ÇUDIBËRËSI
Tregim nga Kozma Gjergji
Me armiqësinë e papajtueshme të partive kundërshtare tanimë zbavitemi si me lojën e qenit me macen. Dikur iu besonim qorrazi dhe i konsideronim prijëset e vërteta të demokracisë.
Mirëpo ciklonet e sherrnajave dhe revanshit për hakmarrje, dhunë, vëllavrasje, kaos, na bindën gradualisht se atyre u interesonte e kundërta për të përfituar. Demokracia i ngjante më tepër një pranvere ku zotëronin gjithandej akrepët, urithët, çakejt, hienat, ujqërit, luanët, tigrat…
Ç'u bënë vizionarët idealistë, që na premtuan të sillnin një kohë për të shëruar e për të dashur, dhe jo për të urryer e ndërsyer, një kohë për të ndërtuar e jo për të shkatërruar, për t'u perëndimorëzuar e jo për të vjedhur?!…
Në krye të bashkisë së qytetit ia behu një autoritet i frikshëm krejt anonim. Përflitej se i përkiste llojit të krokodilëve të rritur fshehtësisht në basenin e ish sigurimit. Duke ia njohur ca lidhje të errëta e krahasonin ironikisht me Shën Palin, i cili në fillim i vriste të krishterët, kurse më pas u bë i krishterë i devotshëm dhe shërbetor i tyre.
Kryetari i ri ndërmori menjëherë "reformën" e krijimit të kapitalistëve, që qytetaria i quante veç një tufë derrash të zhytur thellë në llucën e korrupsionit. Ndërkohë për ta zbukuruar e mitizuar veten joshi e përdori dhe gazetarë e artistë. Ua financoi bujarisht botimet, shfaqjet, koncertet e veprimtaritë kulturore-artistike. Dhe mirënjohja i erdhi shpejt. Të parët ia shprehën në vijimësi me ryshfete të majme, të dytët i kushtuan krijime muziko-letrare dhe kronika e reportazhe glorifikuese.
Por arti e ka në gen opozitarizmin dhe e gjen mënyrën ta shpreh. Artistët i dhuruan bashkisë dhe dy skulptura. Në njërën ishte skalitur Hermesi, Perëndia e mashtrimit, intrigave, dredhive dhe mbrojtëse e abuzuesve, ndërsa në tjetrën Pluti foshnje, Perëndia e pasurisë, në krahët e Paqes, për të treguar se qe pikërisht Paqja që sillte pasurinë, ashtu si posti e pushteti për kryetarin. Ky i çmoi thjesht si vepra arti dhe nuk i ra hiç në të për simbolikën.
Qyteti i gëzohej lirisë e përpiqej plot besim të ngrihej mbi mjerimin e trashëguar. Marramendshëm gjallëroi tregu e vërshuan bare, klube, taverna, që tërhiqnin e provokonin me larmi emra e reklama xixëlluese. Gëlonin nga muzika e huaj dhe nga njerz të veshur e modeluar pa çensurë. Nuk druhej të shfaqej një gjysmëlakuriqësi dhe imitimi ekstravagant deri i karnavaleve.
Vëmendje të shtuar merrnin personazhet më simpatikë e interesantë, si Miss Kulumbria. Prezenca e saj e hijeshonte edhe rrugën me baltë e gropa dhe bënte ta doje më tepër qytetin. Kushedi sa psherëtima e vështrime e ndiqnin si shigjeta flakëruese, duke e përfytyruar si një gotë të argjendtë plotë me gjithë kënaqësinë për ta pirë.
Në bulevard e trotuareve përgjatë lumit xhironte të kënaqte sytë dhe hidhte "grepat" për "ngjala" edhe xha Gafurri, beqari veteranë, i njohur për lakminë e fuqinë epshore prej demi.
I vinte keq që kjo kohë e "libertasë" e gjeti në të tetëdhjetat. Megjithatë nuk e kishte për gjë t'u propozonte dhe adoleshenteve. Për të s'ishte kurrsesi as turp e as faj të doje e dashuroje edhe në këtë moshë. Nuk fyehej nga ndonjë përgjigje e rëndë, si "Ik tutje dordolec plak". E merrte për çapkënllëk rinor.
Çuditërisht guximi i tij cipëplasur, pangopësia maniake dhe marrëzia komike kishin mjaft adhurues. I pëlqente të tregonte me mburrje të madhe gjithëfarë aventura, që në fakt qenë më tepër sajesa, gënjeshtra e dëshira. Ja nja dy më pikante.
