KURAJO NGA OSHO*

Durim Çaça

KURAJO NGA OSHO*

por ti qaj dhe ke për të qarë
 
dashuro dhe ke për t’dashuruar
 
paj, dhemb dhe do t’ndiesh dhembje
 
ëndërro dhe ke për t’ëndërruar
 
çmallu dhe ke për t’u çmallur

ndriço dhe ke për të ndriçuar

ah, ti qaj dhe ke për të qarë
 
dashuro dhe ke për t’dashuruar...
 
______
 
*Mësues shpirtëror (guru’) i famshëm indian i shek. XX.

BEAT GENERATION

ah, të kisha një zemër në vend të zemrës
 
të kisha në vend të zjarrit një zjarr
 
sikur një dhembje në vend të dhembjes
 
buzë të kisha në vend të buzëve
 
një ëndërr sikur në vend të ëndrrës

në vend të botës të kisha një botë
 
sikur në vend të fjalës një fjalë

por të kisha në vend të zemrës një zemër
 
në vend të zjarrit të kisha një zjarr...

EKZALTIM

kur do rrimë për duart
 
për atdheun, kurmin kur
 
për mallin, për yjet
 
kur do rrimë për buzët
 
për lotin kur do t’dashurojm’
 
ah, për zjarrin, gazelën
 
për shpirtin kur, për humnerën
 
kur do rrimë për sytë
 
do dashurojm’ për orkidenë
 
për Zotin e detin kur
 
për njerinë, për vdekjen
 
por kur do rrimë për fjalën
 
do dashurojmë për ëndrrën
 
për terrin, për agun
 
mbrëmjen, seksin, poemën

do sekush dritën e vet

kur do rrimë për duart
 
kur do dashurojmë për retë
 
për atdheun e zjarrin
 
dhembjen, detin, kometën...

AUTOGRAF

unë ky jam-frym’ fushe Syneji
 
mbrëmjesh me avuj të heshtur vjeshte
 
arë me tërshërë e trumzë
 
buzë greminash në Peqinaj
 
mall veror mollësh n’Bardhor
 
ky që jam-ermim mersine n’Kazie
 
vrull merluci, kripë vale
 
me shkulm t’vrullshëm n’Farsiluk
 
ah, në Karpën,- se ky jam

prekja e barit, e gurit posht’ këmbëve
 
paj, e rërës së ngrohtë
 
e s’bëhem tjetër,-vresht’ që pikon,
 
shqop’ e oksimoron në Domën

hapa t’ëmbël n’Kepin e Lagjit me hënë

rim’, e orakull,- ky që jam në Rrakull
 
frym’ fushe Syneji* me avuj vjeshte...

______
 
*Toponime fshatrash e vendesh të trevës së Kavajës.

ARIE

flaka plagoset veç nga një tjetër flakë
 
si plagoset koha nga një tjetër kohë
 
si drita veç nga një tjetër dritë, si loti
 
veç nga një tjetër lot, ah, si fjala
 
plagoset veç nga një tjetër fjalë, ëndrra
 
nga një tjetër ëndërr, si puthja nga një tjetër
 
puthje, malli nga një tjetër mall

si koha veç nga një tjetër kohë, si flaka
 
plagoset veç nga një tjetër flakë..

Durim Çaça

Nga libri poetik “Sharme shamani”, Ombra GVG, Tiranë, 2012.

    580
    1