Nga: Nuri Plaku “Çehovka”, është vëllimi i fundit me tregime e skica i autorit Përparim Hysi, leximi i të cilit të ngjason me rrjedhën e një ujvare që të pushton me muzikën dhe freskinë e saj të magjishme. Në faqet e kësaj proze, rrjedh vrulli i jetës së pasur të një njeriu të hovshëm dhe aktiv, me një kurbë rrëfimesh sa të thjeshta aq edhe interesante për kohën kur ai ka jetuar dhe ka ushtruar aktivitetin e tij. Çehovka është personazhja e njërit prej këtyre tregimeve, e cila me lirizmim e saj erotik dhe idilin aventuror, ngjason me një vajzë çapkëne që “arratiset”, nëpër hënën e një nate pranverore, për të thyer me ngutë, tabunë e diferencës “tragjike”të moshës së partnerit të saj të adhuruar nëpër vite. Është pikërisht ky imazh i thukët lirik, që përcjell ndjesinë e lexuesit thuajse në të gjitha tregimet e këtij vëllimi që trajtojnë temën erotike. Erotizmi te ky autor, është një ndjenjë e freskët çapkënësh, e cila, herë - herë kalon në një aventurë“çarhoshësh,”e veshur me mister dhe befasi, të cilat e bëjnë rrëfimin, gjithmonë e më interesant. Në mënyrën e tij të të shkruarit, Hysi praktikon parabolën, apo siç i quan ai “analogjira”. Ai i fillon tregimet me pasazhe të shkurtra pararendëse, të cilat shërbejnë si hyrje për të deshifruar qellimin e tyre definitiv. Kështu p.sh, kur tregon për dr. Çinën, në parantezën e këtij tregimi vendos një batutë të shkëmbyer midis shkodranit e labit, që emrat e fshatrave jua dedikojnë me mburrje personave të njohur në histori. Po kështu vepron edhe me “vrimën e vjetër” një paralele e stilit popullor që e vesh me humor të këndshëm tregimin. Nëse bërthama e tregimit “Bodina” nuk do të kishte këtë “florudhë”ajo nuk do të ishte aq tërheqëse në përmbajtjen e saj. Pikërisht këtu qendron edhe një nga sekretet e stilit të këtij autori, i cili e bën rrëfimin e tij sa të pasur, aq edhe mbresëlënës. Një tjetër element i rëndësishëm i prozës së Hysit është çiltërsia e rrëfimit, e cila e bën atë sa origjinal, aq dhe të dallueshëm midis krijuesve. Tregimet dhe skicat e tij, trajtojnë vetëm ngjarje reale, të cilat vetëm një fije floku i ndajnë nga kujtimet. Ato kan brenda tyre mundin dhe sakrificën, djersën dhe gjakun, të mirën e të keqen e jetës së tij. Nga vetë natyra e tij Përparimi karakterizohet prej revoltës ndaj padrejtësive të jetës dhe pohimit të së vërtetës. “Ec drejt dhe bërtit fort,” ishte deviza e piktorit francez Gustav Kurbe. Pikërisht kjo devizë sikur ka udhëzuar në jetën e tij edhe Hysin. Duke qenë se burimi kryesor i përmbajtjes së kësaj proze, është realiteti bruto i jetës së tij, ai nuk rend pas formave manieriste dhe artificave të stisura letrare. Ai rrëfen jetën për jetën duke ju referuar përshtypjeve të saj të drejtpërdrejta dhe i trasmeton ato me një gjuhë të thjeshtë por të pasur. Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj proze është ndjenja e humorit, e cila e përshkon atë, tej e ndanë, si një fllad i freskët pylli. Është e pamundur të mos vësh buzën në gaz e të mos zhytesh edhe më tej në përmbajtjen e saj, kur has shprehje të tilla si, “do ha jorganin”, apo batuta si ajo e Gjolekës, nxënësit që refuzonte të qethej por, pasi mësuesi e uli në karrike dhe beriberi ja bëri kokën tullë, zbriti e tha: “Ja të shohësh, do qethem?” Disa nga tregimet e këtij vëllimi, kan karakter dramatik. Duke qenë një mësues me “cen ne biografi” por i guximshëm në jetë, ai përshkruan ngjarje trishtuese nga koha e diktaturës, si rasti i marjes së vërtetimit nga këshilli popullor i fshatit, për të blerë bukë gruri, apo rekrutimi i spiunëve për arrestimin e kosovarit. Ndërsa disa të tjerë, të bëjnë përshtypje për natyrën e humanizmit që trasmetojnë tek lexuesi. Mjafton të kujtojmë tregimin “Lopa dhe gruaja ime”ku personazhi kryesor, pasi vete për darkë tek miku dhe shikon varfërinë e tij ekstreme, kthehet të nesërmen në shtëpi, mer lopën e tij e ja çon dhuratë. Rrëfimet e Hysit, jan të mbushur me metafora, thënie brilante nga populli e njerëz të mençur, poetë e filozofë të të tëra kohërave, çka e bëjnë atë mjaft interesante. Kjo do të thotë se autori i shmanget kinse linearitetit të ngjarjes dhe “brof” aty këtu për të na sjell ndonjë gur të çmuar nga gjerdanët e shndritshëm të trashëgimisë sonë kulturore dhe asaj botërore. Shpesh, tek këto tregime e skica, gjallon një ironi e hollë që të fshik me “pendë palloi” duke lënë gjurmë të thellë tek lexuesi. Si mjete të kësaj ironie vendosen dy elementë funksional; meditimi i personazhit dhe tipizimi dialektor i tyre. Të dyja këto elemente vihen re qartazi në tregimin, “Kuskuta e fundit.” ”U nise për qytet dhe sose në kiamet. Se kiamet e shkuar kiametit më dukej ky, emërimi im. Domethënë, sikur kryetari, më tha: - Mbathja për në Izmir, se Stambolli është për ta dhe Kristot që “kishin bërë luftën”dhe me shkollë apo pa shkollë, qenë ata që vendonin. Kur mbrita, kërkova kryetarin e kooperativës dhe, kur më treguan zyrën, trokita. Hyra dhe pash që qe me një dorë. Më zgjati atë të saktën dhe, pasi pa shkresën, lëshoi një britmë: - Nasiii! Sakaq mbriti me një frymë ai që quhej Nasi dhe kryetari urdhëroi: - Qy është agranomi dhe çapu me të ti tregosh dhomën ku do flejë. Pastajaz, tako Pulijen, kuzhinieren, që të gatuajë për këtëna njimëni se po shkon 12 sahati.” Jan pikërisht këto tipare që i bëjnë tregimet dhe skicat e këtij vëllimi, të lexohen me vëmendje dhe të përjetohen me emocion. E mbi të gjitha, si pararendës i këtij emocioni, të shfaqet imazhi i çehovkës, e cila, me lirizmim e saj erotik dhe idilin aventuror,“arratiset” nëpër hënën e një nate pranverore dhe vjen para nesh me pamjen e saj sa të veçantë, aq edhe interesante.
Comments