REALIZMI MAGJIK I RESMI OSMANIT

Nga Ahmet MEHMETI

“Burrat shkojnë në luftë”, tregime me motive çame, është titulli i librit më të ri me tregime të romancierit, novelistit, tregimtarit dhe eseistit nga më të njohurit në njëzet vitet e fundit, Resmi Osmani. Jo vetëm nga titulli por edhe po t’i hidhet një sy përmbajtjes në fund të tij krijohet ideja se kryetema e këtij vëllimi është forcimi i identitetit kombëtar, ankthi i ekzistencës.

Që në tregimin e parë, që i jep titullin librit, ndihet atmosfera e ethëshme e luftës, të cilën autori na e jep me një mjeshtëri të lartë artistike, me shumë pak fjalë por që skaliten ndjeshëm në kujtesën e lexuesit :”Fantazma e saj e përgjakur pluskonte në erë bashkë me ajrin. Ajo hyri në çdo prag shtëpie. Ishte një kumt ndrydhës , si një mirazh i së keqes, i turbullt e i flakëruar”.

Tek ky tregim, si dhe në ata në vijim, vërehet qartë një nga karakteristikat më të spikatura të realizmit magjik që është shkrirja e reales me magjiken, më qartë realizmi historik i shprehur me elemente të magjikes. Në fushëpamjen tonë si lexues shohim qartë se çfar bëjnë njerëzit në kohë reale historike, çfar mendojnë e çfar ndjejnë në ato rrethana, çfar fjalësh thonë e si përpiqen t’i shprehin ato dhe vullnetin e tyre, si e shprehin dhimbjen, personalitetin dhe individualitetin e tyre etj.

Si shkrimtar mjeshtër në dhënien e atmosferës, pjesëmarrjen e popullit në luftë një e nga një ose në grupe të vegjël na e jep me një figuracion të prekshëm artistik:”si ca rrëke të gjalla , damarë gjaku, që do të mbushnin zemrën dhe aradhet e ushtrisë shqiptare për mbrojtjen e Janinës”.Vendosmëria e luftëtarëve për pjesmarrje në luftë frymëzohet nga ideja se “Po ra Janina, zëre se ka rënë edhe Çamëria”. Prandaj edhe heroi i tregimit, kushtuar gjyshit të rënë në luftë,Osmani, vendos me bindje dhe këmbëngulje: “Do vete në luftë edhe po ta di që s’kthehem i gjallë”. Me një lakonizëm të spikatur dhe krenari kombëtare heroi ynë e shpall qartë: “Në luftë shkojnë burrat”.

Pas rënies tradhëtisht të Janinës, rënies dëshmor të Osmanit dhe fatkeqësisht edhe të Çamërisë, autori na jep në vazhdimësi apoteozën e rezistencës heroike të gruas së tij, Merjemes, me fjalë të kursyera:”nuk u martua. Hodhi pushkën në krah, mbrehu pendën e qeve, shaloi kalin, mbolli dhe korri.Vetë grua dhe vetë burrë, i doli zot mallit dhe gjësë, që i pat lënë i shoqi dhe rriti me nder fëmijët”.

Luftën për forcimin e identitetit përmes rezistencës kundër pushtuesit që i degdiste djemtë shtatë vjet nizam deri në Jemenin e largët për interesat perandorake na e jep me një stil magjik të harmonizimit të dashurisë së të rinjve me natyrën e vendit të tyre dhe të vetë natyrës shqiptare për bijtë e saj. Autori na jep si protagonist figurën e njohur të këngës, Çelo Mezanin, që zgjodhi jetën e malit si firar, ku ndiqej mizorisht nga zaptijet për t’u kapur me çdo kusht, gjallë a vdekur dhe që përbuzej si “hajdut”. Autori na e jep marrëdhënien e të rinjve me trojet amtare me një realizëm magjik duke theksuar se “Pyjet ishin limeri i tij, e fshihnin po edhe e flladisnin verës dhe e ngrohnin dimrit”. Me një gjuhë të pasur dhe dendësi të lartë metaforike na jepet lidhja, aleanca tokë- njeri kundër armiqve të tij: kajmekamit, hafijeve e koshadheve të pushtuesit shekullor që gjuanin si egërsira. Fati i kryengritësve të çartur si Çelo Mezani do kishin një dekoratë si “Trëndafili i gjakut” siç e titullon tregimin autori i frymëzuar prej tij por jehona e veprës dhe jetës së tij heroike do të bëhej edhe frymëzim dhe nxitje për të rinjtë e tjerë. Qëndresa e nënës shprehet qartë dhe me krenari:”Trimat ashtu e kanë. Ra shehit për Shqipërinë, e nderoi Çamërinë”.

