top of page

Emine Leka – gruaja e fisme dhe e shumëvirtytshme


(Homazh)

Para ca kohësh, në një ceremoni të përkryer, në Kamëz u kremtua 65-vjetori i krijimit të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Merrnin pjesë studentë dhe ish-studentë, pedagogë, përfaqësues të pushtetit qendror, delegatë nga vende të ndryshme të botës etj. Me këtë rast u ndanë mjaft çmime për të nderuar meritat e atyre që kanë dhënë ndihmesë të veçantë në themelimin e mbarëvajtjen në vite të këtij institucioni të njohur e të vlerësuar në Europë e më gjerë. Një nga këta kuadro është zonja Emine Leka. Emine ka pikërisht kuptimin "besnike". E tillë ka qenë për bashkëshortin, eruditin atdhetar e intelektual europian, Astrit Lekën, në ditë të mira e të këqija. Sidomos pas 8 marsit të vitit 1967, kur në Shqipëri, gjatë imitimit majmunërisht të revolucionit kulturor kinez të Mao Ce Dunit, të shoqin e shpallën "armik i popullit". Shkaku: nuk pranoi t’i nënshtrohej atij revolucioni komunist antinjerëzor, të importuar nga Azia "tragjike dhe e pafund". Emineja ndoqi shembullin e bashkëshortit, pra të mosnënshtrimit. Një intelektuale e vërtetë shqiptare, nga të rrallat të arsimuara me dy fakultete në atë kohë, Biologji-Kimi dhe Mjekësi Veterinare. Emineja, një nga dy gratë shqiptare mjeke veterinare të para të diplomuara në Shqipëri, u ndodh para një alternative shumë të zorshme. Fill pas cilësimit publik të burrit të saj si "armik i popullit", diktatura i kërkoi të divorcohej, një vendim shumë i lehtë për t’u marrë, po të mbështetej në të ashtuquajturin "moralin e ri", që diktatura ua kishte imponuar dhe zyrtarizuar jo vetëm komunistëve dhe funksionarëve të vet, por edhe gjithë kuadrove shkencore e mundësisht gjithë popullit hallemadh shqiptar. Që t’u shpëtonte përndjekjeve të të gjitha formave dhe për të ruajtur punën si kërkuese shkencore në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Emineja duhej të ndahej, pra, nga burri i damkosur si kundërshtar i regjimit në fuqi. Ishte fjala për një punë që e kishte fituar me mund e sakrifica, duke dalë e para ndër 23 burra të kursit të vet në fakultet. Këtë e dëshmon, ndër të tjera, karakteristika e nënshkruar nga drejtori i Institutit Bujqësor Mentor Përmeti dhe dekani i Fakultetit të Veterinarisë, Metush Luli: "Emine Xhaferr Leka ka dalë me rezultate shumë të mira... Në praktikat në prodhim ka punuar mirë. Është inteligjente, studioze dhe thellohet në lëndët". Ndërkaq, motivacioni i pushimit nga puna i bashkëshortit të Eminesë, ishte më i rëndi që mund të jepej në kohën e diktaturës: "Pushohet për veprimtari armiqësore". Në kësi rastesh, Kodi Penal parashihte një i dënim afatgjatë, me burg të rëndë që mund të shkonte deri dënim me vdekje. Vetë i shoqi, vjehrri dhe gjithë familja Leka, kërkuan nga Emineja ta ndante Astritin. Ata e kishin të qartë se sa rrufeshëm dhe pa pikë mëshire vepronin organet e dhunës në Shqipëri. E dinin mirë se çfarë e priste Astritin pas cilësimit si armik nga Komiteti i Partisë i Rrethit të Tiranës, me Manush Myftiun dhe Fadil Paçramin në krye. Familja donte ta shpëtonte nusen si edhe vajzën me moshë më pak se dy vjeçe, që kishte ardhur pas 14 vjet martese. Emrin Brikena vogëlushes ia kishte vënë miku i familjes, Prof. Eqrem Çabej. Emineja nuk pranoi kategorikisht të ndahej nga burri për bindjet e tij jokomuniste,aq më tepër, ngaqë ishte e bindur se bashkëshorti edukonte me atdhedashuri brezin e ri, duke i hapur horizonte me gjuhët perëndimore që ia mësonte, pas rusishtes. Një