PËRBINDËSHI GRI

Vullnet Mato

Vullnet Mato

PËRBINDËSHI GRI
 
(Duket nga Dajti, mbi Tiranë)
 

Ai del vrullshëm nga tollovia e makinave,
 
nga luksi i veturave, me ngjyra ylberore,
 
me kthetrat e tymta ngjitet kaltërsive,
 
pluskon duke formuar kënetën qiellore.
 

Me grahmën e zymtë mbështjell qytetin,
 
me rrezatimin e errët, qiellit i zë frymën,
 
me perandorinë e pamatshme, sa deti
 
vesh edhe diellin, me qefinin e imët.
 

Pastaj i kthyer në blozë, përbindëshi vigan,
 
përqark trupit më endet e më vishet tinëz,
 
më ndot veshjen, qelb djersën me katran
 
dhe s'ka ç'i bën, as i gjithë uji i Bovillës.
 

Ndjej tek e kapërdij e më djeg në mushkëri,
 
më pushton frymën e lodhur prej mundimit.
 
Përbindëshi gri, hyn brenda damarëve të mi
 
dhe sytë m'i zbeh me avujt e turbullimit.
 

Nga kockat e mia, thith palcën, pak nga pak,
 
përzihet me gjakun, ku transformohet lënda,
 
më copëton mushkëritë, veshkat dhe përqark,
 
zbraz helmin kanceroz e më kalb përbrenda;
 

Ditët m’i shkurton, duke më tretur trupin,
 
derisa të më shndërrojë në kufomë të blozës.
 
Së fundi, buzët e arkivolit të më puthin,
 
dhe të përcillem me funeralin e nëntokës…

Të shpëtoj nga përbindëshi, nuk del garant,

as vetë bashkia, që e lejon të bëhet gjigant...

#Vullnet #Mato

    200
    2