SHKRIMTARËT...

MIQTË E MI TË VJETËR DHE TË PAHARRUAR...

( SHKRIMTARET QE PATA NJOHUR...)

NGA KRISTO ZHARKALLIU

Kur isha shumë i ri dhe sapo kisha filluar të lexoja-kur shkoja në shkollën fillore në Çiflik të Konispolit,nuk mund ta mirrja me mënd se si mund të shkruhej një libër, madje dhe ato që lexoja ne librat e shkollës nuk besoja se ishin njerëz të zakonëshëm madje se ishin akoma në jetë. Megjithatë kisha etje për të mësuar dhe lexoja gjithçka më binte në dorë, kryesisht poezi dhe vjersha që botoheshin aso kohe ne librat e shkollës-për libra të tjera as që bëhet fjalë.Kësisoj u dashurova pas poezive të Çajupit-ishte dhe mbetet poeti më i dashur për mua- dhe domosdo me poezitë e të madhit Naim Frashërit. Këto i lexoja, i mësoja përmenç dhe i recitoja kurdo e kudo- veçse e dija se që të dy këta kishin vdekur prej kohe...Kështu më kishte lindur ideja se shkrimtar i gjallë nuk mund të kishte...dhe se nuk do të kisha rast kurrë të takohem me një poet ose shkrimtar të gjallë. Më vonë-domethënë dy tre vjet më vonë që mua atëhere më dukej kohë tepër e gjatë,-kur u internuam në Myzeqe-fatmirisht familja jonë e përgjysmuar u gjënd në Patosin e vjetër (aso kohe ndërtohej Patosi i Ri, por unë nuk shkoja kaq larg,sillesha përreth puseve të naftës me disa dele të dajallarëve të mi të cilët më keqtrajtonin sepse isha ‘’bari i keq’’ përderisa vazhdimisht mbaja ndonjë letër-gazetë a libër akoma dhe ndonjë fletë e grrisur në dorë... ‘’Kush ka parë hair nga letrat?’’ më bërtiste i shkreti dajo Nikollaq. ‘’Ti nuk ke mëndjen te delet por tek letrat për budallenjtë...’’ Në njëfarë mënyrë kishte dhe ai të drejtë...Bari ishte lindur, bari do të vdiste pothuajse analfabet!..Veçse në Patos kishte punëtorë dhe inxhinierë të huaj-sovietikë dhe rumunë (Madje një rumun që më deshi shumë më mësoi dhe një këngë rumune: ‘’Llungë llungë jarba verdi...!’’ që më kujtohet si sot. Rusët më jipnin biskota dhe marmelladë-për herë të parë e provoja. Atje u ndodha dhe në ceremoninë e vdekjes së Stalinit (1953) ku në Patos kishte ardhur i deleguar...gjeneral Shefqet Peçi! (Edhe gjeneral për herë të parë shikoja...)

E rëndësishme për jetën time ishte se u njoha për herë të parë me librin bashkëkohor. Bleva me ato pak kursime librin ‘’Ata nuk ishin vetëm’’ të Sterjo Spasse i cili do të bëhej shkrimtari më i preferuar për mua në vitet ardhëshme. Rëndësi kishte se u njoha për ekzistencën e letërsisë dhe se shkrimtarët- shumë prej tyre ishin akoma gjallë ndonse për mua kishin përmasa imagjinare që nuk mund t’i kapja. Sidoqoftë Patosi ishte për mua shkalla e parë për të njohur kulturën dhe letërsinë shqiptare madje atje u njoha dhe me kinemanë ku shkoja për herë të parë...Nuk më harrohet dhe parrulla e shkruar në muret e një ofiçinë të Patosit të Ri: ‘’Neve paqen nuk e lypim por u a imponojmë nxitësve të luftës!’’’

Pastaj...u internuam në fermën e Levanit. Në Shtyllas! Mund të them se këtu ishte më mirë madje Beshir Nikolla na detyroi të vazhdonim dhe shkollën e natës..Por kjo është një histori tjetër e gjatë-dhe e hidhur- dhe nuk ja vlen të rikujtojmë ato vite të trishte.. Veçse atje në fermën e Levanit m’u dha rasti të njihem me një ‘’shkrimtar’’ të vërtetë ndonse unë aso kohe nuk e dija. Ishte dhe ai i internuar në fermën ‘’Çlirimi’’ të Fierit.Fjala është për Sejfulla Malëshova.. Po, po! M’u dha rasti të kaloj njizetekatër orë me të (Atehere nuk e dija se ishte poet dhe mire!)...por kam folur herë tjetër per takimin me Sejfulla Maleshoven...