Në tregimin “Plaga e shpirtit” kemi protagonist atin e djalit që sakrifikohet për idealin kombëtar, por jo një luftëtar të thjeshtë por një udhëheqës të lavdishëm që printe një nga çetat më të guximëshme në Çamërinë kryengritëse antiosmane. Ky hero popullor plagët i quante”stoli e trimave”. Në ngushëllimin për rënien e të birit në fushën e nderit bashkluftëtari i tij Rexhep Demi i drejtohet me fjalët: “Plumbi që vrau Halilin na ka goditur të gjithëve në zemër.Krisma e atyre pushkëve u dëgjua në gjithë Çamërinë”. Në ngjarje të tilla heshtja fliste më shumë se fjalët, nënës i qanin dhe rrobat e trupit”. Si në të gjitha veprat e Resmi Osmanit edhe natyra bëhet pjesë e pandarë e shpirtit njerëzor në ngjarje kaq të përzishme:”Ullinjtë frutangarkuar kishin varur degët dhe lotonin, zogjtë kishin pushuar këngët”.

Por autori nuk ngelet vetëm në anën emocionale të ngjarjes. Ai depërton artistikisht se kush e kishte borxh gjakun e Halilit. Duke mbajtur qëndrim dënon poshtërsinë më të madhe në gjirin e një kombi, tradhëtinë, që për rastin e Çamërisë: “Urdhëri dhe truri i përçarjes dhe dasisë është në Athinë.Valiu turk dhe greku janë bërë njësh për të shtypur kryengritjen për lirinë dhe mëvetësinë e mëmëdheut tonë, Shqipërisë”.

Në këto rrethana Kapedanit Muharrem Rushiti i punonte më mirë gishti se gjuha, thekson autori, pasi ai me trimat e tij i kishte dalë zot Çamërisë dhe Shqipërisë, kur në një hark kohor prej njëzet vitesh, ndaj koalicionit mizor e djallëzor greko-turk, bëri rreth njëzet beteja e mori dymbëdhjetë plagë dhe megjithse ato u mbyllën e u fashitën plaga e trembëdhjetë e zemrës dhe shpirtit mbeti e hapur dhe nuk gjeti shërim deri sa mbylli sytë.

Karaktere realiste e vizione të fuqishme në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pasurojnë galerinë e larmishme të këtij vëllimi të mahnitshëm. Një tjetër figurë e njohur e historisë që i ka lënë emrin e tij valles së famëshme “Osman Taka”na jepet me gjithë bukuritë trupore, mendore dhe shpirtërore, me një fantazi e larmi pa fund përjetimesh dhe një vendosmëri të pamposhtur për të shprehur dashurinë pakufi për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Ideja se bukuria mposht mizorinë skalitet nga autori si me filigran nga çasti i shpallies së dënimit me vdekje deri në anullimin e zbatimit të tij.

Me artin e tij magjik të të rrëfyerit Resmiu ja ka dalë mbanë që të frikëshmen dhe të tmerrëshmen ta shprehë aq artistikisht sa ta shndërroj në bukuri kurse dhimbjen kur vjen në një çast të caktuar ta shmangë mjeshtërisht duke mbushur shpirtin e protagonistit me qetësinë e një gëzimi sipëran.