punë kjo që, në fund të fundit, edhe Marksi e vlerësonte kur thoshte: "Gjuha e huaj është një armë në luftën e jetës". Edhe Profeti Muhamet e kishte çmuar para tij, kur shkruante: "Ai që mëson gjuhët e popujve ( të huaja), ka për të shpëtuar nga çdo rrezik". Emineja ngulmonte në ruajtjen e moralit tradicional që kishte sjellë nga familja e vet, i njëjtë me atë që gjeti edhe tek familja e burrit të saj. Ky moral i lartë dhe human ishte shpërfillur e shkelur me këmbë nga regjimi i asaj kohe. Ishte fat për Astritin që në rastin e tij nuk u zbatua dënimi që Kodi Penal parashikonte për "armiqtë e popullit", çka do të kishte pasoja të rënda edhe për bashkëshorten e tij, Eminenë. Astritin e dërguan të punonte me kazmë “për t’u riedukuar nga klasa punëtore". Dhe ashtu u bë: Astriti nuk u lejua 24 vjet me radhë të merrej në punë intelektuale shtetërore, deri në ditën që doli jashtë Shqipërisë. Emineja nuk pranoi të ndahej nga burri, pa iu trembur syri nga të gjitha sakrificat që parashihte vendimi tragjik. Ajo rridhte nga një familje jo e kamur nga brezi i të atit, i cili e la jetime në moshën 2-vjeçare, me tre vëllezër e një motër, me nënën që lidhi jetën me ta, duke punuar si rrobaqepëse, por edhe e ndihmuar nga xhaxhai i fëmijëve që e ruajti deri sa vdiq solidaritetin tradicional vëllazëror. Edhe i ati, me të dy vëllezërit e vet ishin rritur jetimë, qyshse, me nxitjen e priftit të fshatit, babai i tyre u vra për aktin e vet prej shqiptari atdhetar: kishte dëshmuar para Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve të vitit 1913 se fshati i tyre ishte për Shqipërinë. Ramadan Demiri, gjyshi i Eminesë, para se të vdiste, u la amanét tre djemve të largoheshin përgjithmonë nga fshati në drejtim të Shqipërisë së gjymtuar, por të lirë. Kohët rodhën shpejt dhe amaneti i babait të Eminesë që fëmijët të njihnin një ditë Jabllanicën, pra vendin nga kishte ardhur për të bërë jetën e jabanxhiut në Elbasan, u bë realitet. Emineja arriti të njihte gjyshen, e cila, duke e çuar te varri i gjyshit, i tregoi edhe tokat në pronësi shekullore të tyre, që ua kishin përvetësuar njerëzit e priftit. Kaq mban mend Emineja 10-vjeçare nga vendlindja e babait të vet, të cilin nuk pati fatin ta njihte. Kontributi i Emine Lekës për çështjen e çlirimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, por edhe për njohjen e vlerave të kombit shqiptar në përgjithësi, është përshkruar saktë nga ish-ministri i qeverisë së Republikës së Kosovës, Xhaferr Shatri, në letrën që i ka dërguar Astrit Lekës më 3 gusht 2007: "Kam qenë disa herë në familjen tënde dhe gjithnjë jam ndier si në shtëpinë time. Ishte atmosfera e miqësisë fisnike që krijonte gruaja jote, Emineja. Sa herë e kam takuar, shikimi i saj rrezatonte një mirësi dhe njerëzillëk të pakufishëm. Jam krejt i sigurt se shumë gjëra që ke bërë në jetë nuk do të mund t’i bëje po të mos kishe krah teje njërën nga gratë më të nderuara shqiptare që kam njohur". Intelektualja Emine Leka ka pasur rol të rëndësishëm qysh në themelimin e SOLIDEST-it, si një shtyllë e familjes Leka, shtëpia e së cilës, de facto, ka luajtur rolin e ambasadës morale të kombit shqiptar në Gjenevën ndërkombëtare. Me përgatitjen e vet, jo të zakonshme për një grua shqiptare të brezit të saj, Emineja mori pjesë aktive dhe me dinjitet në pritjet e përcjelljet e rastit,madje herë-herë, edhe në bisedimet midis delegacioneve ndërkombëtare që ishin të interesuara për çështjen shqiptare. Tipik është rasti i kënaqësisë që ndieu