top of page

ËNGJËJT E ISO-POLIFONISË



Nga Timo Mërkuri Pjesa e parë. I- Është i çuditshëm fati i iso-polifonisë shqiptare, i pangjashëm me asnjë rast në botë, dhe kjo “çudi” u çfaq qysh të nesërmen e “pagëzimit” të saj nga UNESCO[1] me emrin “isopolifoni” dhe vlerësuar me cilësimin “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”. Çertifikimi si kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit dhe marrja në mbrojtje nga UNESCO, në vend që të na bënte gjithë shqiptarëve krenarë për këtë kryevepër dhe të na lumturonte për këtë vlerësim, nxiti grupe dhe individë të ndryshëm të nisnin sulmin kinse “teorik” kundër saj me argumentin se emërtimi i mëparshëm me fjalën (e huaj) “polifoni” e shprehte më mirëi idenë dhe kuptimin si vepër tipike shqiptare se sa fjala e re “isopolifoni”ku është shtuar fjala shqipe “iso” përpara fjalës (jo shqipe) “polifoni”. Paradoksi i argumentimit të më sipërm u shoqërua me paradokse të tjera interpretimi dhe llogjikimi,madjeu arit deri aty sa të propozohej që ti kërkohej UNESCO të anullonte çertifikimin e saj sa të mireshim vesh me njeri tjetrin ne shqiptarët. Duhet të themi se më shumë se akademikët dhe studiuesit e ndryshëm isopolifonisë i dhanë krahë fluturimi lart e më lart e larg “goditjeve” ëngjëjt e isopolifonisë. Këngëtarë dhe rapsodët e rinj pikërisht në këtë periudhë “debatesh” krijuan perla isopolifonike që nderuan grupet folklorike, folkloristikën shqiptare dhe vendin tonë në Festivalet Ndërkombëtare, ndërsa sulmi kinse teorik “anti iso” ishte një “shi vere” që vetëm sa lagu tokën, duke fresktuar (si një bimë që po thahej) teorinë e etnokulturës shqiptare, e cila pas kësaj mori një rritje të beftë. II-Sigurisht që shumëkush pas leximit të mësipërm do pyesë se ç’është isopolifonia sot dhe cilët janë ëngjëjt e saj. Në thelb, larg teorizimeve akademike isopolifonia shqiptare është shpirti i popullit i shndruar në këngë dhe ëngjëjt e saj janë këngëtarët e rapsodët, ata që e shndrojnë këtë shpirt në tekst kënge e vijë melodike duke e bërë kështu sa të kudo gjendëshme aq edhe të padukëshme dhe të paprekëshme. Kur këngës i kanoset ndonjë rrezik ëngjëjt e saj e ngrenë atë në nivele artistike në kufijtë e pamundësisë për tu “aritur”, e bëjnë ta “padukshëm” për sy që s’dinë të shohin duke mbetur ndërkohë fine, e ëmbël, e bukur siç është realisht shpirti i popullit. Me kalimin e viteve ëngjëjt këngëtarë e rapsodë “ikin” e shndrohen në yje për ta zënë vendin e tyre ëngjëj të rinj. Janë të shumtë ëngjëjt e shndruar në yje prandaj ka kaq shumë yllësim qielli i isopolifonisë dhe ne nuk mund ti dimë emrat e të gjithë yjeve. Ne mund të dimë emrat e disa yjeve ose disa kostelacioneve yjore, por jo emrat e gjithë yjeve, aq më tepër që shumë yje ka kohë që janë shuar, ndonëse drita e tyre vazhdon të na vijë nëpërmjet kujtimit të këngëve apo inçizimeve të para në studiot e Europës apo Amerikës. III- Kundër isopolifonisë shqiptare gjithmon janë bërë sulme nga pushtues dhe regjime dhe gjithmon atë e kanë shpëtuar ëngjëjt e saj. Sepse isopolifonia,si shpirt i kombit, gjithmon ka qënë në mbrojtjen e ëngjëjve të saj. Tipari karakteristik i këtyre ëngjëjve është se ata janë bashkë kur fillon kënga, madje mund të themi se ata së bashku shndrohen në këngën isopolifonike, në shpirtin e kombit. Thamë më sipër se gjithmon kur ka qënë në rrezik, isopolifoninë e kanë shpëtuar ëngjëjt e saj dhe rastet e rrezikut nuk kanë qënë të pakta, por ajo që duhet të theksojmë është fakti se rreziqet kanë qënë si nga të huajt ashtu dhe nga shqiptarët vetë. P.sh. pushtimi osman jo vetëm që vrau në luftë e nëpër kryengritje një numër të madh artistësh