Gjatë gjithë kohës në pritje të dënimit kapital në litar për veprimtarinë kundër robërisë otomane kalon si në paradë kujtime nga fëmijëria e tij deri në çastet kur i kërkojnë dëshirën e fundit para ekzekutimit dhe ai ju përgjigjet se donte të vdiste si yjet, me vdekje të bukur, duke lënë pas vazhdën e zjarrtë e të ndritur, një emër, një këngë e një histori. Ndërsa kujton shokët që bashkë kishin luftuar si luanë kundër turkoshakëve duke derdhur gjakun për Shqipërinë, një pjesë e të cilëve dergjeshin në burg.

Më në fund i plotësohet dëshira për tu nisur e stolisur jo si drejt litarit por si në dasmë. Me imazhin e vargut rrethor të valltarëve të zënë përdore që ngjanin si një kurorë zambakësh të bardhë autori na jep simbolikën e pafajësisë së tyre. Në vallen–furtunë, flakë e zjarr, thirrje e kushtrim për luftë , klithmë për jetë e përbuzje për vdekjen valiu sheh triumfin e të dënuarit dhe poshtërimin e vet si zyrtar i perandorisë. Vallja e Osman Takës po i shtrëngonte zemrën dhe po e vriste por zemërimi dhe guximi i së bijës etj kur panë valltarin që përbuzte dhe përqeshte vdekjen e përkuli vullnetin e valiut; triumfoi bukuria mbi mizorinë por jo mëria e verbër e valiut.

Të gjitha këto na jepen me një rrëfim krejt origjinal, me gjuhë plot magji sugjestionuese, me përjetime e ndijime befasuese përmes thurjeve plot variacine të dendura metaforike dhe figura të tjera artistike pafund për jetën, luftën dhe lirinë.

Si pjesë e tregimeve me motivin e qëndresës dhe luftës për liri një perlë më vete është dhe ai me titull “Dheu i Shqipërisë”. Në këtë tregim të gjatë na parakalon si në ekran atmosfera e luftës për mbrojtjen e Janinës. Resmiu na çon në shtëpinë e madhe të Konomenjve në Gliqi të Çamërisë ku një ditë më parë ishte kthyer nga Vlora Babamadhi Niko Konomi, ku ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë.Në shtëpinë e tij kanë ardhur shumë burra të njohur midis të cilëve Hamit Marglliçi, drejtpërdrejt nga fronti i luftës në Pesë Puse, Gribovë, Mulliri i Bardhë e Bezhan si edhe Avokat Spiro Çalluka ndërkohë që lufta kishte trokitur në derë dhe me paderman kërkohej dheu i Shqipërisë, kërkohej burrë për derë. Me thirrjen e parë grumbullit të luftëtarëve ju bashkua Alqi dhe Mitrua. Populli është si bari i livadhit: sa më shumë ta korrësh aq më i dendur del! – thekson autori.

Atmosfera e luftës na jepet me një vërtetësi e bukuri mahnitëse që të rrëmben. Para nesh rrëfimi na sjell gjithë tensionin e luftës, kohën e Kërshëndellave dhe dimrin që shtrëngonte, në vend të lajmeve, nga fronti vinin gjëmimet e ankthshme, varganët e evzonëve të ushtrisë greke që marshonin si mizëri dhe mësynin Janinën tablo nga lutjet nëpër kisha, përshpirtjet e nanëzonjë Maros me gratë e nuset që tingëllojnë e harmonizohen me ato të shenjtorëve në një gjuhë hyjnore si shqipja e çamërishtes. Këtu imagjinata dhe aftësia krijuese e autorit përdor mjeshtërisht historinë për të pasqyruar jetën e karakteret e gjalla e të prekëshme në veprim, në zhvillim e ngritje të pandërprerë; arti i tij rrezaton intimitet, kolorit, spiritualizëm, aspiratë dhe shpresë.

