Idiotësi

Idiotësi
 
Nga Fatmir Terziu

Dhe gjëmbaçët u shtuan
 
vdesin në gojëra të uritura gomarësh!
 
Dhe fijet e thata të barit gjithnjë e më të thata.
 
Dhe fusha
 
gjithnjë e më shumë fajtore ...
 
… pse u mbush me lëpusha,
 
pse u bë nevojtore
 
për lopë të hasdisura, për mushka.
 
Kjo është kaq e papranueshme!
 
Sepse akoma do të kesh mëshirë për kafshatën.
 
Buka e sofrës do të shtrohet në gjoksin tënd,
 
prerë nga shpata e psherëtima.
 
Gjinkallat po shtohen, deri në neveri
 
kumbimi i një shtrati të tjetërsuar,
 
vetëm ai tingull ka mbetur,
 
idiotësi
 
Kjo është kaq e papranueshme!
 
Sepse nuk vijmë vetëm nga e shkuara
 
jemi edhe e sotmja e huaj mëkatare,
 
nuk duam të humbasim dhe nga e ardhmja,
 
ku ka mbetur e jona,
 
si një çelës nga një kuti postare
 
dhe si një kalendar me telefona.
 
Prandaj ju dëgjoj çdo natë
 
nën sekretimin e fosforit dixhital
 
dhe nën ankimin e çmendur të pushit xheloz
 
ku hidhni fall me e pa filxhan.
 
Përditë e më shumë kotësi,
 
kotësi,
 
e papranueshme si trishtimi
 
kjo është idiotësi.

    274
    0