ish-ministri i Jashtëm i SHBA, i famshmi Sajrus Vens, i ngarkuar i jashtëzakonshëm i Kombeve të Bashkuara në Bosnjë, kur njohu për herë të parë një intelektuale shqiptare të mirëfilltë në personin e Emine Lekës. Kjo ndodhi kur, në nëntor të vitit 1992, familja Leka u takua me kryediplomatin amerikan, me kërkesë të ministrit të Kosovës, Xhaferr Shatri. Në atë takim, Sajrus Vensi u shpreh me këto fjalë: "Hapni sytë ju shqiptarët e mos u futni në luftë kundër Serbisë në këtë kazan që po zien në Jugosllavi, se Millosheviçi atë pret për të filluar kasaphanën kundër shqiptarëve". Koha vërtetoi që ai kishte pasur të drejtë. Le të rikthehemi te rinia e Eminesë me vëllezër e motër të mbetur jetimë nga i ati. Nëna e saj punoi dhe vuri në jetë dëshirën e babait të fëmijëve dhe të sajën për edukimin e mirë, por edhe shkollimin e fëmijëve. Aq më tepër që në qytetin e tyre punonte prej dekadash "fabrika" e mësuesve të Shqipërisë, Shkolla Normale. Fillimi i luftës për çlirimin e atdheut i gjeti deridiku të vegjël, por edhe familja e tyre dha kontributin e saj modest në atë luftë atdhetare. Vendosja e pushtetit popullor, i cili u pa që ishte diktatorial, gjithsesi u hapi perspektiva fëmijëve jetimë të tejkalonin parashikimin e prindërve të tyre, që kishin si pikësynim maksimal t’i bënin fëmijët mësues me shkollë normale. Falë sjelljes së mirë, përparimit në mësime dhe me të ardhura tepër modeste, mjaft prej tyre arritën të fitojnë bursa studimi, universitare, brenda dhe jashtë shtetit. Emineja, studente në Fakultetin Biologji-Kimi në Tiranë u lidh me Astrit Lekën, pas një vlerësimi të ndërsjellë për të krijuar familje të shëndoshë. Astriti jepte provimet për të mbaruar fakultetin e dytë pa frekuentuar asnjë leksion, se i duhej të punonte gjithë ditën për të mbajtur vëllezër e motra nëpër shkolla. Kjo ndodhte në një kohë kur regjimi privilegjonte me bursa studentë që nuk arrinin të mbaronin as fakultetin që kishin nisur. Sa u hap lajmi i fejesës së Eminesë me Astrit Lekën, asaj iu pre bursa e studimit nga shteti, pa i dhënë asnjë shpjegim. Për Eminenë filloi lufta e klasave që nuk e kishte njohur fare deri atëhere në familjen e vet. Sipas moralit të kohës, ajo nuk duhej të lidhej me Astrit Lekën, i parë me sy të keq nga regjimi edhe pse kishte qenë partizan i orëve të para, nga më të guximshmit. Të nesërmen e hyrjes në familjen Leka, nusja Emine u bë dëshmitare e një vdekjeje tepër tragjike, të padëgjuar në Shqipëri dhe në Europë në atë kohë. Një vajzë trevjeçare e familjes atdhetare prej tetë vetësh të Qazim Sefës, nga Lushnja, i burgosur dhe Hamdi Sefës, i pushkatuar, që guxoi t’u thoshte atyre që po e ekzekutonin "Ju të poshtër!", të sapostrehuar nga familja Leka në Tiranë, vdes nga uria. Kjo diagnozë iu vu nga mjeku Dishnica. Çfarë kishte ndodhur? Gjyqi i popullit, në një rreth të Shqipërisë, ia dënoi të atin vogëlushes me burg të rëndë, ndërsa të ungjin me vdekje. Nënën e mbetur me 7 fëmijë të vegjël e nxorën nga shtëpia - pronë e tyre, pa të drejtë të merrte asgjë, veç rrobave të trupit, për ta strehuar në një gazhdare misri, ku çfarë frynte jashtë, hynte brenda. Më e keqja ishte se ua sekuestruan edhe të gjitha ushqimet e zahiret. Astriti, i ati dhe familjarët e tjerë, sigurisht edhe Emineja, në pamundësi t’u blinin me të shtrenjtë bukën tetë kushërinjve të dytë, vendosën dhe ndanë racionin e bukës së tyre me ta për aq kohë sa i shpëtuan nga vdekja që sapo e kishte rrëmbyer më të brishtën e tyre, vajzën trevjeçare. Veçse më e rëndësishmja