Në rrjedhë të rrëfimit na duket sikur dëgjojmë çaush Mersinin nga Labëria që udhëzon se zanati i ushtarit është ta urrejë armikun, ta vrasë por të mos vritet, të përdorë një trimëri e tri hile, të ndërgjegjësohet se është nisur për luftë dhe jo në dasmë.Në surratet e shtrembëruar e të shpërfytyruar armiq me sy të shqyer shohim pamjen e vdekjes ku turren të rrëmbyer nga tallazi luftarak, që edhe pse të frikuar, bëhen mizorë, të urryer, vrasës të ligj si djaj.

Në kulmin e betejës përjetojmë tablo të gjera epike dhe shohim çaste të tilla kur burrat bëhen luanë dhe lindin heronjtë. Shohim Alqin dhe Mitron në një apoteozë marramendëse tallazi të furishëm për mbrojtjen e flamurit ku fuqitë e shumfishuara shëndrrohen në ankth, inat e dëshirë për të jetuar, për të shpëtuar veten dhe për tu hakmarrë. Flamuri mbrohet por çmimi kishte qenë i lartë, tetë luftëtarë nga Gliqia e lanë me gjak dheun e Shqipërisë, prej të cilëve dy djem të Niko Konomit.

Kjo tablo madhështore dëshmon fuqinë e imagjinatës krijuese të autorit dhe teknikat e stërholluara dhe mjeteve të larmishme shprehëse figurative me përdorimin mjeshtëror për karakterizimin dhe individualizimin e personazheve nëpërmjet një gjuhe të pasur me fjalë të reja dhe me burim dialektor ku të gjitha sëbashku harmonizohen dhe të rrëmbejnë duke të dhënë kënaqësi të rrallë estetike.

Në vijim të temës së luftës autori na jep heroizmin e gruas, Nanë Dajesë, si pjesmarrëse aktive për të marrë hakun e djalit, vëllait e dëshmorëve të tjerë, në betejë ballëpërballë me armiqtë dhe duke mbetur e gjallë në këngët popullore si në tregimin monumental që i ka ngritur Resmi Osmani në këte libër.

Aspekte nga më të larmishmit, ku arti i fjalëve të zgjedhura harmonizohet me rrëfimin magjik dhe mendimin filozofik për luftën dhe rreth saj na shpalosen me mjeshtëri të rrallë në tregimet “Çmimi i lirisë”, “Gjaku i falur” dhe “Yllbardha”. Po ndalemi në këte të fundit, ku gjatë luftës komanda armike po mblidhte për nevojat e saj kafshët e barrës. Por fati i kuajve është më tragjik se i kalorësve, thekson autori. Pela që ishte rritur dhe mbajtur si fëmijë rrëmbehet nga ushtria armike dhe u ikën rrëmbyesve. Ligjet e hekurta të luftës nuk bëjnë dallim midis njerëzve dhe kafshëve.Veprimi i pelës u mor si rrebelim e poshtërim dhe dora vrastare mori shenjë në ballë në vendin që i dha emrin Yllbardhës. Klithma e të zotit “Më mirë më vra mua” nuk e prapsën xhelatin. Lotët e burrit për dashurinë ndaj kafshës si pjesë e trupit dhe shpirtit të vet mbyllin këtë tregim unik në llojin e tij.

Një tregim krejt i veçantë është “Xha Musai”, një biografi e letrarizuar në miniaturë që flet me forcën e një eseje artistike për një karakter të tipizuar mjeshtërisht.

Shkrimtari Resmi Osmani njihet tashmë për romanet e novelat e tij historike, me tema nga antikiteti dhe mesjeta, si një krijues krejt origjinal, që faktet e marra nga kronikat dhe dokumentet i shndërron në materie figurative dhe si me magji, në vepra të mirëfillta artistike me bukuri mahnitëse, emocione gjallëruese si dhe tingëllim dhe aludim të qartë aktual. Ato kanë trupin dhe veshjen e kohës së prejardhjes por shprehin shpirtin plot pasion të aktualitetit që frymëzon për të ardhmen.