luftëtarë dhe detyroi një pjesë jo të vogël të emigrojë në vende të ndryshme, jo vetëm që ndaloi të kënduarin shqip isopolifonik por hodhi kundër saj këngët e dylberëve të saj me ato “aman amanetë” osmane. Në këto kushte isopolifonia dukej pa shpresë, por ishin ëngjëjt e saj ata që e shpëtuan. Në Italinë jugore dhe në shumë vende të Greqisë e Rumanisë ku kishte emigracion shqiptarësh këndohej isopolifoni. Në vendet ku kishte emigrantë shqiptarë të pakët, aplikohej tradita e të kënduarit isopolifonik brenda familjes, traditë e trashëguar nga toskëria. Ndoshta këtu vlen të themi se edhe të trashëguarit e këngës isopolifonike niste si proces i të kënduarit brenda familjes, ku babai mësonte birin dhe nëna vajzën . Se çfarë malli u shuante emigrantëve të kënduarit isopolifoni, se çfarë solidariteti mbante mes tyre, se ç’histori krenarie vendbanimesh e shesh betejash të atdheut u kujtonte, kjo është një temë me vete. Veçse isopolifonia që këndohej aty dërgonte fjalë e melodi në atdhe, aty ku në çdo kryengritje ngrihej një këngë e re për një betejë a për një hero, për një kapedan a për një vashë, lindtte një stil i ri i të kënduarit apo i të vallzuarit. Shteti monist[2] krahas mbështetjes materiale, profesionale dhe financiare që i bëri artit gojor shqiptar në tërësi dhe isopolifonisë[3] në veçanti, madje gjer në organizimin e festivaleve folklorike kombëtare, pati synimin për ta vënë në shërbim të tij, ndërkohë ai shpërbëri shumë komunite të konsoliduara në disa qytete si Elbasani, Berati etj me prurjet masive të puntorëve në industrinë e përqëndruar në ‘to, prurje që vinin kryesisht nga fshatra nga gjithë vendi. Nëpër këto qytete isopolifonia qëndroi “nëpër shtëpitë” me tradita folklorike, duke patur “mundësi liridaljeje” gjer në kufijtë e lagjeve, ndërsa në qytetet e tjera si Himara, Tepelena, Gjirokastra, Përmeti u bë përfaqsuesja e kulturës qytetare, duke aritur nivele të epërme si në vijën melodike , interpretimin mjeshtëror ashtu dhe në tekstet e arira poetikisht. Në fshatrat e zonës isopolifonike kemi një panoramë tjetër, çdo fshat kishte grupin e tij isopolifonik, çdo grup kishte tiparet e tij të veçanta, stilin e tij të të kënduarit, istrumentat e tij shoqërues (disa grupe tipike si Piluri) madje edhe kostumet ishin të specifikuara gjer në imtësi. Vetëm se këngët ishin të komanduara politikisht dhe kjo mbartëte rrezikun e krijimit të një monotonie me vijë melodike entusiazte dhe tekste triumfi të vijës politike të partisë. Rrezikun e ndjenë të parët ëngjëjt e isopolifonisë ndaj e mbushën stinën me këngë dashurie. Brengat dhe hallet që shkaktonte në familjet shqiptare varfëria ekonomike, shpesh herë shfrynin nëpër këngët që kinse u kushtoheshin vajzave, këngë të tipit “më gënjëu me gënjështra/thoshte prit sa të vijë vjeshta”, ndonëse gjatë të kënduarit “harohej” qoftë dhe për pak kohë trysnia politike e monizmit. Me gjithë atë, këto sulme ndaj isopolifonisë patiën efektin e “krasitjes së pemëve” që më pas jepte gjithmon një “boom” krijimtarie si në tematikë, në përsosjen e vijës melodike apo në zhvillimin e stileve të ndryshme të të kënduarit. IV- Realisht isopolifoninë e dobësojnë si erozioni tokën ato fenomene që dobësojnë dhe shkatërojnë bazën e saj. Duke qënë se baza e isopolifonisë është familja, kryesisht familja në fshat dhe pjesërisht në disa qytete me komunitet të konsoliduar ku ruhet tradita e të kënduarit të saj brenda familjes, çdo dobësim dhe shkatërim i kësaj baze është sulm kundër arteve orale shqiptare në përgjithësi dhe isopolifonisë në veçanti. Dobësim të bazës së isopolifonisë krijon moderniteti i jetës, industrializimi i ekonomisë, lëvizjet