për çiftin e sapomartuar ishte sfidimi i ligjit të ri të diktaturës që kishte pushkatuar pa i pyetur fare intelektualët e akuzuar atë vit për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike. Në vitin 1951, Emineja pati filluar punën si kimiste në Institutin Shkencor Bujqësor "Miçurin". Edhe pse vendi kishte nevojë për kuadro të larta, madje edhe pse punonte mirë dhe ia çmonin aftësitë, e hoqën që e hoqën nga puna, pa shpjegim. E caktuan kimiste në një kombinat tekstili për ngjyrosje, duke e paguar si punëtore. Shpërblimin që asaj i takonte me ligj, e merrte personi injorant që e kontrollonte se, si grua e Astritit, mos e sabotonte prodhimin! Erdhi momenti që e pushuan për shkak të biografisë "së keqe". Pra, as si punëtore e thjeshtë nuk mund të qëndronte më, në një kombinat të madh ("Stalin"), që kishte vende pune për mijëra vetë. U detyrua të largohej nga Tirana për të punuar në Durrës nën hijen e vëllait e të motrës, me mbiemrin e vajzërisë, duke përdorur diplomën e mësuesisë. Edhe kjo punë nuk mund të zgjaste shumë. Le të kthehemi edhe një herë tek Emineja. Në kushtet e ashpërsimit të luftës së klasave, e vetmja rrugë shpëtimi e mundshme për të, ishte përgatitja profesionale për të siguruar një vend pune të përshtatshëm. Për këtë qëllim, në vitin 1958 arriti të përfundonte studimet në Fakultetin e Veterinarisë, në të cilin gjashtë muaj më parë deri ishte regjistruar vetëm një vajzë, që nuk jeton më. Nga ana tjetër, deshën s’deshën, për rezultatet e shkëlqyera e emëruan pranë atij fakulteti. Aty Emineja themeloi laboratorin e diagnostikës klinike, domosdoshmëri për praktikat e studentëve, si dhe për analizat e ndryshme të kafshëve të sëmura, që silleshin për konfirmim diagnoze. Laboratori vlejti edhe për mbështetjen e jetësimin e shumë temave shkencore të katedrave të ndryshme. Në bashkëpunim me shefin e katedrës përkatëse, doktorin M. Dervishi, Emineja përgatiti një numër punimesh shkencore, që i referonin në Këshillin shkencor dhe i botonin në revistat e Institutit Bujqësor.

Në të njëjtën kohë, zbatoi metoda moderne në zootekni dhe ia doli mbanë ta rritte rosën pekineze brenda 70 ditëve, deri sa arriti peshën 1,8 kg. Rezultatet e shënuara u popullarizuan në radio, ndërsa një dokumentar u përgatit për të përhapur përvojën e fituar, i cili u shfaq në të gjitha kinematë e Republikës. Pasoi një sesion shkencor në Pallatin e Kulturës me pjesëmarrjen e mjekëve veterinerë të vendit dhe dy zëvendëskryeministrave, Abdyl Këllezi e Manush Myftiu. Referatin kryesor e mbajti Emineja, e cila dha drejtimet konkrete të përhapjes së përvojës së saj në ferma, në kooperativa bujqësore dhe në ndërmarrje grumbullimi. Specialistëve iu vu në dispozicion një material shkencor prej 180 faqesh, në formàt dispence, përgatitur nga Emineja, që shtjellonte mënyrat e mjetet e përdorura gjatë një periudhe katërvjeçare në rritjen e rosës pekineze. Recensionin për këtë punim serioz e bëri Prof. Vasfi Samimi dhe u vlerësua nga ministria përkatëse. Megjithatë, autoritetet nuk e vunë ujët në zjarr. Për më tepër, materiali aq i vlefshëm, jo vetëm nuk e pa dritën e botimit, por u zhduk pa nam e nishan. Edhe në sektorin e derrave, rezultatet e shënuara nga Emineja ishin të larta. Më 1970 Emine Leka u transferua në Frigoriferin e Tiranës, ku, për shkak mungese kuadri të specializuar, kishte pasur shkelje rregullash në depozitimin e ushqimeve, duke shkaktuar hera-herës helmime në çerdhe dhe kopshte. Aty punoi deri më 30 janar 1986, kur doli në pension.