-Dekada më parë emëruan këtu në qytet një mjeke të sapodiplomuar. Të verbonte me bukurinë. Shëroheshe mjafton ta shikoje. Ja vura syrin, por s'më la kohë, se u martua shpejt. Kjo gjë nuk më zbythi pa e shtënë në dorë. Dhe nisa duke u regjistruar pacienti i saj. Besoja t'ja arrija, pasi e dija që do hipnotizohej kur të shihte trupin tim lakuriq, i cili asokohe ishte njëlloj si i Davidit të Mikelanxhelos. Për mjekët, dashnorët, piktorët e skulptorët trupi i njeriut është subjekti më magnetizonjës e frymëzues.
Shkova të vizitohesha. Sa u përballa drithërova e u shushata. Duket më kuptoi. Zhvishu, më urdhëroi me ton. Veprova ashtu. U shastisë e tëra me trupin. Ndërsa më prekte me gishtërinjtë që i këndonin si të lozte në piano, kaloi në orgazëm. Heshti për pak me sy të perënduar e pastaj si të zgjohej nga ndonjë ëndërr m'u drejtua ëmbëlsisht: -Je si kokrra e mollës, por do të të vizitoj edhe njëherë kur të plazhoj në det gjatë korrikut. Nëse dëshiron eja të kalojmë bashkë një histori…
Cërr më theri në zemër dhe në çast i shpreha gatishmërinë. Dhe i vajta. O Zot, ç'dashuri vullkanike në ujë, sa dhe dallgët u mahnitën!…
Pisk e kam pasur në një rast. M'u qep keq vajza e kryetarit të degës së brendshme. Do bëjmë qejf fillimisht, më pohoi, pastaj martohemi. Më pëlqente vetëm qejfi, jo martesa. S'ma mbante dhe nga frika ndjehesha si i kastruar. Mendova që ishte më mirë ta largoja pa i shkaktuar lëndime. Dhe nuk e zgjata më tej. E falënderova dhe komplimentova përunjësisht.
-Je tepër e bukur dhe e ndershme, -iu shpreha. -S'të mertoj kurrsesi. Unë mund të ndjehem rehat me ndonjë që të ketë dy për qind të hireve të tua dhe të jetë me sa më shumë përvojë, mundësisht me një fëmij…
-Ah, t'i qenke kokrra e budallait, -ma ktheu dhe gjithë kryelartësi u largua. Shpëtova.
-Si shpjegohet që me kaq raste ke mbetur i pa martuar?! -e pyesnin.
-Më morën më qafë kurvat, -shfajsohej dhe shtonte, -Më linin kurdoherë të shkrehur që të mos kujtohesha për tjetër, njësoi si ai luani i ngopur me kaprollet që s'do t'ja dijë edhe kur zebra i kalon fare pranë. Kësisoj më iku dhe koha…
Ndryshe përgjigjej xha Gafurri në bashkëbisedim me partiakë e pushtetarë.
-Mbeta beqar, se për fatin tim të zi, mua donte të më martonte nëna parti. M'i ndaloi rastet ku desha. Një persekutim erotik tejet brutal. Në shënjë proteste refuzova çdo rekomandim dhe vendosa të mos martohesha.
Kërkova kartën e të përndjekurit dhe persekutuarit politik, por s'ma dhanë. Nuk e njohim të tillë disidence, më thanë. Desha t'i sqaroja që shtypja e burgosja e shpirtit s'ishte më pak e lehtë. Qe e kotë. Kështu si ti, më kallzonin, e kanë kërkuar kartën edhe ca ish gardianë me pretekstin se u kishte shkuar jeta burgjeve. Meqë po këmbëngul, mund të bëjmë një përjashtim nëse kërkesën e shoqëron me një sasi të pranueshme eurosh. Do mendohem, ua ktheva, dhe nuk e ndoqa më.
Një tjetër lezet i qytetit qe personaliteti D. Të mahniste me kuriozitetin prej kaleci për të ditur deri dhe sa qenë ndërzeheshin nëpër lagje, dhe me bindjet enveriste aq të shkëmbëzuara e rezistente ndaj çdo rrebeshi e erozioni shoqëror. Po e ilustroj me një rastin tim.
Drejtoja gazetën e një prej shoqatave pluraliste. Në optikën e re natyrshëm rishikoheshin ngjarje e protagonistë të ndryshëm. Dhe dilte që plot figura të likujduara e damkosura si armiq të popullit, kishin qenë përkundrazi miqtë e mbrojtësit e tij më të mëdhej.
