Vjedh Kohën ose hije e Sirakuzës

Nga Petraq Risto

Qëllon çdo ditë vjedh kohën sepse dhe koha ka xhepa
 
në xhepin e majtë vjedh lindjen me pasthirrmat e grunjërave
 
në xhepin tjetër vjedh lotin në fytyrë gruaje
 
në xhepin e djathtë vjedh perëndimin: karafil në vesh galaktike
 
vjedh kohën çdo ditë. Miqtë më shohin tek nxitoj

Më falni: vjedh kohën pa e ditur se Koha do më gjykoj.

Nga xhepi i këmishës së kaltër vjedh maskën e zezë
 
Nga xhepi i xhaketës vjedh tulipanët e Amsterdamit
 
pa e ditur se janë klonuar me heroinën afgane.
 
(Heroina: një kokë e prerë mbreti ku rastësisht kanë harruar kurorën).
 
Kur u rrethua Sirakuza s’ kish ç’ të bënte leva e Arkimedit po kish të bënte busulla.

Më falni: vjedh kohën pa e ditur se Koha do më gjykoj.

Vaji i bulkthit më shoqëron mendimet, vaji i bulkthit shuan etjen e trishtimit
 
Si një fëmijë marrok bëj vizatime në shtresën e hollë të hirit.
 
Nuk e di sa kujtime janë djegur, sa letra, memuare, s’e di
 
Ti më vjen porsi drita e yjeve tashmë kur dhe unë jam hi.

Më falni: vjedh kohën pa e ditur se Koha do më gjykoj.

(Heroina: një kokë e prerë mbreti ku rastësisht kanë harruar kurorën).

Hëna tërë njolla: lëkurë leprozësh u coptua dhe iu ngjit gjithkujt te thonjtë.
 
thonj hëne që çjerrin fytyrat me damkë. Janë shtuar leprozët në kamp.

Këshilla për mbrojtjen nga lepra:
 
Blatoni ushqime në altar: një qingj, një turtull, një pëllumb
 
digjni mëkatin nëpër flakë: ne jemi pak, leprozët - shumë
 
për të larë mëkatet s’ mjaftoka një zjarr, s’ mjaftoka një lumë.
 
Spërkateni shtëpinë shtatë herë me ujë të rrjedhshëm
 
dhe me gjakun e zogut të therur
 
pastrojeni me dru kedri dhe një zog të gjallë lëreni të lirë
 
të shpall lajmin për qytetin: të pastër, të pastër!

Ky qytet pa flatra me pak qiell mbi kryet e lodhur
 
me pak oksigjen e pak shpresë kundërshton të vdesë.
 
Pastrojeni me dru kedri dhe një zog të gjallë lëreni të lirë: të pastër, të pastër!
 
Kur u rrethua Sirakuza s’kish ç’të bënte leva e Arkimedit po kish të bënte busulla.

Vjedh Kohën... Arratisem pa pasur kufij,
 
pa pasur hapa të shpejtë dhe dihatje qensh
 
Arratisem thjesht me shpejtësinë e mendimit dhe gjatë arratisjes të kujtoj...
 
Si ike kështu dashuria ime: me lehtësinë e gjethes kur udhëton drejt rrënjës.
 
Dikur më thoshe: hijet kanë shpirt, kur njeriu vdes hija zhduket si shpirti
 
Kambana gjuhëjashtë: dem nën qiell korriku,
 
(bari i hijeve nën kullotjen e kambanës)

Boshllëkun e mbushim me kujtimet e orës që iku. Vjedh Kohën.
 
Dang - dang - dang e kambana digjet nga fërkimi me muzgun...
 
Dikur më thoshe: hijet kanë shpirt, kur njeriu vdes hija zhduket si shpirti
 
Ma gjej, ma gjej hijen e Kohës që vdes
 
në rrugën e shkurtër
 
nga rrahjet e zemrës te rrahja e kambanës

Ky qytet pa flatra me pak qiell mbi kryet e lodhur dhe me kohën pa busull
 
Ky qytet: hije e Sirakuzës.

Janar, 2009

    141
    2