Qysh në bankat e shkollës e në vazhdimësi, Emineja kishte shpalosur pandërprerje aftësi dhe virtyte. Është rasti të përmendim një paradoks të atij regjimi lidhur me trajtimin që u bënte kuadrove të veta edhe brenda një familjeje. Njëri prej tyre, Mustafa Demiri, vëllai i madh i Eminesë, pasi kishte studiuar me bursë jashtë shtetit për shkenca biologjike, arriti të bëhej profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, madje themeloi Kopshtin Botanik të Shqipërisë. Një nga veprat më të rëndësishme të tij është Flora ekskursioniste e Shqipërisë. Atij i janë akorduar dekorata nderi, Çmimi i Republikës për veprimtari të shquar shkencore dhe titulli "Qytetar Nderi" i Elbasanit. Vëllai tjetër i Eminesë, Shefqet Demiri, pasi studioi për biologji-gjeografi, pati rezultate të larta në fushën e arsimit dhe u nderua me dekorata. Gjithashtu, mban titullin "Qytetar Nderi" i Shijakut. Vëllai i mesëm, Ahmeti, që ndoqi profesionin e nënës, pra rrobaqepës, gëzoi respektin e të gjithë qytetarëve dhe iu akorduan medalje të ndryshme. Motra e Eminesë, Banu Demiri-Sevrani, pasi studioi për biologji-kimi, punoi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në filialin e Durrësit, dhe u vlerësua me dekorata. Interesant dhe mbresëlënës është fakti që Emineja nuk i ndan për asnjë çast librat nga dora. Lexon me etje dhe përvetëson me themel, jo vetëm idetë e mesazhet e veprave letrare - artistike, në shqip e në frëngjisht, por edhe të traktateve të mirëfillta shkencore në lëmin e mjekësisë, duke qenë në një hap me përparimet që bëhen në këtë fushë. Nga ky këndvështrim ajo mund të jetë e dobishme me këshillat që mund t’i japë kujtdo që ka probleme me shëndetin. "Më mirë vonë se kurrë!", na mëson populli. Kjo fjalë e urtë i shkon fort mirë për shtat Eminesë. U desh të vinte demokracia, madje të kalonin edhe dy dekada të tjera, që t`i njiheshin meritat për veprimtarinë cilësore, didaktike e shkencore, që ka zhvilluar me aftësi e ndershmëri në atdhe. Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, me vendimin nr. 34 të datës 2 dhjetor 2010, i akordoi diplomën "Mirënjohje e Fakultetit" me motivacion: "Për kontributin e shquar në ndihmë të formimit të brezave të studentëve veterinerë dhe punës së palodhur kërkimore-shkencore në funksion të zhvillimit të bujqësisë". Këtij vlerësimi të lartë iu bashkua, në ditën e 80-vjetorit të lindjes së Eminesë, mesazhi i ngrohtë i Këshillit Administrativ të qytetit të Gjenevës, me "urimet më të çiltra" për të dhe për të gjithë njerëzit e dashur të saj, që pati jehonë të fuqishme dhe të merituar në masmedian zvicerane. Me të shkuar në Gjenevë, në fillimvitet ’90 të shkeullit të kaluar, çifti Astrit dhe Emine Leka menduan menjëherë që shtëpinë ta shndërronin në një vatër të traditave shqiptare të