top of page

ÇAMËRIA NË KRIJIMTARINË E SHKRIMTARIT ENVER KUSHI


ÇAMËRIA NË KRIJIMTARINË E SHKRIMTARIT ENVER KUSHI

Prof.dr. Resmi Osmani

Esse

Enver Kushi, shkrimtar, publicist, skenarist, esseist dhe kulturolog, megjithëse ka nisur të botojë në shtypin letrar të kohës nga mesi i viteve 70-të të shëkullit që lam pas dhe librin e pare me tregime e botoi në vitin 1988, profilin e tij krijues e shpalosi pas viteve 90-të. Krijimtarinë e vet letrare e ka përmbledhur në librat “Porta e madhe”, 1988, ”Hëna e vitit zero”1994, ”Ëndrra të ngrira”,2000, romani ” Koha zero”2002 dhe vëllimi me tregime dhe publicistikë ”Apokalips 6”, 2006. Edhe pse e pakët në sasi, krijimtaria e tij është disi e veçantë për temat që trajton, mënyrën e të shkruarit, bukurinë e fjalës dhe elegancën e gjuhës, mjetet e figurshme të shprehjes, filozofinë dhe qëndrimin për ngjarjet, jetën dhe njerëzit, për kompozicionin e zhdërvjellët dhe ndërthurjen e lëndës, mesazhin që transmeton, pleksjen e reales me irealen, fantastikes me surealen, groteskut dhe absurdes, tokësoren me qielloren dhe kozmiken, bukurinë e gjuhës, veçantitë dhe tipizimin e personazheve etj. Gjithë këto e bëjnë atë të dallohet nga krijuesit e tjerë, të ketë profilin e vet origjinal, të dallueshëm dhe tepër të veçantë. Një art dhe prozë ndryshe, jashtë klisheve dhe kanuneve standard. Për gjithë këto, kam shkruar në essenë time ”Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit”, Tiranë,2012.

Duhet shënuar që shkrimtari Enver Kushi, i përket komunitetit çam. Dhe Çamëria ka vendin e saj në krijimtarinë e tij. Këto dit ai përfundoi novelën “Zonja nga Parga”, kushtuar vuajtjeve dhe masakrimit të popullatës së kësaj krahine dhe pasojave të saj nga forcat zerviste. E lexova në dorëshkrim, por këtu nuk do të bëj fjalë për këtë novelë, që është një arritje tjetër e shkrimtarit, por trajtimit të Çamërisë në krijimtarinë tjetër të tij.

* * *

Në vitin fatal 1913,bisturia e diplomacisë së Fuqive të Mëdha, preu në trpin e dheut të Shqipërisë në skajin jugor të vendit, një vijë të thëllë ndarjeje të dhunshme, hapi një plagë që kulloi gjak.Plagë që ende është e hapur dhe dhemb, ther ashtu si plagët e vjetra kur vetëtin e bubullon. Gurët e sinorit që shënuan kufirin,kishin peshën e robërisë, për atë pjeë që mbeti matanë, peshën e dhimbjes e të ndarjes përsëgjalli që mbetën më këtë anë. Qershori(27) 1944, marsi 1945, vite të gjenocidit dhe spastrimit etnik të krahinës, e derdhën lumë gjakun shqiptar. Çamët u dëbuan, krahina mbeti shkretë, pa zot.