Pastaj shkuam në Voskopojë- në vitin 1956 u bë njëfarë liberalizimi dhe ne mundëm të largoheshim nga Shtyllasi për në vëndbanimin e të parëve tanë, Voskopojën. Edhe atje na priste një realitet i zymtë, nuk kishim kurrfarë të adhurash dhe,megjithse bashkëfshatarët tanë na përqafuan, nuk kishin se si të na ndihmonin përderisa nga prapa na vinte “beografia e keqe‘’ndëshkimi’’ brutal si...’’armiq të popullit’’. U detyruam të bëjmë gjithfarë punë-ishim dhe shumë të rinj- që të nxirrnim bukën e gojës. (racion nuk na jipnin se ne ishim...armiq!) Sidoqoftë Voskopoja kishte kulturë dhe njerëz të kulturuar. Megjithatë as atje gjeta ndonjë shkrimtar të...gjallë! Më ndihmuan shumë dy njerëz shumë të dashur për mua- Katerina (Athina) Baba, arsimtare dhe Dhori Falo, profesori im i dashur dhe shkrimtari i...ardhëshëm! Madje më nxitën të shkruaja mendimet dhe shqetsimet e mia, sidomos Dhori Falo i lexonte dhe më inkurajonte si bënte dhe me hartimet e mia në shkollën e mesme (të natës) ku shkoja duke kapërxyer gjashtë...klasa!!! Megjithatë sa jetova ne Shqipëri shkrimtar të gjallë nuk munda të takoj!!!

NË MËRGIM DHE SHKRIMTARËT E PARË QË TAKOVA..

Në Athinë ku u gjenda detyrimisht, pa e kuptuar zbulova se kisha shumë shkrimtarë përreth meje disa prej tyre do të beheshim miq. Njeriu i parë që m’u afrua dhe më ‘’përqafoi’’ishte qiprioti i shquar dhe i pa harruar Aristotelis Tamasoklis i cili ishte gjuhëtar (ishte njohur me Eqrem Çabej në Austri) dhe mësimdhëns të anglishtes dhe gjermanishtes në pallatin mbretëror të asaj kohe! Madje kishte botuar disa libra gjuhësore- një metodë për mësimin e gjuhës gjermane që përdorej akoma dhe në Gjermani duke përdorur etimologjinë në fjalorin e tij të famëshëm. Me beri pershtypje se keta shkrimtare ndonse ishin te njohur dhe librat e tyre shiteshin ne treg,nuk ishin te pasur por benin nje jete modeste madje dhe me veshtiresi ekonomike. Por problemi im ishte gjuha. Nuk dija gjuhën e vendit dhe me vështirësi komunikoja me njerëzit por ajo që më mungonte më shumë ishte leximi.Nuk mnd të jetoja pa lexuar libra! Shpëtimtari im ishte Profesori im Tamasoklis që vendosi të me mësonte gjuhën e vendit dhe anglishten. Pa asnjë shpërblim! Ndërkohë me njihte dhe me shkrimtarë të tjerë grekë: Manolis Skuludis nga Kreta ishte një shkrimtar i njohur të asaj kohe dhe më fali miqësinë e tij të tejçmuar! Mes tij u njoha me regjizorin e famëshëm Karl Kun, shkrimtarin Ludemis dhe më vonë do të njihja Jani Riçon, Jorgo Seferin e shumë të tjerë-pa përmendur këtu aktorët e famëshëm të asaj kohe si Merlina Merkuri, Eli Lambeti e shumë shumë të tjerë...sidomos ata që kishin prejardhje arvanitase... (Kostës Asimakopullos i përktheva shqip një pjesë teatrale, për të cilën u mashtrua nga një ish ministër i kulturës të Shqipërisë, gjë që do të më sillte papritur në një polemikë me Prenç Zogaj. Keqkuptim? E paqartë...)

SHKRIMTARËT SHQIPTARË DO T’I NJIHJA MË VONË sidomos pas shëmbjes së diktaturëe, ndonse emri im nuk ishte krejt i panjohur në Atdhe, dhe në kohën e diktaturës, si do të mësoja nga shkrimtari Foto Malo dhe nga dy letra të çuditëshme që më erdhën nga Shqipëria:njëra nga akademiku i shquar Aleks Buda dhe tjetra nga vjehrri i Ismail Kadare të cilët më kërkonin një shërbim ‘’të vogël’’ Kjo kishte arsyet e veta.Sapo mësova gjuhën nisa të mirrem me botimet e rralla shqiptare që mbërrinin në Athinë. Në çdo përkthim të letërsisë ose publicistikës shqiptare, botuesit grekë kërkonin ndihmën time. Aso kohe përkthimet bëheshin nga botimet franceze,sidomos të veprave të Kadaresë, por kishin vështirësi në paraqitjen e emrave shqiptare dhe këtu kërkohej ngahera ndihma e ime madje shtëpia botuese Poria e Niko Kuçaftis që botonte librat shqip në greqisht ngahera kërkonte ndihmën time të cilën e jipja gjithnje pa asnjë shpërblim. Madje një shkrim të Kadaresë i botuar në ‘’Drita’’ që bënte fjalë për Eposin e kreshnikëve, e përktheva dhe u botua e gjitha në një revistë greke-pa përdorur askurrë emrin tim.Dikur kishte ardhur Kadare që të paraqiste librin e tij (më duket Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’) dhe kur Kuçaftis i popozoi të takohej me mua ai refuzoi kategorikisht. Do ta takoja më vonë (pas shëmbjes) dhe ndërruam disa fjalë.Madje më e ftohtë ishte Helena..e cila bëri sikur nuk kuptoi kur e pyeta për të atin..

