Ca të pathëna për besimet tona fetare

Herë në formë shakaje dhe herë me seriozitet, në biseda të ndryshme flitet për besimet tona fetare. Përmendet fakti që, gjatë pesë shekujsh populli ynë e ka ndryshuar dy herë fenë: në kohën e Turqisë (të pushtimit osman) babai quhej Vasil, ndërsa i biri u quajt Mahmut; në kohën e Greqisë (të mërgimit të shqiptarëve atje) i ati quhej Sadik, i biri u bë Alqiviadh.

Dukuria e lartpërmendur nuk lidhet kurrsesi me trysni, por kryesisht me faktorë materialë, ekonomikë. Sepse, sado që të rezistonin të krishterët në kohën e Turqisë, më në fund do të dorëzoheshin para dhunës së të huajve. Madje dhunë kanë ushtruar vetë shqiptarët ndaj shqiptarëve. Le të kujtojmë mizoritë e Ali Pashë Tepelenës (“Gjak e dhjamë të kullova, / Por fenë dot nuk ta ndrrova”). Ndërsa në Greqi as që mund të bëhet fjalë për akte dhune.

Thelbësore është që shqiptarët kanë pasur vetëm një fe të vërtetë: shqiptarizmin. Duke mbrojtur gjuhën, mbrojtën edhe identitetin kombëtar. Shumë klerikë vunë mbi fenë idealin kombëtar dhe sakrifikuan gjithçka për kombin, u falën në Altarin e Kombit. Ata ndikuan fuqimisht që në vendin tonë të mbizotërojë një mirëkuptim shëmbullor ndërfetar dhe të mos krijohen parti fetare të mirëfillta, ekstremiste. Ka popuj që ruajtën me fanatizëm fenë, por humbën gjuhën, pra identitetin.

Gjatë bisedave me temë fenë, dëgjon edhe ndonjë thënie thumbuese, si “lafshëprerë, besëkthyer” (për myslimanët) dhe “kaur” për të krishterët. Në të dy rastet shpjegimi është i thjeshtë. Në kohën e pushtimit osman, “besëkthyeri” është pikërisht i krishteri, pra ky e ndrroi fenë duke braktisur Kryqin për Gjysmëhënën, ndërsa në Greqi ishte myslimani që bëri të kundërtën, pra u bë i krishterë duke lënë Gjysmëhënën për Kryqin.

Pra le ta mbyllim me kaq këtë temë që nuk na sjell asgjë të mirë! Për më tepër, vlen të nxirret në pah fakti që përqafimi i fesë islame nga një numur i madh shqiptarësh ka dhënë ndihmesë për mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve me banim jashtë vendit. Po jap vetëm një shëmbull. Shqiptarët e besimit të krishterë në Strugë dhe Ohër, duke shkuar në shkollë dhe në kishë, ku mësimet e shërbesat bëheshin në gjuhën sllave, u sllavizuan, ndërsa ata që shkonin në xhami, ku predikimet bëheshin në shqip, mbetën shqiptarë.

Rreziku i asimilimit, i përthithjes ekziston edhe për bashkëkombësit tanë me banim të përhershëm në shtete të tjerë, kur frekuentojnë institucionet arsimore dhe fetare në të cilët nuk flitet shqipja!

    250
    0