top of page

ËNDËRRAT E LIDHURA TE POEZIA




Përsiatje mbi librin”Ku ta lidh ëndrën” të Kristo Çipës


Nga Timo Mërkuri

I-Kanë ëndërra të bukura pilurjotët, plot erëmim lulesh bari të njomë dhe tingull të ëmbël melodish iso-polifonike, ëndërra që u ngjajnë fidaneve të rinj që lëkunden dhe nga flladi më i lehtë. Sigurisht që ëndërra të bukura shihen në Pilur, ku ajri i pastër të zgjeron gjoksin në frymëmarje dhe të lehtëson peshën trupore në ecje, duke bërë që zëri dhe fjala të tingëllojë si melodi kënge dhe hapi të hidhet si me ritëm valleje. Dhe ëndërrat e Kristo Çipës të bukura janë, lastar të njomë lisash janë, por duke qënë se në Pilur fryn era e forte dhe ka rrezik që ti përthyejë a ti shtrëmbërojë gjatë rritjes, trupi i fidanit duhen lidhur te diçka (siç lidhet fëmija në djep që të mos rrëzohet gjatë tundjes ninullore) në mënyrë që fidanët të rriten të drejtë, si heshta drejtuar qiellit. Kristo Çipa e ka gjetur bukur ku ti lidhë këto fidanë, në më të bukurin “mbajtës”, që se përkul as era dhe as koha: te poezia.


II-Në Pilur era tund degët e lisave dhe fëshfërima e tyre tingëllon si një melodi. Të njëjtën ndjesi të krijon edhe leximi i poezive të Kristo Çipës te libri poetik “Ku ta lidh ëndrrën”, ndjesinë e qënies në një ambient festiv isopoli-fonik, ku gjatë çfletimit të faqeve e leximit të poezive këngët e vallet ndjekin njera tjetrën si valët e detit kur i aviten bregut.

Pothuajse të gjitha poezitë e librit kanë melodi kënge isopolifonike, jo në sfondin e tyre, por në shpirt dhe zemër, melodi që qarkullon nëpër kapilarët e vargjeve në gjithë trupin e poezisë, melodi që na ka ndjekur qysh nga endërrat e fëminisë: “Kur po luaja me ëndra/Nga gjumi më zgjoi kënga” (fq 82) apo kur fjala të çpon ëmbël në zemër: “Fjala në zemër më vajti/ Unë jam hija, ti je rrapi/../Shtroi mor brigjet e shpirtit/ Unë jam unaz e gishtit” (fq 94). Kjo ndjenjë melodie kënge është në fakt palca e shtyllës kurizore nëpër poezi dhe kjo ka qënë arsyeja që këto poezi i këmi dëgjuar të kënduara para se ti lexojmë a ti dëgjojmë të recituara.



III- Gjeografia e poezive të Kristo Çipës është vetë gjeografia e jetës, qoftë në hapësirë apo në kohë, por e veçanta e tij është se ai shkel në këto vise vetëm nëpër “shtegun” ku jehon si këngë tingulli i vargjeve të tij, duke nisur qysh nga “shtigjet” pagane me rite që formësuan AND e identitetit tonë kombëtar si: “Mblidhuni ëngjëjt e darkës/Te rrapi në mes të qafës/Të martojm zjarrin e vatrës” (fq 80), në momentet deçisive egzistencës së kombit:”Hapu det se vendos vetë /..Malet zunë e shtyjnë retë/Trimat zën e shtyjn ushtrinë” (fq 78) te fati ynë si popull që: ”Jemi ndarë në gjashtë shtete” (fq 42) apo te shtigjet e trëndafilta të dashurisë: “Kam ikur si ylli/Që i fshihet hënës /. ./Skam si ja bëj zemrës” (fq 122) dhe “Fush e bukur si unazë/Më je ëndërr a je vajzë” (fq 118) e gjer në shtigjet kur valëvitim si flamuj vlerat dhe vlerësimin e dinjtarëve të kombit: “Kam një porosi nga deti/Për gjithë botën e shqiptarit/O miq, Profesor Rexhepit/Ti puthim rrudhat e ballit/Merni dritë që kurrë nuk soset/ Nga mendimi i Rexhep Qoses” (fq 84),