mikpritjes e të ndihmës për bashkatdhetarët në nevojë, si dhe për t’u qarë çdo hall, për zgjidhjen e të cilit do të përpiqeshin bashkë me ta. Këtu përfshihet edhe mjekimi i të sëmurëve që mund të vinin nga Shqipëria, ku, siç dihet, në atë periudhë trazirash të njëpasnjëshme, nuk mund të bëhej fjalë për një shërbim shëndetësor të mirëfilltë që t’u përgjigjej kërkesave të shumta e të shumëllojshme të banorëve të fshatit e të qytetit. "Natyrisht, thotë Emineja, ne nuk kishim mundësi financiare të blinim pajisje mjekësore, barna e mjete të tjera, por ia dolëm mbanë që, në jo pak raste, t’u jepnim ndihmën e parë, të shpejtë me aq sa mundnim. Kështu mund të përmendim rastin e një mësuesi në Shkodër që u qëllua me thikë teksa u dilte në mbrojtje nxënësve të vet nga sulmi i keqbërësve. Për shtrimin e tij në spital na kërkonin mëse një mijë franga zvicerane nata, pa mjekimet e shërbimet mjekësore etj. Ne nuk kishim krijuar një fondacion që të mund të kishte burime të ardhurash. Ne kishim krijuar shoqatën SOLIDEST, me vlera morale e autoritet shkencor, por pa burime fincanciare. Te ne të gjithë anëtarët punojnë falas". Në rrethana të tilla, falë zemërgjerësisë së çiftit Astrit dhe Emine Leka, mësuesit iu rezervua në shtëpinë e tyre një kujdes vëllazëror, - fjala e ëmbël shëron po aq sa dhe barnat. Pas dyzet ditësh, Lekajt, që, në këtë aspekt të kujtojnë mjekët e tri kontinenteve, protagonistë të romanit me të njëjtin emër të shkrimtarit Ted Allan, bënë që mësuesi të ndihej si jo më mirë. Në prag të kthimit në atdhe me rrugë tokësore, krahas shlyerjes nga familja Leka të faturave të shpenzimeve dhe të institucioneve mjekësore, si dhe për biletën e udhëtimit, e mbushën mësuesin me dhurata të ndryshme për familjarët e të afërmit e vet, në radhë të parë me artikuj veshmbathjeje. Shëmbujt në këtë drejtim janë të shumtë dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Po përmendim vetëm dy. Një i sëmurë nga sytë, i ardhur nga një fshat i Veriut, për të cilin Lekajt dëgjonin për herë të parë, qëndroi në shtëpinë e tyre një muaj, - me të ngrënë e me të pirë, siç thotë populli, - u mjekua me sukses dhe u largua me përshtypjet më të mira. Një grua, e rrethit familjar të Lekajve, e cila në trazirat e vitit 1997 humbi djalin e vetëm njëzetvjeçar, vuante nga kanceri. Sërish sivëllai dhe simotra e Nënë Terezës, Astriti dhe Emineja, i hapën dyert e zemrat. Pacientja qëndroi për mëse gjashtë vjet rresht, mesatarisht dy herë nga një muaj në vit në gji të familjes Leka. Është e tepërt, besoj, të shpjegoj çfarë ndiente ajo grua kur kujtonte se, - pavarësisht se shpenzimet për barna e vizita mjekësore e gjëra të tjera i përballonte vetë, - në sajë të kujdesit e shpirtmadhësisë së Lekajve, iu zgjat jeta për shumë vjet,sepse mjekohej në Zvicër.