-- DRITËRO AGOLLI, MOIKOM ZEQO, ALFRED UÇI, VIRION GRAÇI, FOTO MALO (E SHUMË TË TJERË)—

Nuk ka dyshim se nga të gjithë shkrimtarët shqiptarë,përshtypje më të thellë dhe që nuk do t’i harroj kurrë ishin DRITËRO AGOLLI dhe MOIKOM ZEQO-që do t’i kujtoj ngahera me dashuri dhe mirënjohje. Këta të dy që nuk janë më në jetë m’u afruan dhe kërkuan miqësinë time. Për takimin tim të parë me ta në Omonjë të Athinës kam shkruar dhe herë tjetër madje për Dritëronë kam shkrojtur mjaft gjëra prandaj këtu do të flas pak më shumë për të mrekullueshmin Moikm Zeqo. Njohja u bë së bashku- Moikomi ‘’shoqëronte’’Dritëronë në Athinë të ftuar nga një shoqatë kulturore shqiptaro greke. Miqësia jonë do të forcohej dhe do të vazhdonte vite të tëra. Me Dritëro Agollin do të bashkëpunoja për përkthimin e dy librave të tij në gjuhën greke: romani ‘’ARKA E DJALLIT’’ që sapo ishte shkruar dhe ma solli nga Tirana nga ku sapo ishte kthyer gazetari i mirënjhur Abdurahim Ashiku me porosi të Dritëroit që ta përktheja greqisht sipas një marrëveshje që kishte bërë me shtëpinë botuese ‘’PATAKI’’ në Athinë. E mora përsipër këtë punë pa asnjë shpërblim dhe ishte një punë e lodhëshme se libri ishte mjaft i madh, rreth 500 faqe (Mjerisht nuk u botua kurrë me pretekst se aso kohe libri shqip nuk shitej në Greqi sepse kishte shpërthyer histeria raciste antishqiptare në Greqi pas shpërthimit të lumit të emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë) Sidoqoftë mua më lajmëruan se kisha bërë një punë të përsosur dhe më luteshin të përktheja një libër me tregime të autorit,kësaj radhe me një shpërblim simbolik. Libri u botua dhe qarkulloi me titullin ‘’Një grek i vogël në shtëpinë tonë’’. Sipas të thënave të Dritëroit ishte bërë një punë e mirë. Rëndësi ka se miqësia jonë u forcua dhe sa herë shkoja në Tiranë- aso kohe shkoja shpesh- i shkoja në shtëpi i shoqëruar nga Moikomi ose nga Irakli Koçollari (një intelektual i shquar dhe një mik i përzëmërt por përderisa ai është akoma në jetë nuk do të flasim këtu, ose do të flasim në një shkrim të veçantë. Ndërkohë sapo mbrrija në Tiranë shkoja të vizitoja Moikomin i cili ishte Drejtor i Muzeut Kombëtar në atë periudhë dhe ishte njeriu më i përshtatëshëm për atë punë..(U habita shumë kur sapo ndryshoi qeveri punën e parë që bëri Saliu ishte të pushonte nga puna Moikom Zeqon duke e hedhur në rrugë!(megjithse i kishte dhënë fjalën para zgjedhjeve se ai ishte i pa tundur nga vendi!!!) Veprime të poshtra primitive...që do të pasonin dhe të tjera më të këqia për Shqipërinë dhe kombin shqiptar!) Ngahera Moikomi do të kishte një libër për mua dhe një gotë raki, pastaj shkonim në një lokal ku vinte Alfred Uçi dhe Irakli Koçollari...pastaj shkonim në shtëpinë e Dritëro Agollit! Dritëroi dhe Sadija ishin ngahera gati për të pritur miq! (Kam shkrojtur një shkrim për një nder të madh që më bëri Dritëro Agolli kur po bëheshin trazitë berishiane në Tiranë pas vrasjes të Azem Hajdarit. Atë mbrëmje u gjend në Tiranë im bir që shkonte për herë të parë në Atdhe..dhe Ditëroi vrapoi ta mbrojë nga kanibalët që kishin dalë në rrugë të nxitur nga kryepuçishti Sali..) Lidhjet tona nuk u ndëprenë kurrë, ndonse edhe unë rrallova udhëtimet e mia në Tiranë...

