Qyteti im buzëqesh me hijet


 
Nga Fatmir Terziu

Qyteti im buzëqesh me hijet
 
Muri i lashtë i Kalasë flet me veten.


 
Nuk ka det, ka një lumë që gati po “thahet”,
 
ka një pus që ime as vetë s’lahet
 
është tharë, është shuar, është shkrirë,
 
makinat e policisë vijnë dhe shkojnë
 
lemza e zemrës së tyre mjekohet mirë.


 
Kush do të denoncohet
 
hidhërimi i madh i koshereve të dijes?


 
Të dehur rrotullohen në hapësirën hipokrite
 
fjalët masturbohen me qokat dhe “gjobat”
 
brenda një hapësire korruptive
 
ku fryhen lirshëm vetëm horrat .


 
Këtu vdesin intelektualisht në heshtje
 
pa gjurmë, sikurse vetë lajmërimet
 
që, po aq duan të shijojnë vdekjen
 
mjaltë i hidhur i së nesërmes?


 
... era e Krastës merr me vete
 
këmbët e zhveshura të lypsit përballë Sahatit
 
filxhan i copëtuar, dhe shtrati prej kartoni a lecke
 
në mes, si një kufomë prej druri
 
me duart e shtrira drejt fatit.


 
Ai hesht i gjallë, nuk flet,
 
i gjalli i vdekur vetëm hesht,
 
në heshtje tregon për planin në këtë verë,
 
ashtu i lodhur si një grua e sëmurë
 
lutet të ketë sa më shumë hije mes vapës
 
lutjen ia bekon në asfalt si përherë
 
thirrja e gjatë e qenve gjatë natës.


 
E ëmbël, e hidhur,
 
ndoshta nuk është vonë
 
të kuptojmë se lypësi
 
ka poshtë bythës një diplomë!


 
Kjo është edhe kryefjala e dijes:
 
Qyteti im i buzëqesh vetëm hijes!

    181
    0