top of page

Ç'prishe, mor, t'u thaftë dora!



Mentor Serjani


Në fshatin tonë burrat mblidheshin në qëndër të fshatit, (mexhliz ose pjacë) siç e quanim me shaka e humor. Qendra e fshatit u bë kur u ndërtua shkolla, me tri hyrje, një nga jugu me shkallë, një nga lindja dhe një nga perendimi. Nga jugu ishte ndërtuar një mur i lartë dy metra, për te ardhur në nivel me themelet e xhamisë, ishin ndërtuar potone ulëse dhe mbështetëse, anës e rreth e rrotull, kurse në mes sheshi i shtruar me pllaka guri, (dërrasa), përfshirë edhe potonët. Në behar luheshin edhe lojëra me letra, domino, tricë dhe damë, por kur s'kishte burra të mëdhenj e të moshuar, luanin edhe fëmijët, lojërat e mësipërme, por edhe pesagurthi. Ishin dy mëne, një i bardhë dhe një i zi. Në këto mëne, përveç se hanim frutat e tyre, gjuanim edhe zogjë me llastika, pasi degët e tyre mbusheshin plot me zogj. Rreth e rrotull qëndrës kishte mëne, ullinj, xhamia dhe shkolla, simbole të mëndjes, paqes, besimit, tolerancës. Shkolla ishte simbol i diturisë. Pleqtë, në radhë të parë, por edhe të rinjtë, përveç bisedave që bënin, luanin edhe disa lojë me letra, si: kolcinë, xëng, adisabela, etj., por edhe lodrën <<e hasit>>, <<66-ën>>, <<99-ën>>, pesëqindëshin, derrin Maç, etj. Një mëngjes, një ditë qershori, e freskët, por edhe e ngrohtë, luanin kolcinë (apo spathitë) në xhami (ashtu i thoshnin edhe ndryshe qëndrës së fshatit) Xhafer Memi ose siç i thoshnim ndryshe; Babloku, Xhafer Ahmati, Mitat Kallulli dhe Faik Ahmati (shofer). Faiku luante ortak me Bablokun, kurse Xhaferi me Mitatin. Njërës palë nuk i vinte loja. Atëherë prishej dora, pritej në mes dhe hidheshin katër letra në shesh, ose i prishej dora e parë, por edhe pala kundërshtare kish të drejtë të hidhte një letër në shesh. I erdhi radha edhe Xhaferit (doracit). Xhafer Ahmati, kish humbur një dorë gjatë operacionit te Qershorit 1944, kur burrat e fshatit i morën gjermanët dhe i nxorrën në majë te malit të Lavanit për t'i pushkatuar. Këtu, Xhaferi humbi dorën në përpjekje me mitralierin gjerman. Xhaferi e prishi dorën duke hedhur katër letra nga poshtë. Këto letra qenë katër, tresh, dysh dhe AS, që te gjitha spathi, midis tyre edhe dyshi i mirë. Radhën për te marrë i pari e kishte po Xhaferi. Të gjithë u shokuan edhe më shumë kur Xhaferi i mori këto me dhjetën e mirë, në një dorë, mori pesë letra dhe të dyja të mirat, si dhe katër spathi.

-Ç'prishe, a t'u thaftë dora, ç'prishe! Ç'prishe, a t'u thafte dora, ç'prishe! Tu thaftë që në rrëze, t'u thaftë, ishalla,- bërtiste me zemërim Babloku. Por fjalët që shkaktuan të qeshura, qenë fjalët e Mitatit. Më shumë qeshte Faiku, me atë të qeshurën e tij karakteristike. Ja cilat qenë fjalët e Mitatit:

-Mos i thoni t'u thaftë dora, por thoni t'u thaftë <<puca>>, se ajo nuk i duhet më, se djemtë e vajzat i bëri, i rriti e i martoi. Prandaj nuk i duhet me ajo lloj vegle! Gazi arriti kulmin, loja u prish.

Xhaferi iku i ofenduar, por edhe duke qeshur me pahir. Kjo i mbeti Doracit dhe ndonjë me shaka i thosh:- Si u dive,qish vete nga PUCA!...

71 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page