Me Moikom Zeqon u vazhdua miqësia deri vonë, madje bëmë dhe një përpjekje të kontaktojmë me të pasi mësuam se ishte i sëmurë. Mjerisht nuk e takova gjatë viteve të fundit. Madje dy tre vitet e fundit shumë rrallë komunikonim. Për çudi një mbrëmje më mori në telefon dhe si më pyeti për shëndetin dhe familjen më kërkoi E-mailin tim që të këmbenim mesazhe dhe urime të ndryshme. Ishte dy muaj para se të ndërronte jetë. Komunikonim shpesh dhe ai më dërgoi dhe një nga librat etij të fundit dhe kërkonte mendimin tim. U gëzova së terpërmi se e dëgjova mirë dhe menjëherë i u vura leximit të librit. Mjerisht pas një javë dëgjova se Moikomi ynë i mirë kishte vdekur në befasi. Por më tej nga hidhërimi mikut tim të dashur, më ngjau diçka që unë nuk mund ta shpjegoj: Pas një javë u SHOJTËN nga kompjuteri im të gjitha mesazhet dhe librin që nuk kisha mundur ta mbaroj! Si u bë kjo? Ekziston ndonjë mënyrë që mund t’i shuash dikujt mesazhet dhe shkrimet nga posta elektronike? Duket se ekziston dhe unë nuk e dija,madje më vinte turp të pyesja dhe fëmijët. Por pse t’ i shuajnë nga unë? Çfarë i trëmbi dhe pse për mua që asnjë pjestar i familjes së Moikom Zeqos nuk më njihte ? Për mua ka mbetur mister dhe tani është tepër vonë ta kërkoj ta zgjidh...Nuk ka dyshim se Moikomi na mungon, mungon historisë dhe kulturës shqiptare. Jam i privilegjuar se kam pothuajse të gjitha librat e tij me përkushtim miqësor të nënëshkruar nga ai..

Dikur na u paraqit shkrimtari i ri gjirokastrit Virion Graçi dhe më kërkoi t’i përkthej greqisht librin ‘’Të çmëndur në parajsë...’’ Portosia ishte nga shtëpia botuese Potaki ku unë isha i njohur prej të cilëve kërkohej që librin ta përktheja unë. Libri përkthye dhe qarkulloi, shkrimtarin e takova dhe nja dy herë rastësisht dhe që atëhere nuk e kam takuar herë tjetër. Vitet kalojnë, njerëzit harrohen. Ndërkohë u njoha me shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë ndër të cilët Pirro Loli, Primo Shllakun,Gazmënd Kapllanin, Thanas Medi e shumë të tjerë që nuk më kujtohen. Ishte koha kur të gjithë vinin në Athinë me shkak e pa shkak.. Vetëm një gjë mund të them plotgojë: Boshllëkun që kisha kur isha i ri, u plotësua e u tejmbush me shkrimtarë dhe kjo ndodhi qëkur rastësisht takova Alber Zholin i cili më njohu me shkrimtarin Mihallaq Qillerin...madje arrita të kem njëlloj polemikë humoristike dhe me Hyskë Barabojka, madje shkruaja në tëgjitha gazeta shqip që qarkullonin në Athinë Emigranti. Gazeta e Athinës,Tribuna e Robert Goro dhe së fundi në gazetën Albanian Press që drejtohej nga Ramadan Bigza...dhe nga hera kisha pranë Abdurahim Ashikun

Këtu nuk kam folur për shkrimtarët e shumtë nga Kosova me të cilët isha njohur para se të vërshonin shqiptarët e Tiranës në Greqi. Sigurisht nuk mund të mos përmend historianin e shquar Shkëlzen Raça i cili u nda nga jeta në moshë të re- pa harruar Ali Prodimja e shumë të tjerë për të cilët do të bëjmë fjalë në një shkrim të ardhëshëm...Madje një pjesë e poemës të Prodimës ‘’Lum Lumi’’u përkthye dhe greqisht dhe u shfrytëzua nga Jorgo Marunga,kurse bashkëpunimi im me Shkëlzenin që aso kohe ishte student i Rexhep Qosjes në ‘’Studime Albanologjike’’ të Prishtinës duke më sjellë të gjitha botimet e Insitutit në fjalë dher libra të shumta të shrimtarëve kosovarë... Por,thamë, herë tjetër më gjatë dhe mëme hollësi..

KRISTO ZHARKALLI, Athinë 17 qershor 2022.

    320
    0