top of page

ËNDRRAT QË PA FËMIJËRIA


POEMTH PËR ËNDRRAT QË PA FËMIJËRIA


Ah, ç'm'u shkrep të bëhem fëmijë, në kokë më mbinë qime të ashpra. M'u hollua zëri e përsëri, korijeve ndoqa mëllenja e laraska.


Ah, ç'm'u shkrep të bëhem shkollar, në bangë ndenja me më të shëmtuarën. Veç ajo s' më tha "i pagdhendur-fshatar," për hatër të saj kurdisa kitarën.


Ah, ç'm'u shkrep të bëhem djalosh, këpucëgrisur e trazavaç. Të bukurat e plakura më lanë me lot, ringjalla të ikurat e lodruam prap'.


Ah, ç'm'u shkrep për cinglamingla, për leqe me qime prej bishtave të kuajve. Gjahtar i malluar korijeve prita, gjer zbriti nga qielli tufa e gargujve.


Qiellin e grizoi reja e grinjtë, shpirtëra të bardha, të lehta e të buta. Butë-butë m'u ulën mbi sup e qerpikë, butë-butë, butë - butë siç ulen fluturat...


Sa e magjishme nata e mesdimrit, fërshëllimat e erës fshijnë gjurmët e mia. U tretën thëngjijtë e me pahun e hirit, u mbuluan ëndrrrat që pa fëmijëria...

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page