demografike të popullsisë me synim braktisjen e fshatit drejt qytetit apo me emigrim në vendet e tjera, afër dhe larg Shqipërisë. Këto lëvizje nuk dëmtojnë në veçanti imazhin, tekstin apo vijën melodike të isopolifonisë, ato shkatërojnë bazën e egzistencës së saj. Prishja e familjes tradicionale si pasojë e emigrimit të pjestarëve të aftë për punë, që normalisht janë të rinj në moshë ndërpret procesin e trasmetimit të këngës nga një brez te tjetri. Është si të nisesh në një urë që është hedhur në një breg, por ka mbetur së ndërtuari në mes të lumit, pa aritur në bregun tjetër. Kështu që komunikimi mes dy brigjeve është ndërprerë dhe ajo nuk mund të quhet urë. Ky process ka bërë që në fshatra të këndojnë pleqtë ndërsa në emigracion të këndojnë të rinjtë. Sado të talentuar të jenë të rinjtë emigrantë dhe sado dashuri dhe dëshirë të kenë për këngën isopolifonike, ambienti i huaj i jetës dhe ambienti i ri i punës do depërtojnë në këngë duke prishur natyrshmërinë e isopolifonisë. Ca më tepër që brezi i ri që ritet jashtë atdheut çdo ditë e më shumë koha e distancon nga kënga jonë dhe interesat e tij kulturore anojnë nga moderniteti dhe kozmopolitizni. Zhvendosja e banorëve të fshatrave në mënyrë masive në qytetet e afërta, të cilët gjithashtu kanë patur një traditë isopolifonike të përafërt, ka bërë që popullata e ardhur në përzierjen e saj me popullatën e gjetur të shkëmbejnë dhe kryqëzojnë përvojat isopolifonike, shpesh duke krijuar stile të ndërmjetme dhe rrallë duke ruajtur origjinalitetin. Në rastet kur popullata e ardhur ka origjinë nga krahina të ndryshme, aty janë krijuardisa grupe folklorike, që të shkëputur nga rrënja që e ushqente këngën, shpesh paraqiten me një kinse vijë melodike pa patur asnjë lloj origjinaliteti krahinor. Dihet që evoluimi i melodisë realizohet në mjedisin e saj të “rrënjës” dhe në një moment të duhur. Ndërkohë zhvendosja e banorëve të fshatrave në qytetet e largëta apo me traditë kulturore të ndryshme ka sjellë te këta banorë rikthimin e të kënduarit në familje, por ky tip është tipi i të kënduarit “të vetmuar” që shumë shpejt rikthehet në logatje. Kjo do ishte e shumë, pot ë ishte vetëm kaq, por ja që ka edhe më shumë. Grupet folklorike janë ngritur mbi baza vullnetare dhe shpesh përballen me grupet muzikore, të cilat zhvillojnë bisnesin dhe jo artin, ndonëse repertorët e tyre janë mbushur me këngë “kinse të përpunuara”që në thelb janë deformim total i isopolifonisë. Megjithatë në ambientet publike këto grupe preferohen dhe shpërblehen. Kjo është një goditje e fortë “pas koke” që i bëhet isopolifonisë. V- Është hera e parë që isopolifonia “kërkon” ndihmë, sigurisht që ndihmën e parë e pret nga institucionet shtetërore të cilat kanë hartuar udhëzimet[4] e projektet përkatëse, por ajo e di që ndihma do ti vijë e plotë nga “ëngjëjt” e saj. Veçse këtë herë “ëngjëjt” janë të rinj, janë fëmijë që banojnë nëpër fshatra dhe qytete ku vazhdojnë shkollat, ndërkohë që mësojnë stilin e të kënduarit të fshatit, krahinës apo qytetit, që e këndojnë këngën me atë zërin e tyre të hollë, por të plotë me dashuri. Janë të pastër në shpirt këta fëmijë, e kanë zemrën plot me dashuri për këngën dhe e kanë të folurin plot melodi. Dëgjojini në pjesën e dytë.

Sarandë, më shtator 2021

1...më 25 Nëntor 2015 2-Mendoj ta analizojmë me periudha shumëvjeçare se luftrat botrore psh i patën ndikimet të vogëla. 3…pavarësisht se nuk quhej me emërtimin isopolifoni… 4-UDHEZIM Nr.1, date 09.12.2005 PER RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE PROMOVIMIN E ISO-POLIFONISE SHQIPTARE



81 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page