Laiko Vima

Andrea Zarballa

Plazmi i një luleje të radhë

(Një stinë e vonuar poetike për poetin Andrea Zarballa)

Nga Fatmir Terziu

Tremijë vjet,

e ngurosura e zogut shumëngjyrësh të Butrintit,

një kalendar akull i ftohtë si stridhe,

kavardiset i mpirë, një Glob,

maja e artit një korije,

më jep forcë kjo hapësirë, më ngroh,

edhe pse më ysht me një midhje. 

Në fletën e ngrohur nga poezia,

dergjet plazmi i një luleje të radhë,

bukë e zhguftë e lëmuar,

mbishtresë e ëmbël me mjaltë,

dhe pret malluar

ringjalljen e harruar. 

Ajri ecën duke thithur vargje

Në Llazat ajri ecën duke thithur vargje,

e pas çdo thithjeje

rilind një fjalë,

aty ka vetëm etje,

dhe etja mbin për vargje të radha,

që s’janë thjesht gjetje,

por ‘made’ nga Andrea Zarballa. 

Laiko Vima

Aty ka krahë që fluturojnë netëve,

pos fjalëve që vishen sqimtë,

e njëjta energji që ndizet stinëve,

pranë pemëve motake,

poezia një stivë e seleksionuar,

në vargun e lirë.

Avlëmendi i fjalës,

është mëqiku i vargjeve të buzëqeshjes,

tiktaku i radhës,

i ëndërrave të shqepura,

buzë Jonit, përrallës,

ku një ‘djalë’

i përqafon kufinjtë e legjendave:

“çekiçi do të shkundte përsëri kudhrën në kovaçanat

e braktisura...”

#terziu #poezi #fatmir #zarballa #andrea

    500
    1