Tani edhe diçka e freskët, në të cilën jam dëshmitar vetë. Gjatë një jave që ndenja në shtëpinë e Lekajve, i rrethuar nga një bujari e mirësi proverbiale, përveç miqve të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, që vinin për një kafe e për të shkëmbyer dy fjalë, dëshmi të respektit të ndërsjellë, pata rastin të njoh një mesogrua abisinase, në fytyrën e së cilës lexohej lehtësimi që ndiente në atë mjedis, tanimë familjar për të. Kishte kaluar e vazhdonte të kalonte nëpër halle jo të vogla, në radhë të parë materiale e financiare, pas shkurtimit si punonjëse në OKB-në e Gjenevës. Lekajt, me të ardhurat modeste që kishin, nuk ishin në gjendje t’ia zgjidhnin hallet përveçse pjesërisht dhe herë pas here, siç ka ndodhur me shlyerjen e qirasë së banesës së saj për një periudhë dymujore për të mos u nxjerrë në rrugë të madhe sipas ligjeve në fuqi. Por kur iu keqësua gjendja se nuk donte të kthehej në Etiopi, ku e priste vetëm mjerimi, Lekajt i lidhën për një kohë mbi njëvjeçare njëfarë "pensioni" që i siguronte racionin e bukës së përditshme dhe qumështin. Sa për fjalët e ngrohta, inkurajuese, nuk ia kanë kursyer asnjëherë. Kjo është arsyeja që ajo ua dëgjon me respekt e vëmendje këshillat prindërore, sepse e ka kuptuar me kohë që janë vetëm e vetëm për të mirën e saj. Mjaft të përmendim se, falë kësaj përkrahjeje të fuqishme, të gjithanshme, të paprerë dhe pa interes, abisinasja gjeti forcë të duronte dhe në këto momente është duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, pa qenë e detyruar të kthehet në vendin nga ka ardhur. Përveç "hallexhinjve" me shëndetin, janë të shumtë edhe ata që, mund të thuhet se kanë pasur halle koke. Këtu është fjala për refugjatë "pa plangë e pa shtëpi", të cilët, derisa i zgjidhën në një farë mënyre problemet që i shqetësonin, jo vetëm që gjetën strehë në familjen Leka, por i qanë hallet dhe u ndihmuan fuqimisht prej saj. Një nga këta është Skënder Maliqi, që e njoha krejt rastësisht para stacionit hekurudhor të Gjenevës. Sapo ia zunë sytë Astritin, që ishte në të djathtën time, na bëri zë për një kafe, të cilën e pimë bashkë me të e me të shoqen shqiptare, Rudinën. Gjatë bisedës së ngrohtë, të dy të rinjtë theksuan se ka shumë që i dalin për zot shpjegimit të historisë së kombit tonë, por vetëm Astrit Leka është në gjendje të të krijojë bindje të qëndrueshme. Të njëjtat vlerësime më zuri veshi nga shumë shqiptarë, që vijnë tek Lekajt si në shtëpinë e tyre, si mjekja kardiokirurge Tefta Pema dhe e bija, Rudina, punonjëse me përgjegjësi të lartë pranë Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq; pronari i restaurantit luksoz "Grappe d’or" e shumë e shumë të tjerë. Në Zvicër, Emine Leka çmon lirinë. "Këtu ndjehet që nuk ka pasur kurrë diktaturë, që fjala është e lirë". Edhe me jetën në lagje është e kënaqur. "Jam e lumtur, - vë në dukje Emineja, - njerëzit janë të sjellshëm dhe përfitoj nga liqeni... Këtu është diçka e zakonshme të ndodhesh pranë stacioneve të autobuzëve e të trenit, sidhe të kesh afër farmacinë, postën e shkollën e nipërve e të mbesave. Mund t’i bëj të gjitha më këmbë dhe të jem e pavarur". Këto thënie ia ka "vjelë" nga goja publicistja zvicerane Sofi Aigenmann, për gazetën "Le nouvelles, Pâquis Saint Gérvais", të 13 tetorit 2010. Në artikullin Viti i jubileve, të shoqëruar me një fotografi me diçiturën: "Emine dhe Astrit Leka jetojnë një pension aktiv në Paki", gazetarja thekson: "... Astrit dhe Emine Leka kremtojnë më 2010 jubile të rëndësishëm: 65 - vjetorin e fitores së Aleatëve kundër nazifashizmit, 60 - vjetorin e martesës dhe 20-vjetorin e banimit në lagjen Pâquis (Paki), në rrugën Prieuré (Priëre). Në moshën 85 dhe 80 vjeçare, prindër e gjyshër, jetojnë të qetë në lagjen me të cilën janë lidhur shpirtërisht. Një qetësi kjo që Astrit dhe Emine Leka e meritojnë plotësisht", shkruan gazetarja zvicerane. Dulcis in fundo!

33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page