Pak vend!

Mimoza Leskaj

Më lini pak vend, - ju lutem zotërinj!
 
Një copë vend të pastër si drita e diellit
 
Mos më pyesni për çfarë më duhet
 
As taksë mos më vendosni,
 
Është ligj i natyrës, e vetmja tapí e ligjëruar.

Hajt, s'po u'a fsheh
 
Më duhet për pak jastëk!
 
Të vë kokën kur të më dhembë
 
Të fshi lotin, kur të më dalë
 
Të mbuloj trupin kur të ndiej ftohtë
 
Të ngroh mallin kur të më marë.
 
Më lini pak vend, zotërinj
 
Një copëz, sa të mbjell një qiparis
 
E të më bëj hije mbi varr!
 
Ju lutem!
 
Një ditë, dhe juve, po aq vend
 
Po aq, do t'iu duhet!

    300
    0