Kjo vërehet dhe ndjehet gjatë gjithë leximit që të rrëmben te ky tregim i shkëlqyer, i cili ngrihet mbi kontrastin/ballafaqimin e një atdhetari e politikani të rryer me kryeministrin e një diktature mizore. Karakteri i tij këmbëngulës dhe e drejta për një pension dinjitoz, përplasen me personin simbol të mendjemadhësisë, harbutërisë, brutalitetit, arbitraritetit, injorimit e hipokrizisë. Në fund të fundit fiton mençuria, burrëria, fisnikëria, e drejta mbi përbuzjen, dhelpërinë e papërgjegjshmërinë : kryeministri gjunjëzohet para atdhetarit. Ky tregim të mahnit me shtjellimin kontrastues, ballafaqimin e përplasjen artistike (antitezën) e përdorur me mjeshtëri të hollë dhe me ngarkesë të lartë emocionale që të rrënqeth si në një ndeshje midis Davidit e Goliatit.

Tema e pasluftës është nga më të preferuarat e autorit ku reflektohen përjetimet e heronjve duke i bërë skaner zhvillimeve shoqërore përmes pikëvështrimit artistik. Një tregim tipik për këtë është “Bisedë me detin” ku personazh është Kapedani, që i therin ende plagët e marra në luftë por do të rrëfehet për ato që po ndodhin pas luftash të pergjakëshme në kulisat e prapaskenave të kohës së paqes. Për tu rrëfyer zgjedh të dialogojë me detin, vetëm madhështia e tij mund ta kuptojë. Kapedani i njeh mirë intrigat e politikës, që me manovra për ta bërë për vete duke hedhur ndonjë kockë, donin t’i mbyllnin gojën duke i bërë “nderime” por nuk dinin me cilin kishin të bënin. Dora që i ishte zgjatur ishte lyer me gjakun e shokëve të tij të luftës: Bajramit, Hasanit, Avniut, Luigjit, kishte braktisur Shotën e Azem Galicën. Autori e mbyll simbolikën narrative me tërbimin e detit që ngriti stërkala zemërimi dhe tronditjeje duke goditur me forcë bregun dhe duke spërkatur edhe Kapedanin heroik në shenjë miradije e përqafimi si në baladat e kreshnikëve.

Midis turfullimeve të luftës dhe pasluftës, si një oaz qetësie e lumturie, në mes të librit na shfaqet tregimi-legjendë “Nuse Zana”. Në letërsinë artistike të shkruar në Çamëri kemi një dramë të Refo Çaparit me mbi njëqind e pesëdhjetë faqe të titulluar “Retë” dhe të botuar në revistën me mëtime të qarta letrare, kulturore, politike etj “Yll’ i Mëngjesit” (“The Morning Star”), në vitin 1919 në Boston të SHBA-së.Me këtë vepër, me nëntemë “përrallëzë mitologjike”, e cila edhe sot rrëfehet në Çamëri, fillon në letërsinë shqipe rryma artistike e Realizmit Magjik, si drejtim letrar në të cilin elementet e fantastikës ndërthuren me realitetin, ideali artistik harmonizohet dhe gërshetohet me aktualitetin.

Pikërisht në vitet e botimit të veprës “Retë” të Refo Çaparit filloi të diskutohet gjerësisht ne Amerikë për këtë rrymë të re, e cili mbuloi jo vetëm Amerikën Latine me kryevepra nga shumë autorë por edhe gjithë botën nga atëhere dhe deri sot, edhe në Shqipëri. Ende kritika dhe shkenca letrare zyrtare shqiptare nuk e ka hapur gojën për këtë dukuri kaq shumë interesante e të rëndësishme në letrat tona të traditës.

Dhe megjithëse vjen nga i njëjti burim frymëzimi, autori na sjell një bukuri e hijeshi krejt origjinale, me përshkrime të holla e të këndëshme. Në portretizimin fizik të zanave autori përdor gjithçka të bukur nga poezia popullore erotike shqiptare e të gjitha trevave kombëtare, përfshirë edhe Ciklin e Kreshnikëve si p.sh. elemente metaforike etj nga figura e Tanushës, gjë që dëshmon për njohuritë dhe kulturën e gjerë artistike të autorit.