Enver Kushi, bir I një familjeje çame, i lindur dhe rritur në një komunitet të vogël nga kjo krahinë, në Rrogozhinë, deashuria për dheun e shenjtë të të parëve , i është kuar me qumshtin e gjirit të nënës. “Që i vogël - kujton ai - kam dëgjuar dhjetëra tregime për Çamërinë, kujtimet me mall të papërmbajtur për ato vende: Detin, ullinjtë, dhentë, shtëpitë, njerëzit e vdekur e të gjallë, rrugët ku ata kalonin, pllajat, puset, varret……Ç’është ky vend I çuditshëm, që kujtohet me një mall gërryes? Është më shumë se një mall, më shumë se një dhimbje, më shumë se shumë gjëra të dashura për mjeriun….” Aty ai pa i mahnitur vallen e Osman Takës, dëgjoi i mrekulluar këngën e Çelo Mezanit. Çamëria dhe imazhi i saj disi i mjegullt e përrallor, me qartësi qielli dhe kaltërsi deti, u bë pjesë e genit dhe unit të tij shpirtëror, kësisoj nuk kishte si të mos pasqyrohej në krijimtarinë e tij. Por le ta lemë vetë atë të shkruaj e flasë për këtë temë, në intervistën dhënë gazetarit Albert Zholi: “Çamëria është fisnikëria dhe krenaria ime, malli dhe dhimbja ime, ëndrra dhe amaneti i të vdekurve të mi….Ajo ka ardhur tek unë herë-herë e brishtë, e ndrojtur, lozonjare, me diellin dhe detin e saj të papërsëritshëm, ullinjtë, blegërimat e deleve, vrapimet e kuajve brigjeve të lumenjve mitikë Kalama dhe Aheron, qiellin fantastik që po të zgjasësh duart netëve mund të prekësh yjet, ose mund të flasësh me perënditë pellazge, herë-herë, ajo ka ardhur te unë me këngët dhe vallet e saj epike, mitologjinë dhe gluhën e saj të perëndisë. Herë-herë me sytë e përlotur, plagët në trup, ofshamat e të masakruarve nga tërbimi shovinist grek…..”

Çamërisë i kushtohen disa proza të shkurtëra dhe një udhëpërshkrim, të përfshira në vëllimin “Apokalips 6”, në pjesën e tretë. Ato janë: ”Shpirtërat thërras”, “Vallet e ngrira”,”Këngët”, “Guri dhe dega e ullirit” dhe “Sytë e Kosovës”.Proza të shkurtëra që rrokin vetëm 35 faqe, por çdo njëra syresh, është shkruar me aq bukuri (bukuri came), me dhimbjen e pafashitur, mallin zhuritës,dashurinë dhe brengën e bijve dhe bijave të saj, sa të duket se vargonjtë e fjalive mezi i mbajnë, duket sikur do shpërthejnë. Motivet e zgjedhura janë të veçanta, por edhe mënyra dhe gjetja artistike për rrëfimin e tyre është e veçantë, origjinale. Fund e krye, nga çdo fjalë e fjali, duket sikur kullon dhimbje, e cila buron nga zemra dhe derdhet në pellgun e brengës pa fashitje, për vendin e të parëve.



Një faqe është proza ”Shpirtrat thërras” Por ajo është një klithmë tragjike, e dhimbshme, për të rënët, martirët, luftëtarët. Është një natë virtuale shpirtrash, ku në sfondin e një melodie çame dhe dritën e qirinjve, autori në shtëpinë e tij në Tiranë, thërret të vdekurit e fisit të tij, të fisit të tij tragjik. Shtëpia bëhet dritë, ai i thërret me emër, dhe me sytë e mendjes sheh sesi ata mbërrijnë nga viset e lumenjve Kalama dhe Aheron. Vijnë burrat me trupat tërë plagë e gjak dhe gratë me shami të gjakosura e të lagura me lot. Janë të gjithë ata që ai i deshi aty, rrënjët dhe krenaria e tij.E si vallë mund të harrohen ata?