Megjithëse opinioni i gjerë i mirëpriste, Personaliteti e vlerësonte këtë mjaft të rrezikshme e të pa pranueshme. Ai kërkoi këmbëngulshëm demaskimin, shkarkimin dhe largimin tim të menjëhershëm nga gazeta. Nuk ia morën në konsideratë.
Dëshiroja ta tallja dhe rasti m'u krijua. Vijonin përgatitjet për në Festivalin Folklorik Kombëtar. Për të ilustruar shkrimin-jehonë kushtuar grupit folklorik të qarkut, shkova atje e realizova disa foto. Teksa kthehesha në redaksi ndeshem me Personalktetin. Pasi u përshëndetëm më pyeti.
-Ç'i ke këto foto me artistë?
-Vajta e pashë përgatitjen e grupit folklorik e i bëra fotot për të shoqëruar reportazhin.
-Aha, bukur! Pa më trego një çik si paraqitej niveli i të gjithë aksesorëve?
-Mirë ore, mirë në përgjithësi, por ç'e do, programi dominohej nga këngë për ballistët dhe Mbretin…
-Ç'thua!? -shtangu si ta kishte goditur rrufeja.
-Po, po!… Më e poshtra qe se i këndonin disa ish komunistë! Dhe me çfarë pathosi ua bëfshin t'ëmat!... Ja si niste njëra:
O ballistë ju dua shumë
Gjithmonë trima në furtunë…
-Mos more! Bo, bo, bo ç'katastrofë e tmerr! Si mund t'i këndohet tradhtisë!?… Ç'a po ndodh kështu?!… Edhe për Mbretin kësisoj ëëë?!... A të kujtohet ndonjë për të?
-Nuk i mbaj mend… Ja vetëm një nga strofat:
Lum e lum ne për Mbretin
Që po sjellë Oksidentin,
Rroftë e qoftë Madhëria
Uron e gjithë Shqipëria…
Personaliteti, ndërsa dëgjonte dhëmbështrënguar e i errësuar në fytyrë, shpërtheu për shefin e kulturës së bashkisë, njëherësh dhe anëtar i kryesisë të degës së partisë demokratike.
-Po Raqi, Raqi ç'bënte?!…
-Raqi? Hë, po ai i kishte ndjellë dhe hapur dyert…
Ah, maskarai! Spiun i rrezikshëm ka qenë me vakt ai qen bir qeni!… Ika, ika se qënka dhjerë ndyrë puna…
U largua menjëherë dhe e mbajti frymën te drejtuesit e shoqatës, duke i alarmuar të ndërhynin urgjent për t'i hequr. Ata e kuptuan talljen time hakmarrëse dhe u munduan ta qetësonin e sqaronin, që tani ishim në pluralizëm e demokraci dhe s'mund të ushtrohej më çensura e përjashtimi si në monizëm…
Rinimi i qytetit i ngjante gjelbërimit të bujshëm. Njerëzit shijonin frutet e punës për vete dhe i falenderoheshin lirisë. Nga ana tjetër ca rryma të acarta egërsoheshin e sillnin stuhi, përmbytje, shkatërrim… Hidheshin në erë shtylla tensioni e kabina elektrike, rrëmbeheshin pengje, kryheshin grabitje, vrasje dhe tentohej të mbytej demokracia…
Partitë ngrini lart tonet e zërit dhe si kusia e tenxherja e përrallës fajsonin e shanin njëra-tjetrën sesa e zezë ishte, duke e shtuar edhe më tej helmatisjen e përçarjen.
Duhej bërë patjetër diçka për të qetësuar situatën përsëritej me shqetësim gjithandej. Ndërsa dukej e pamundur, na shkrepëtiu zgjidhja, të cilën e realizuam menjëherë: Në depon e ujit të ujësjellësit të qytetit hodhëm një thes të tërë me viagra. Le të ëmbëlsoheshin të gjithë me dashuri. Edhe urrejtja do zbutej e humanizohej prej saj.
Dhe efekti qe i shpejtë. Në çdo shtëpi uji i ri çudibërës çoi mrekullinë. Njerëzit dhe fqinjët i tregonin njëri-tjetrit me ngazëllim ç'iu pati ndodhur, në veçanti të moshuarit e ripërtërirë dhe ndezur seksualisht si me magji. S'përmbaheshin nga dëshirat për t'u plotësuar si qënie biologjike.