Në këtë vazhdë të Realizmit Magjik, me theks të fortë realist na paraqiten “Rrëfimi i Shtëpisë-Gërmadhë në Çamëri”, “Nata e fantazmave” dhe “Xhuraja”.Rrëfimi fillon duke aluduar në një legjendë karakteristike çame me thirrjen vajtimtare të zogut gjon në kërkim të qyqe-motrës së humbur. Menjëherë, nga legjenda ndeshemi me realitetin e hidhur e tragjik të shtëpisë-gërmadhë, që na shfaqet si pesonazh i gjallë: “Dergjej aty e vetmuar, jetëshuar, e rrahur nga stuhitë, shqotat, shkulmat e shiut, nga akulli dhe ngricat, nga dielli përvëlues, që përherë i shkëpusnin nga trupi, si mishin nga eshtrat, herë një gur e herë një tjetër, duke e zvogëluar e rrëgjuar, deri sa ta kthenin në një pirg gurësh të mbuluar nga bari dhe harresa”.Vetëm nga këto rrjeshta rrënqethëse nuk është zor të kuptohet dhe ndjehet forca titanike artistike e ankthit të ekzistencës në letërsi dhe në jetë për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe dinjitetit njerëzor.

Në tekstin e dendësuar me figura poetike dëgjohen psherëtima dhe një rënkim i ngjethshëm, nga thellësia e varreve të oborrit llaps një flakëz kaltëroshe, nga portat e misterit dalin shpirtërat që nuk gjenin prehje edhe në mbretërinë e nëntokës. Dhe autori shprehet sakt:”Shpirtërat dhe hijet e të pajetëve, të masakruar në shtëpinë e tyre të rrënuar që kishte patur si ata vdekjen kobzezë e të lemerishme, nga e njëjta dorë e egër greke-zerviste, vrastare, mizore”. Shtëpia –gërmadhë si personazh i gjallë e kupton se pse këta shpirtëra nuk po gjejnë prehje: për gjakun e pa shpaguar dhe jetët e shuara, askush nuk u ndez një qiri, askush s’u sjell lule.Shtëpinë e kaplojnë kujtimet dhe autori shprehet:”Se edhe gurët kanë kujtesë, paçka se s’ kanë gojë të flasin”. Asaj i kujtohet fati tragjik se si u dogj një ditë e një natë deri sa u bë shkrumb, njëlloj si nusja e re me tre fëmijë që pasi e përdhunuan dhe e torturuan bishat zerviste, e spërkatën me benzinë dhe si pishtar i flakëruar, zbriti shkallët dhe ra plasur në oborr”.

Ky rrëfim me hiperestetizmin e tij, me strukturë origjinale, me mbingarkesë emocionale dhe forcën e tragjicitetit, i ka të rrallë të ngjashmit e vet në letërsinë botërore. Në këtë rrëfim ndeshim një nga tiparet më të spikatura të Realizmit Magjik, të dhënat historike, ndjenjat personale dhe kolektive të personazhit Shtëpi Gërmadhë, marrjen nga Realizmi të shprehjes transparente dhe konkrete të gjuhës me qëllimin e bërjes së përshkrimeve të hollësishme etj. Një tjetër tipar kryesor është përshkrimi i mjediseve me mjerim të skajshëm.

