ERËRAT E STINËVE…

Iliriana Sulkuqi

ERËRAT E STINËVE…

“LUK”- u i MASKAVE

(O varri im, ku je?
 
E vetmja prehje
 
pa dhimbje që dhemb
 
brenda strehës se vet…)

1.
 
Çehov,

“Vallëzova” me ty
 
në “ballot me maska”,
 
ku dashuria fshihej drithëruar
 
dhe valsi dehej i lumtur…

Çehov,
 
sot,
 
të gjitha dashuritë
 
tremben nga maska Halluin-i,
 
sapo bie nata e turbullt…
 

 
Falmë,
 
nëse nuk të gjej dot…!
 

 
U takofshim në qiellin tonë…

2.
 
Pickatorja…( Piskatorja)

Asnjëherë nuk të përdora për vetullat,
 
por gjithënetëve
 
mes dy gishtrinjve të mpirë
 
më duhet të të shtrëngoj…
 
Ca gjemba,
 
në të vrapuar të ditëve,
 
kur shpirtin ma shpojnë -
 
vetëm ti,
 
m’i shkul me gjithë rrënjë…

3. E shkuar pa…

Ta rrëmbeva mendimin
 
ende pa zbritur
 
në përplasjen e fjalëve
 
midis buzëve
 
ku formëzohen pikëpyetjet
 
si kërrabëza akulli…
 

 
E shkuar-
 
pa të tashme, pa të ardhme…

PËRNGJASJE…

(Faleminderit Zoti im
 
për kopështin zoologjik,
 
ku ne, vdektarët
 
shihemi si në pasqyrë…)
 
1.
 
Majmun,
 
ah, sikur të isha vërtetë si ti,
 
degë më degë të kësaj bote të përgjumur
 
do të thërrisja: qënkeni bërë si unë…

2.
 
Gamile(Devè),
 
Sa më ngjaka me ty, moj e mjerë,
 
Vendi im.
 
Mbi shpinë i mbetën mbretër,
 
diktatorë, miliarderë…

Mos u trashëgoftë thatësira ku ti shkel,
 
ASNJËHERË…

3.
 
Papagall,
 
Pse bëhesh gjysma ime brenda meje,
 
pa lejen time, më përflet me zë të lartë…?
 
Jashtë, nga vetja ime përballë meje, jashtë…
 
Me statusin e heshtjes më pret një varr.

Iliriana- sot e përgjithmonë,
 
Brooklyn,NY,10janar 2019

#Iliriana #Sulkuqi

    110
    1