top of page

Ç’JAM UNË E Ç‘JE TI…


Vangjush Saro


Ç’JAM UNË E Ç‘JE TI…


Poemth satirik


(Pothuaj 30 vjet nga botimi i parë)


Një jetë e tërë na shkoi kredhur në baltën tonë: “Ç’jam unë e ç’je ti!” Dhe përralla veç vazhdon...


Dhe përralla veç vazhdon, me sfida e gënjeshtra. Të parat i dreqosim... të dytat u bënë vreshta.


Të dytat u bënë vreshta. Pa to, nuk rrojmë dot. Ja, prapë na gostitën një lajm të rrallë sot.


Një lajm të rrallë sot, për mik edhe armik: Spiunëve më në fund, do t’ua plasim: “Ikë!”


Do t’ua plasim: “Ikë!” se mjaft kemi duruar. Me shokët komunistë, zullumi u teprua.


Zullumi u teprua se u zbuluan kartat… Na morën qeratenjtë, biznese dhe gjykata.


Biznese dhe gjykata, nderime dhe ofiqe. Por prit se do të shohëm, tani që bëmë ligjin.


Tani që bëmë ligjin, ia hodhëm kësaj pune. E zhdukmë komunizmën, i shuam gjithë spiunët.


I shuam gjithë spiunët, që prishnin punë, okej? Se prapë... ca do mbeten. Andej edhe këtej.


Andej edhe këtej, në Parlament a gjetkë. Po na e bënë borxh, i flakim prapë si leckë.


I flakim prapë

si leckë dhe ua heqim fronin, po nuk na thanë “Peqe!” Kështu ka qenë zakoni.


Kështu ka qenë zakoni: I mbanim ndënë sqetull. Po të na hapnin punë, u nxirrnim sy e vetull.


U nxirrnim sy e vetull, i quanim ‘të shitur’. Ndonjërit që pendohej, i jepnim prapë tituj.


I jepnim prapë tituj, se kjo është politika: Di ta vërtisësh, mirë. Nuk di, të raftë pika!


Nuk di, të raftë pika! E humbe, quhesh ‘ish’. Edhe po nuk ke qenë, spiun bëhesh sërish.


Spiun bëhesh sërish se dosjet ne i patëm. Të duam? Ja, e mbyllëm. S’të duam, prapë e hapëm.


S’të duam, prapë e hapëm dhe jetën krejt ta nxijmë. Zakonet komuniste kaq lehtë nuk i fshijmë.


Kaq lehtë nuk i fshijmë se shkon shpejt tranzicioni dhe s’ka më gjumë e pare nën hijen e rigonit.


Nën hijen e rigonit, një jetë e tërë kaloi. Të majtë e Të djathtë qejfin e bënë njëlloj.


Qejfin e bënë njëlloj, se duron

Shqipëria. Kush shtiret, përfiton. Ja kjo është historia.


Ja kjo është historia. E bëjmë si të duam. Të bardhën dhe të zezën, një fije e hollë i shquan.


Një fije e hollë i shquan të mirën dhe të keqen. Me këto mend’ që kemi, sërish mbetëm hendeqesh.


Sërish mbetëm hendeqesh, gjithnjë në baltën tonë: “Ç’jam unë e ç’je ti!” Dhe përralla veç vazhdon...

138 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page