Po aq interesant për nga kompozicioni na vjen tregimi “Nata e fantazmave”. Këtu fantazmat dalin si një realitet që ndan në fakt dy opinione dhe dy botë në kundërshtim flagrant me njera tjetrën: botën e krimit dhe të pafajësisë. Më një anë është zonja Irini dhe kundrejt saj qëndron i shoqi, togeri zervist Alqiviadh Popoviti, që ka bërë krime të përbindëshme në Çamëri dhe që ka ardhur të marrë dekoratën për prokutat që ka bërë ndaj të pafajëshmve. Irini, e ndodhur në shtëpinë e një nga familjeve të përzëna me dhunë e gjenocid nga trojet e veta, tmerrohet nga fantazmat që i dalin natën si në një apokalips në përmasa planetare, në një ëndërr me sy hapur. Kur ajo e pyet se pse ajo plojë, egërsi e lemeri e përgjakëshme ndaj të pambrojturve dhe të pafajshmve, nuk mori përgjigjen e duhur, ja plas në fytyrë: “Edhe nga kryqi i dekoratës pikon gjak”. Reagimi mbyllet me fjalët e ndarjes të dy botëve të kundërta: “Unë po iki nga ky vend i përgjakur i të pafajëshmve, ti rri me fantazmat e viktimave të tua”. Në këte tregim tipik të Realizmit Magjik elementet magjike vlerësohen si reale nga personazhi kryesor, Irena. Ajo e vlerëson fantastiken si reale dhe merr vendimin e duhur për tu ndarë nga e keqja e madhe, që në rastin përgjithësues artistik, është e keqe universale.

Përjetimi i atyre ndodhive makabre të dhëna me realizëm e mjeshtëri të lartë artistike e ngre peshë zemrën e lexuesit duke lënë mbresa të paharruara dhe ngjall besim se ka edhe shpirtëra, si i Irinit, që ndahen qartë dhe prerë nga krimi dhe padrejtësitë.

Larmi dhe dinamikë i japin leximit të këtij libri tregimet/rrëfimet e shkurtëra në formën e eseve autobiografike që na paraqiten si një cikël me interes për informacionin plot freski jetësore, mbushur me mall e brengë, ndjenja, pezm, protesta dhe deri mallkim. Këtu bëjnë pjesë “Brenga njerëzore (Tri skica)”,“Malli çan edhe gurin (Kujtimit të nënëdajës)”), “Takim me mbretin “, “Vendlindja e munguar”, “Pa baba”. Këto rrëfenja ndryshojnë shumë njera nga tjetra por i lidh si me fije të dukëshme e të padukëshme në një të vetme dashuria e malli zhuritës për vendlindjen dhe njerëzit më të dashur, të ndarë me dhunë e gjenocid në të katër anët e dheut, me varre e pa varre.

Dy tregime të mrekullueshme: “O dashuria ime” dhe “”Sirena e trenit të fundit” i kushtohen shkrimtarit dhe kundërshtarit gjenial të totalitarizmit, poetit Bilal Xhaferi. Autori jep me një ndjesi të përkushtuar se në ç’kushte mizore jetohej dhe sa e pamundur ishte të dashuroje nën diktaturë, e nga ana tjetër, sa të izoluar dhe të survejuar ishin njerëzit që regjimi i kishte vënë në epiqendër të tabelës së qitjes. Përjetimet shpirtërore, mundimet e skëterrëshme fizike dhe mendore në penën e shkrimtarit marrin gjallëri dhe shfaqen si në një ekran tronditës shumëdimensional, që nga drithmat e holla e deri te dhimbjet më të thella.

Edhe dy tregime të tjera i kushtohen figurës legjendare të Marko Boçarit. Autori ja ka dalë mbanë të na japë anën shqiptare të tij, kontributin shqiptar, në dallim nga shumë autorë të huaj në raste të tilla. Në tregimin”Brenga e kapedan Marko Boçarit” shohim shqetësimin e tij nëse e shoqja , Krisulla nga Preveza, a do të mundte të rriste dhe edukonte fëmijët që të mbeteshin deri në palcë, zemër e gjak, suljotë arbërorë, “A do të ktheheshin t’i shërbenin vendit të tyre , që po ta donte edhe me jetë?”. Në tregimin tjetër, “Kënga e fundit e mjellmës” na e jep Markon në çastin më kulmor, kur bie si hero në fushën e nderit për të ndritur si pishtar e për të mbetur i pavdekshëm brez pas brezi, në emër të lirisë, në një betejë apokaliptike “ku dhe drita dukej e përgjakur”, siç thekson autori.