IV-Në shumë poezi të Kristo Çipës, zanoret qëndrojnë në strehën e vargjeve si lotët nën qepallë dhe kullojnë dhimbjen në melodi. Kjo nuk është një figurë letrare, ky është realiteti i poezisë së tij, i marrë nga realiteti i jetës, ku dhimbja shndrohet në këngë dhe hapi i shoqëruar me një lëvizje supesh konfiguron jo ecjen, por fluturimin. (Kola fluturon me supe thotë një këngë pilurjote). Në realitet ky është edhe momenti i lindjes së valles, ai “fluturim me supe” pas lehtësimit të shpirtit njerëzor nga dhimbja, me ç’rast mua mu kujtua fjala e Nënës Tereza se: “Buzëqeshja ime është një mantel i madh që mbulon një shumësi dhembjesh”. Kjo shumësi dhimbjesh te Kristo Çipa, që si një bukuri e “zezë” përthyhet në poezitë e tij si drita në një prizëm në një shumësi tipesh poezish dhimbjeje si: dhimbja për babain: “Ti mall i ngjallur në vel vegimesh/Të pashë, të preka pa gjak e mish” (fq 21), për vëllain, poetin Leftër Çipa ”Ku flak e zjarrit mërdhinte/I kish ikë Zeusi Çikës/Gjaku i luleve zu shkrinte/Nga vargjet e Lefter Çipës” (fq 19), për mikun, poetin Petrit Ruka:”O shënjtëri, naforë e kombit/../Do ndjejë pendesë kur ti vesh zotit/Nga gjithë ëngjëjt, më i urtë” (fq 30), për arbëreshët: “Përkarshi brigjeve qarë/Kënga holluar si napa/Kullon mall e gjak të larë” (fq 44).

A e kini pyetur ndonjëherë veten tuaj se çfarë dhimbje “mbulojnë” brenda shpirtit të popullit vallet dhe këngët e tij? Ne që dimë se kënga isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi e kuptojmë më së miri fjalën e Nënës Tereza, po ashtu edhe Kristo Çipën, që instiktivisht nëpër plasaritjet e shkëmb-dhimbjes së kohës mbjell lulen e dashurisë dhe të shpresës, duke na kujtuar fjalën e Osho se: “Të jesh krijues do të thotë të jeshë në dashuri me jetën”. Është e “bukur” dhimbja e Kristo Çipës kur shkruan: “Atje poshtë te kroi i Zonjës/ Një fëmijë i flet shqiponjës/ Më dërgo krahët dhe thonjtë” (fq 115), “Gjaku i priftit skuqi mjekrën/../Kokëprerë e vazhdon meshën / Male dhe shënjtorë heshtën” apo kur jep pamje si një fanepsje qiellore:”Një grua katalanua/ Shkon si reja mbi përrua” (fq 115) etj.

V-Në poezitë e Kristo Çipës dhimbja është e bukur artistikisht, thua se e ndjen se do shndrohet në këngë, madje shumë poezi të tij mbajnë me vete ritmin e këngës në vallen e burrave, ku te goditja e dheut me opingë ndjehet besimi dhe shpresa, bijt e dashurisë: “Ujrave të vdekjes fati ynë rron/Jemi pagëzuar lumit Akeron” (fq 32), ose “Mos e fshih qelqin e lotit/O moj ti që korr rrufetë” (fq 69) .


VI-Poezitë e Kristo Çipës çelin natyrshëm si lulet e pemës në stinën e lulimit duke mbushur ëndërrat dhe ajrin me aromën e tyre. Kjo natyrshmëri e çeljes së poezisë së tij shpjegon pse ato ndjehen menjëherë porsa dëgjohen apo lexohen, mësohen përmendësh dhe këngëzohen qysh në krye, madje përjetohet në shpirt më shumë si melodi. Thonë që “poezia ndjehet, nuk kuptohet, e ca më pak të shpjegohet”, por poezia e Kristo Çipës ka veçantinë e madhe se ajo ndjehet, shpjegohet dhe kuptohet në të gjitha format e paraqitjes së saj, madje mund të themi se është nga të rrallat poezi shqipe që i mban brenda vetes të tre format e shfaqjes (këngë, valle e recitim), ashtu si bërthama e frutave që mbajnë dy ose tr thelpinj. Ja si e portretizon poeti motrën e Marko Boçarit, të martuar te Kocanajt në Dhërmi, ndërsa e tipizon si suliote: “Syrin moj ja more Sulit/ Brengën moj ja nxore gurit/Yllin si ja vodhe nurit/Gërshetat si halë e grurit/Pleksur dertet e flamurit/ Margaritë bijë e Sulit”(fq 95). Kjo poezi ka në brendësi të saj elementët e këngës isopolifonike me grup kënge po ashtu edhe elementët e këngës në vallen e kënduar të grave, krahas natyrës poetike si poezi.