“Vallet e ngrira” është shkruar në formë të veçantë, në funksion të asaj që do të rrëfejë: si një tubim sonetesh në prozë, por me tingëllim poetik, secila me bukurinë, përmbajtjen dhe të veçantat e saj, që në pak rreshta, flet aq shumë. Ndërsa mendimi kalon nga njëra te tjetra, ato janë të mëvetësishme. Është si një reportazh që vjen copa-copa, ashtu siç vjen e keqja, lajmi i kobshëm për zezonën e mdarjes që i kanosej vendit. Për të rrëfyer etninë, banorët e qytezës, nuk rrokin pushkët, por që të rrëfejnë se kush janë, paraqesin kulturën dhe qytetarinë e tyre, veshin kostumet kombëtare. Valltari I famshëm Selman Taka, që ka ngrirë e është kallkanosur nga mesi e poshtë, për tiu përgjigjur thirrjes së dheut të të parëve, ngrihet dhe si Anteu mitik, gjen forcë te toka mëmë, te gjëmimi i saj që vjen së thelli si një muzikë epike dhe kërcen vallen e tij të famshme, për tu thënë të huajve:”U jam këtu. Këtu në dheun tënë. Mos vini sinore këtu, mos na e ndani shpirtin….” Por e keqja ngjau. Fshati kufitar u nda. Bajonetat ndanë zemrat. Banorët, për të komunikuar, gjetën telegrafin e erës, këngët. Si në legjendat dhe baladat e moçme. Me to përcilleshin në të dy anët lindjet, dasmat, vdekjet. Mund të ndash kufinjtë, tokat, por njerëzit, gjakun dhe zemrat si ndan dot.

Udhëpërshkrimet ne Çamëri dhe Kosovë, ndryshe nga karakteri përshkrimor që përdoret në këtë gjini, Enver Kushi i përdor për të paraqitur qëndrimin e vet ideo-emocional, botën e ndjenjave por edhe qëndrimin e vet, të hapur e pa mëdyshje. Udhëtimi për herë të parë në Çamëri e Kosovë i ngjan një ëndrre. Autorin e mbytin kujtimet, dhe si një mirazh edhe atje ku ka vetëm gërmadha, i shfaqen pamje të së shkuarës.. Ai pyet shtëpitë e rrënuara në vendlindjen e prindërve, Spatar të Çamërisë: “Ku janë varret e të parëve të mi? Përgjigjuni ju shtëpi të rrënuara, ku janë varret? Varret kërkoj….Të vdekurit e mi kërkoj. Mos mi fshihni ata, rrënjët e mia…Mos mi fshihni rrënjët! Në vend të përgjigjes ai sheh sesi në ditën plot diell të gushtit, mbi fshat qëndronte pezull një mjegull e hollë, malli përvëlues i atyre që e kishin lënë . Nga vendlindja e të parëve merr një gur, guri i ngroh dorën dhe një degë ulliri për të qetësuar shpirtin e tallazitur. Ikën, por koka i mbetet e kthyer pas.

Kur u kthye në Tiranë, gurin e vuri ne një kornizë dhe nëna e moçme e shkrimtarit, qëndron para atij guri, si para një ikone të shenjtë dhe flet me të si me një njeri të gjallë.

Udhëton natën për në Kosovë, fill pas luftës. Nëpër terrin e natës kërkon sytë e saj. Sytë e Kosovës dhe sytë e Çamërisë. Kosova dhe Çamëria patën të njëjtin fat historik. Kërkon sytë që deshën t’u merrnin, t’u merrnin dritën, lirinë dhe ti linin në errësirë, në skllavëri. Kosova u çlirua. Kosovës iu kthyen sytë. Atje në Kosovën e çliruar, autori heq një paralele midis dy krahinave, me zë ëmdrre pyet:”Ku janë sytë? Ku janë sytë e Çamërisë? Ajo ndodhet larg, qindra kilometra larg, e përkëdhelur nga erërat e buta të vjeshtës së dytë. Kthejani sytë asaj….Kthejani sytë motrës s ë vogël” Është një klithje patetike. Ndjehet dhimbja, ndjehet malli zhuritës, por edhe shpresa.

Çamëria është atje. Na prêt. Ne jemi bijtë e saj. Një ditë do të shkojmë!

39 views0 comments

Komentáře


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page