NË MESNATËN E VONË...

Vullnet Mato
 
NË MESNATËN E VONË...
 
Në mesnatën e vonë të ëndërrimit,
 
ndjeva veten, sikur isha jashtëtokësor...
 
Duke soditur globin, nga disku i fluturimit,
 
kokën time të deformuar, zura me dorë;


 
Pashë tym e flakë, mbi Tokën nënvete,
 
mendova: Këta homosapiensë të formuar,
 
ose janë çmendur, ose nuk janë në vete,
 
vriten fare kot, qytetet duke shkatërruar?!...


 
Ne Ufot, të mahnitur nga bukuria e globit,
 
mendonim, se njerëzit me tru të zhvilluar,
 
kanë arritur mençurinë, të kapin kozmosin,
 
po pse bëjnë marrëzi, për t’u vetërrënuar?!


 
Patën fat të shumohen, në këtë planet blu,
 
në distancën e rrallë, të mrekullisë qiellore,
 
me ujin e ajrin, për të gjithë frymorët këtu,
 
pse po e shpërbëjnë, këtë dhuratën hyjnore?


 
Ç’duan të arrijnë me armë, ku duan të shkojnë,
 
duke u kacafytur me njëri-tjetrin, deri në vdekje,
 
për të ndarë trojet e kësaj mrekullie, ku jetojnë,
 
në pronën e Diellit, që po i thith me tërheqje?


 
Si s’kuptojnë se tashmë, pak nga pak pronari,
 
po rrit nxehtësinë, tërmetet, uraganet e motit,
 
duke u dërguar shpesh, paralajmërime zjarri,
 
t’u tregojë, se i pret mallkimi flakërues i Zotit!


 
Nuk mendojnë, se janë aty të përkohshëm,
 
derisa Ylli diellor, të mbarojë energjinë e vet,
 
t’i përcëllojë të gjithë, në zjarrin e kobshëm,
 
duke shuar mes planetëve dhe të vetmen jetë!...


 
Pse duan të vrasin njëri-tjetrin, me ato mizori,
 
megjithëse gjatë jetës, i vret Zoti, një nga një?...
 
Kurse dielli dhe varret, do ua bëjë shkrumb e hi,
 
siç erdhën nga asgjëja, të kthehen të tërë në asgjë...
 

 
#vullnet #mato #fjalaelire

    120
    1