top of page

ÇËSHTJ ÇAME


Pak dit më parë, më 14, Vjeshta e dytë, 2023, në sallën e Qendrës së kulturës “A. Moisiu” në qytetin e Kavajës, u përurua libri, “ODEON. ÇËSHTJ ÇAME. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit” Në takim morën pjesë shumë intelektualë të qytetit të Kavajës, përfaqësues të komunitetit Çam, njëkohësisht edhe të ftuar nga Durrësi, Lushnja dhe Tirana. Të gjithë ndoqën me interes këtë ligjëratë të bukur, ku çështja Çame, si problem mbarëkombëtar ishte në qendër të fjalës të diskutantëve: Të pranishmit që patën nderin të flasin ishin: Ertila Okshtuni, (Moderatore), Enver Kushi, Resmi Osmani, Shpendi Topollaj, Xhafer Xhihani, Zenel Qeveri, Nazmi Roli, Ramazan Hushi. Dhe në fund i nderuari Autori i librit, Prof. Dr. Selman Sheme. Edhe unë Kadri Tarelli, si pjesëtar i grupit të Durrësit, përshëndeta këtë kuvend me vlera. Në fjalën time të shkurtër, theksova: . Përshëndetje auditorit me intelektualë të nderuar të Kavajës! . Falënderim prof. Dr. Selman Sheme, që na bëri pjesë të këtij kuvendi për librin e tij më të fundit!

ÇËSHTJ ÇAME. Libër shkencor me përmasa kombëtare Një vit më parë, në pranverë të vitit 2022, në Durrës u përurua libri: “Vendbanimet në hapësirën historike Shqiptare të Çamërisë”. Me Autor Prof. dr. Selman Sheme, ku edhe unë pata nderin te flas, duke e quajtur librin: “TESTAMENT TRASHËGIMIE”, për botën shqiptare. Botuar në: Gazeta “Bota sot” në Dardani, Gazeta “Dielli” në SHBA, portali “Fjala e lire”, Londër dhe “Zemra shqiptare”, Zvicër. Ndërsa sot kam nderin të flas para jush, këtu në qytetin e Kavajës, për librin më të ri: Odeon. “Çështja Çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit”, të cilin e vlerësoj: ”Libër shkencor me përmasa kombëtare”. Analiza shkencore e librit i takon specialistëve dhe lexuesit të interesuar, ku veç kënaqësisë, mund të gjejë vetveten, duke vlerësuar mesazhet që përcillen në këto kohë të trazuara të botës në tërësi dhe botës Shqiptare në veçanti, ku natyrisht çështja çame vazhdon të mbetet problem i pa zgjidhur, duke u zvarritur pafundësisht nga politika jonë dhe e fqinjëve. Një çështje të cilës autori i kushton kapitujt: “Pengesat për ripërtritjen e njohshmërisë së identitetit “Çam”, “Çështja çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit”, në vazhdim edhe “Çështja çame nuk ka krahasim me asnjë çyshte tjetër”, etj.


