
ÇDO FOSHNJË KA NINULLËN E VET.
Fatmir Terziu
Kur nisa të bëlbëzoj
hapa gojën të puthja qiellin
mbushur me yje të ndezur, të harlisur,
gjeta një zog dykrenor dhe fluturova bashkë
të gjeja këngën e tij.
Çdo foshnjë ka ninullën e vet.
Atë kohë fluturoja të kaloja retë
bardhë e zi që shtrydheshin mbi qytet
e poshtë syve bëheshin lumë
ishin tret
kisha frikë të zgjohesha nga ai gjumë.
Trupi im ishte një refren
pa korrin e tij
bërtita
nga gjumi më feksi në sy,
si drita,
gjyshja e qetë,
ajo më këndonte ninulla,
çdo foshnjë ka ninullën e vet.
SHTYLLA E SHTËPISË
Kur bota lëviz e s'pushon
duke zgjuar lumenjtë
deh dy detet me ngjyrën e qiellit.
Unë jam një ngulmë e kësaj jete,
në venat e ujit.
Unë jam rrënja nga fara e fisit
që kam gëlltitur
kripë nga rrudhat e gjyshit.
Unë jam një auditor që përhapet
ku luhen trashëgimitë
dhe fatet.
Unë jam kundër
rrufeve që zgjojnë foshnjat,
duke shkulur hekur nga thinjat
bashkë nga kohërat.
Ku mund
të gjindem?
TREND
Nuk ka shenja fjalësh. Stilet
zhvishen nga kostumi i natës në ëndrrën time,
ëndrra ku shoh të pikturojnë mitet
pikturën më intime.
Trupi gjysmë i dorëzuar në kanavacin gri
gjuha, goja, gishtat,
ngritje-uljet e shpinës,
livallet e shtrira,
te shkëmbi rrotullues i dëshirës.
Përqafimi zhvendoset në një përqafim tjetër,
trëndafili çel,
gjinjtë që imitojnë perlën
e nga sytë ajo pikturë s'më del.
Në mes të natës bëhen pikturat më të mira
edhe pse pikturohen me shekuj
për to nuk ka shenja fjalësh, s'ka ekspozita.
Nuk ka shenja fjalësh… Tempuj
ku përsëritet vetëm e shenjta e shenjtë
tek sytë,
buka është ngrënë,
mjalti mjafton, me verën dhe qershitë.
FRAGMENT NË DËSHPËRIM
Mirëmëngjes, gjiton, … gjitonja ime!
Ai, ktheu sytë nga ajo dhe ma ktheu: qenke gdhirë mirë…
…ej, a do të bjerë shi në arën time?
Mirëmëngjes, o i nderuar fermer!
Ai m'u përgjigj: e paske marë rrugën si erë…
… nuk e di a kemi ne këtu, më ndonjë vlerë?
Mirëmëngjes, o i papërtuar druvar!
Ai m'u përgjigj: jemi bërë gomarë, kjo kohë duhet vrarë…
…kur do të na hiqet nga kurrizi ky samar?
Mirëmëngjes, o shkrimtar, …a poet!
Ai m'u përgjigj: nuk e sheh, ende jam duke fjet…
… pse kompjuteri nuk më ka zgjuar, me mua nuk flet?
Mirëmëngjes, o i panjohuri bashkëudhëtar!
Ai m'u përgjigj: Oh, paçim këmbën e mbarë…
… për ku je nisur kështu vallë?
Mirëmëngjes, o i dashuruar!
Ai m'u përgjigj: ende nuk jemi puthur…
… pse kam mbetur në Facebook duke u lutur?
Unë bëra timen, i përshëndeta thuajse të gjithë
askush nuk ma ktheu me të njëjtën monedhë,
që na shëtit të gjithëve përtej gjeografisë,
askush nuk më tha pse monedha na ka hedh kaq serbes,
aty ku askush nuk të kupton „Mirëmëngjes!?“
Pastaj dëgjova me një vesh lypësin e rrugës:
Çfarë lloj idiotësh janë këta njerëz të shtypur?
Monedhat e tyre përditë po gërmojnë varrin e gjuhës
dhe plagën e monedhës të gjithë e kanë gëlltitur,
ndërsa ikin, largohen vazhdojnë në dëshpërimin e udhës…
Comentarios