit patriot të saj


Prof. Asoc. Dr. Beranrd Zotaj, në trajtesën e tij “Dukuri të artit ushtarak të shfaqura në Luftën e Dibrës 1920-1921”, ndër të tjera thekson se: “Në Luftën e Dibrës u manifestua shpirti luftarak i luftëtarëve, por dhe i popullit patriot të saj. Zgjimi i masave popullore të fshatit dhe të qytetit në ishte një nga dukuritë kryesore që i dhanë Luftës së Dibrës karakter luftarak dhe rritje të frymës patriotike”. Nga pikpamja e organizimit ushtarak, prof.Zotaj argumenton se formacionet luftarake, çetat ishin bashkime të luftëtarëve të fshatrave dhe të krahinave me lidhje të përkohshme dhe me përbërje të thjeshtë. Një fshat ose lagje qyteti formoi një çetë prej disa dhjetra luftëtarësh deri në ndonjë rast edhe mbi njëqind. Në vartësi të numrit të shtëpive (familjeve), një krahinë formoi disa çeta, të cilat bënë një forcë të madhe me luftëtarë.

Ishte pikërisht kjo luftë vendimtare që detyroi pushtuesin të tërhiqej përfundimisht nga territoret shqiptare dhe njëherazi edhe Fuqitë e Mëdha të riafirmonin pavarësimin e Shqipërisë. Këto tiptare i evidentuan në trajtesat e tyre edhe : akademik Marenglen Verli i cili foli për qëndresën kundër pushtuesve serbë në vitet 1912-1913; shkrimtari Xhafer Martini që u përqëndrua tek personaliteti i Elez Isufit; dr. Sali Kadria për profilin e nacionalizmit shqiptar në kontekstin e Luftës së Dibrës; dr. Dritan Murrja për krijimin e prefekturës së Drinit për mbajtjen e zgjedhjeve; Haki Pernezha për luftën e Çidhnës në vitet 1912-1921; Zabit Lleshi për betejën në Grykën e Vogël kundër serbëve në vitet 1912-1921 dhe Ali Hoxha për disa aspekte nga kryengritja e shtatorit 1913.

Konferenca pati jehonë të jashtëzakonshme për faktin se lufta heroike 9 vjeçare e Dibrës kundër serbëve, për here të parë u trajtua dhe promovua në nivel akademik.



36 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page