Duke qenë njohës i fushës së shkencave histori-gjeografi, mendoj se është një ndërfutje e fuqishme mes dy shkencave, madje unë i mëshoj idesë, se të dhënat gjeografike, me aq bollëk sa janë, i shërbejnë më shumë historisë, që vetiu pickon apo shpon politikën, të shkuarën, dhe ca më shumë të tashmen, që të tundet e të shkundet nga rutina apo nga plogështia jonë, si dukuri të pafalshme, kur bëhet fjalë për çështje kombëtare. Çdo lexues, sado pak i vëmendshëm qoftë, do të dallojë thirrjen, madje më zë të lartë të autorit, që pa frikë ve gishtin mbi plagë, mbi qëndrimin disi të çuditshëm të politikës dhe politikanëve tanë, si para 90-tës, ashtu edhe në ditët e sotme. Të them të drejtën sikur janë gjuhë lidhur, apo me gjuhë të prerë, aq sa u thahet pështyma në gojë dhe belbëzojnë sikur në gojë kanë zhavorr lumi. Nuk e di ku fle e panjohura dhe pse duhet të tutemi, të heshtim për një të drejtën tonën? Politikanët tanë që ndërrohen vazhdimisht në këto 30 vite, sikur druhen nga frika se mos na zemërohen grekët dhe na bëjnë hatanë. Këtu pyetja: pse, pse, pse? Mbetet retorikë pa përgjigje, por që ka brenda shumë dhimbje. Unë e vlerësoj dhe e përshëndes qëndrimin e profesorit tonë, që guxon të thotë hapur mendimin e tij, në kërkesë të të drejtës njerëzore, kombëtare dhe politike, të çamëve dhe Çamërisë në tërësi, të drejta të njohura ndërkombëtarisht. Ai si njohës shumë i mirë i këtijn problemi, jep pa drojtje edhe udhët e zgjidhjes, që natyrisht nuk janë të lehta. Por qëndrimi i politikës dhe politikanëve tanë le shumë për të dëshiruar. Një pyetje që mbin në buzë të cilitdo nga ne, lexues apo dëgjues: Si është e mundur që qeveria Greke njeh minoritetin turk dhe maqedonas, ndërsa çështjen Çame as e ze në gojë, nuk e shtron për zgjidhje, nuk e pranon në asnjë bisedë qeveritarësh me shqiptarët, madje ca më keq, nuk heq “Ligjin e luftës”, mbetur si gjemb gorrice, që shpon sa herë e prek apo e shkel? Mendoj dhe dëshiroj, që ky libër duhet të zerë vend në tavolinën e punës të çdo mësuesi të historisë dhe gjeografisë, në çantën e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të shkencave shoqërore. Pjesë të tij të përfshihen edhe në programet mësimore në shkollat 9-vjeçare, ca më shumë në tekstet e shkollave të mesme. Njohja e kësaj çështjeje është domosdoshmëri atdhetarie, jo thjesht kulture historie. Ngul këmbë, si domosdoshmëri edhe për politikanët, diplomatët dhe deputetët, të cilët, nëse dinë të shkruajnë e të leçisin shqip, të mundin të lexojnë e dëgjojnë mesazhin e thënë qartë e prerë, duke kumbuar me zë të lartë: “Mësoni ç’kemi humbur, kur jemi të përçarë dhe të dimë ç’të kërkojmë kur jemi të bashkuar, për të përmbushur të drejtën dhe ëndrrën tonë kombëtare, të mohuar, të paharruar, por ende të pa zgjidhur. Dëshiroj të ve në dukje se ky libër, ka përmasat e një enciklopedie për Çamërinë dhe tokat që u prenë nga fuqitë e mëdha në vitin 1913, duke kënaqur lakminë shekullore të fqinjëve verior dhe jugor. Por historia e përgjakur e Çamërisë dhe gjenocidit Çam nuk mbyllet këtu, pasi gjatë viteve janë shumë përpjekje politike dhe ushtarake, për të larguar këtë popullsi autoktone. I gjithë studimi mbështetet mbi të dhëna shkencore të padiskutueshme dhe të patjetërsueshme.

Në vazhdim të këtij mendimi, dëshiroj që kuvende të tilla të ketë në mbarë trojet shqiptare. Është një ndër mënyrat më të mira për ta mbajtur ndezur zjarrin e atdhetarizmit. Ndjenja kombëtare nuk duhet lënë të venitet, as të fashitet. Urime profesor i nderuar! Nëpërmjet këtij libri zëri yt të dëgjohet në mbarë shqiptari, në trevat Arbnore dhe në mërgatën shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Ju jeni një shembull për të gjithë intelektualët tanë, sidomos gjeografët dhe historianët, që duhet me forcë ta thonë mendimin e tyre shkencor, në mbrojtje të çështjes sonë. Kur jemi shumë dhe te bashkuar zëri ynë do dëgjohet më fort, më larg dhe më fuqishëm. I nderuar Prof. Dhe Dr. Selman Sheme, historia na mëson se kombi u ngre monumente përjetësie jo vetëm “Heronjve” që falin gjakun për mëmëdhe, por edhe atyre që nuk kursehen të punojnë e të shkrihen për komb e atdhe. Faleminderit dhe mirënjohje, për vepra të tjera me po kaq vlera shkencoren e atdhetare. Suksese!

Kadri Tarelli Vjeshta e dytë 2023.



Shënim: Fotografitë u bënë dhe u punuan nga Muharrem Shqarri.




27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page