Në tregimin “Kopshti i Edenit” kemi të skalitur me mjeshtëri të rrallë punën titanike për mbijetesë të një çifti të rinjsh çamë (Hamiti e Mineja) për të fituar e gëzuar jetën me forcat e veta në kushtet pas dëbimit masiv me dhunë, zjarr e hekur, prej trojeve të veta në Çamëri.

Më në fund, por pa përfunduar, na ushton thirrja ”Fol Qafë Botë dhe ti Kllogjer”, tregim kushtuar Martirëve të Çamërisë. Përpara na shfaqen tablo apokaliptike të krimeve të përbindëshme të racizmit dhe dhunës gjenocidiste të shtetit terrorist grek që vazhdon edhe sot pas gati tetë dekadash të kthejë mbrapsht në kufi të lindurit në Çamëri siç është edhe vetë shkrimtari i shquar, Prof. Dr. Resmi Osmani. Në këte ese të drejtëpërdrejtë nga historia dhe realiteti aktual, në kohë reale, si gazetar që raporton nga fushëbeteja, ngren zërin për ta dëgjuar gjithë bota përparimtare: “Jemi si bari i livadhit, që pas kositjes del më i plotë, më i dendur, më i fuqishëm, djalë pas djali e vajzë pas vajze! Jemi këtu që të përjetojmë atë që ndodhi, të dëshmojmë barbarinë, ta kujtojmë brez pas brezi, të kërkojmë drejtësinë, të kërkojmë atë që është e jona dhe që të mos harrojmë!”.

Përballë kokëfortësisë kriminale ultraraciste greke dhe qëndrimeve mohuese e grabitqare të oficerit grek: “Camuria oqhi, Camuria pethane!” ai shpërthen: “Jo, more oficer gjuhëgjarpër! Çamëria nuk ka vdekur, ajo vuan pushtimin, braktisjen e detyruar, shkretimin dhe rrënimin, por pret që ne të kthehemi, ta ndriçojmë dhe lulëzojmë”.

Dhe për ta përfunduar me theks tek kryetema, forcimi i identitetit kombëtar/ankthi i ekzistencës, libri mbyllet me tregimin aq shumë prekës “Lulja e Arbërit”. Protagonistja Katerina-Roza Peta, arbëreshja me origjinë nga Çamëria, e mërguar pas vdekjes së Skënderbeut në Mbretërinë e Napolit, tashmë me shërbim pranë mbretëreshës, do të portretizohet me urdhër të mbretit Ferrante. Portreti i saj i punuar nga mjeshtri Velaskes do vendosej në pavionin e bukurisë së Muzeut të Arteve.Kur punimi kishte përfunduar, Katerina-Rozës në portretin e saj i mungonte ajo më e veçanta për shpirtin e saj, ajo që as mendohej dhe as përfytyrohej nga mjeshtri.Ajo nuk donte ta shihnin sikur ishte kukull. I mungonte ajo që në Arbëri edhe nata është tjetër natë edhe dita tjetër ditë. I mungonte bluja e detit, e kaltra e qiellit dhe lartësia e maleve si krenaria e saj. ”Kaq ju desh mjeshtrit të marrë penelin dhe në sfond pikturoi detin me një blu të thellë, qiellin me një kaltërsi verbuese dhe ca majtas malet e larta me kryet në re.Atje ishte Arbëria që rriste të tilla lule!” – ngulmon autori për të pohuar me vendosmëri se çdo herë e kudo qoftë, identiteti dhe dinjiteti kombëtar janë vlerat më humane dhe më të larta të ekzistencës mbi dhe.

Kështu mbyllet ky libër magjik i Resmi Osmanit, i mbushur plot me mall e brengë për Çamërinë.

Ahmet MEHMETI

Tiranë, 09.08.2021

    1331
    1