Krejt qyteti dalldisi e u shndërrua në një teatër gjigant dashurish nga më të pabesueshmet. Shikoje atje në një çiftim babëzitës ish komandantin e çetës së Ballit me ish partizanen, deputeten demokrate me sekretarin socialist, imamin me murgeshën, të shëmtuarën me djaloshin më të bukur… S'ekzistonin më morali, paragjykimet politike, parapëlqimet ideologjike…
Tërë kjo festë dashurie e harmonie mbarëqytetare pa asnjë dallim kurrë s'kishte ndodhur. Me të niste hapja e një epoke të re të mardhënieve midis njerëzve që mbi të gjitha i përkisnin të së njejtës etni. Mirëpo krerët e gjithë spektrit politikë në vend të gëzoheshin u hidhëruan pa masë. Ata shihnin atje qartë humbjen më të thellë në zgjedhje, që do të thoshte humbje milionash dhe privilegjesh. Kërkonin me ngulm të ndëshkoheshin shkaktarët e asaj gjëme. Mendimet e propozimet e shumta godisnin në një pikë: Të përdoreshin më me efekt tritoli i armiqësive dhe fitili i urrejtjeve.
E mbështeste plotësisht këtë dhe i famshmi T., shëruesi popullor dhe parashikuesi profetik i fatit dhe ngjarjeve. Kuptova që do na vinin të këqia, thoshte, sapo polli mushka. Kështu ndodhi edhe para pesëqind vjetësh: Pjellja e mushkës sinjalizoi apokalipsin e pushtimit otoman që pasoi…
Teksa shëtisnim në qytet hasim xha Gafurrin. (Kolegu e quante "gazin e trotuareve dhe barsaletave") E pyesim dhelpërisht.
-Hë, more Pasha a e ngope qejfin sa deshe?
Me një buzëqeshje të helmatisur na u përgjigj.
-Nuk kam bërë dot gjë…
-Si kështu?! Si është e mundur?!
- Ai ujë çudibërës, që ringjall e eksiton dhe të vdekurin, mua më ngriti vetëm kollaren…
Mik i nderuar, z.Sotir, ju përshëndes dhe falënderoj me mirënjohje që jeni bërë pjesë e tregimit me mendimet tuaja thellësisht zhbiruese e tejet të çmuara për mua. Përjetova kënaqësi të dyfishtë, sepse shprehen nga një artist me kualitete në këtë lloj "zeje", por edhe ish i dënuar nga regjimi i kaluar, siç mësova së fundmi.
Ju uroj shëndet e shumë suksese edhe juve në krijimtari! Me respekt, K.Gjergji.
Xing.
Të gjithë jemi të zhgënjyer nga e ashtuquajtura Demokraci. Prandaj mbi këtë të vërtetë tejet, po tejet Toksike, ngrihet shumë i talentuari Kozma Gjergji dhe na josh me tregimin sarkazëm, "Çudibërësi".
Skalitja e personazheve grotesk dhe gjuha me nivel të lartë njohës, i japin zhvillim temës. Urime, z.Kozma!/
Xing.
Tungjatjetani i dashur Myslim! Komenti juaj për tregimin "Çudibërësi" s'është thjeshtë një përshtypje, siç thoni modestisht, por një ekstrakt-analizë që ka brenda shumë dashamirësi miku dhe profesionalizëm prej krijuesi me përvojë e kulturë të gjerë.
Ju falënderoj me mirënjohje për gjithçka shpreheni! Me respekt, K.Gjergji.
Ndjehem mjafte mire shpirterisht qe miku im i rinise se hershme poeti dhe prozatori i talentuar
Kozma Gjergji, nuk me cgenjeu. Edhe ne poezi edhe ne proze.
Tregimi i fundit i porsabotuar: Cudibersi, me befasoi dhe entusiazmoi. Kozmai eshte vetvetja ne proze. Ky tregim dhe te me parshmit nuk kane "subjekt" klasik sic ndodh shpesh ne letersine qe shkruhet sot. Kane nje dramacitet te brendshem, qe te befason. Nje ansambel
personazhesh qe dhe te dhimbsen dhe te bejne t'i urresh. Nje humor i hidhur Cehovian. Nje
kocentrat jetesor.
Ish sigurimsi qe vrau e preu vite te tera njerez te pafajshem, vihet ne krye te Bashkise.
Gjetja metaforike me Shen Palin eshte e mrekullueshme: " Ne fillim i vriste te krishteret,…