"Ditari i Pandemisë - Rrëfime nga Karantina"

Albin Kurti


 

Janë disa njerëz që i mbaj mend edhe për atë se me cilët njerëz të tjerë më kanë njoftuar. E janë disa të tjerë që ma përkujtojnë njoftimin me autorë të tjerë të vlefshëm. Para shumë viteve, shkrimtari Agim Vinca më pat njoftuar me shkrimtarin francez Romain Gary, përkatësisht romanin e tij "Grahma e fundit". E, para pak javësh Prof. Agim Vinca erdhi e ma dhuroi librin e tij më të ri "Ditari i Pandemisë - Rrëfime nga Karantina".
 
Nga 14 marsi deri më 1 qershor 2020, shënimet e përditshme janë përmbledhur në një rrëfim mbresëlënës letrar e dokumentar (të pabesueshëm sikur të mos e kishim jetuar e përjetuar vetë ne).


 
Përsiatjet individuale të autorit në kohë izolimi, ndryshimi i detyruar i raporteve dhe rutinave familjare e shoqërore, virusi në politikë e politika me virusin, taksa e reciprociteti, Richard Grenell e Arben Vitia dhe personazhe të tjera, mediet në Kosovë e Shqipëri me polemikat e panumërta (më shumë dërrmuese sesa shterruese), librat shqip dhe të huaj që i ka për qejf autori apo që i rebelohen atij nga përgjumja në kujtesë, ... ngjeshin radhët e tekstit 300 faqësh të ditarit 80 ditor nga pranvera 2020 e Kosovës.
 
Ka libra që nuk mund t'i lexosh për një ditë. Ka libra që nuk mund të mos i lexosh brenda ditës. I këtillë është "Ditari i Pandemisë" së Agim Vincës. Po e more në dorë dhe e hape faqen e parë, s'e shqet dot nga dora deri në faqen e fundit.
 
Shpresoj që Prof. Agimi po vazhdon të mbajë shënime, jo vetëm pse pandemia po vazhdon.

    300
    0