VII-Poezitë e dhimbjes së Kristo Çipës janë të gjitha poezi me shtrat balade ndaj edhe disa prej tyre ai i quan balada ose i zhvillon si balada, pavarësisht nga gjatësia vargore e tyre. Realisht në origjinën e tyre të herëshme, baladat kanë qënë poezi të shkurtëra, ku me një të folur lakonik jipnin mesazhin. Në rastet kur mesazhi ka qënë tepër i rëndësishëm, një mesazh që u drejtohej brezave dhe kohërave që vinin, thelbi i tij kapërcente epokat, duke u plotësuar me vargje të tjera që i shërbenin shtjellimit të subjektit dhe mistifikimit të mesazhit. Të meresh me “rishkruarjen” e baladave apo me krijime baladash të reja duhet të jeshë “i kompletuar”si poet i rrafshit të epërm, duhet të njohish historinë dhe strukturën e artit tonë gojor dhe të jesh i dashuruar me poezinë me bazë traditën gojore. Kristo Çipa i zotëron të gjithë këta element dhe këta janë të dukshëm qysh në larminë e metaforave që përdor ashtu dhe në natyrën e këtyre metaforave që dëshmojnë tabanin, natyrën dhe njohuritë e tij mbi artin gojor. Madje duhet të citojmë faktin që autori flet në vargje nëpërmjet metaforës, gjë që ta bën të këndshëm “ecjen” nëpër vargje (si në një rrugë plot trëndafila të çelur anash bordurave), gjë që ta bën të ëmbël melodinë që shpërndajnë (si aromë) këto metafora.

Le të shohim baladën “Dhe në yje varrën djepe” që flet për masakrën e turqve në Pilur në 1750 pasi, siç thotë kënga popullore: “E grisën fermanin pleqtë” dhe nuk pranuan të ndëronin fenë. Rezistenca pilurjote ishte e fortë, por numëri i madh i turqve që sulmuan pabesisht la shteg për masakrën, ku nuk u kursyen as fëmijët. Realisht kjo luftë është një plagë e madhe për popullin pilurjot por edhe një shënjë krenarie në ballin e tij. Këtë ka gdhëndur në vargje Kristo Çipa në mënyrë mjeshtërore ku shkruan për “Jatagani turk me presë/Çelik nga kudhr e hilesë/./Dhe erën kërkon të vdesë” apo për “Osmanllinjtë qiellin rrjepin/Hëngrën fushën, vollën detin” “Dyqint trupa pa firomë/Pleq edhe fëmijë të njomë”, por megjithatë pilurjotët: “Në vetëtima për vete/Atje hodhën rrënjë jete” (fq 116-117). Po kështu mjeshtërisht është krijuar edhe balada tjetër “Martohet me natën” për një vajzë pilurjote që martohet me një dasëm ku: “I dhëmb qeshja dritës, gjelbërimi barit” dhe se “Dasëm kaq memece skishte parë vendi” ku”Dhëndëri si qivuri ngre vetull sëpatën/Nusja cipull nuri martohet me natën” dhe të nesërmen nusja vetëvaret me gërshetat e saj në një greminë: “Nusja vallëzonte valle tragjedinë/Si xhinde në hone e vetmja Kalinë” (fq 101-108). Unë mund të rri e tjua recitoj-këndoj plot dëshirë e passion këngë-poezitë e Kristo Çipës, por do të dëshiroja ta zhbironit dhe zbulonit vetë bukurinë e krijimtarisë së tij poetike, e cila në këtë mënyrë do ju “shijonte” më shumë. Ajo që dua tju them është se libri “Ku ta lidh ëndërrën” është vërtet një libër që lexohet me kënaqsi, përjetohet në çdo poezi sepse poetët si Kristo Çipa shkruajnë me shpirt. Ata nuk shkruajnë të ndikuar nga klima aktuale, ata gdhëndin të frymëzuar nga klima epokale.

Sarandë, më Korrik 2022

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page