ATHINË, NJË DITË ME DIELL...

Updated: Feb 11, 2020

ATHINË, NJË DITË ME DIELL...

Meditim

Të diele 9 shkurt 2020, bëra një shëtitje nëpër rrugën “Athinas” dhe sheshin “Manastiraq” të kryeqytetit Helen.
 
Rruga ishte e qetë, si çdo të diele kur mbyllen të gjitha shitoret...
 
Edhe sheshi Manastiraq të njëjtën pamje kishte...
 
Mungonin blerësit e përditshëm, ata që i ngushtojnë kaq shumë pezodhromet sa të duhet të shtrëngosh bërrylat fort që të kalosh...
 
Ata që nuk mungonin, si përherë, ishin turistët, e folura e të cilëve, në qetësinë e rrugës, nga theksi apo fjalët, mblidhnin kontinentet.
 
Ata që nuk mungonin, si çdo ditë, ishin të pastrehët që kalonin ditët dhe netët shtrirë mbi shtresa kartonësh, mbuluar me copa batanijesh lloj-lloj ngjyrash, me një gotë plastike me disa qindarka...
 
U mata të bëj një fotografi në një nga pezodhromet e gjerë në krah të një ushqimoreje çasti ku shtatë shtretër ishin në radhë njeri pas tjetrit.
 
Nuk e bëra.
 
Ishte diçka e zakonshme që e shoh përditë rrugëve të Athinës e hyrjeve të kishave.
 
Nuk mund të bëj hap prapa tek kthehesha rrugës “Athinas”...
 
Dy shkrepje.
 
Njëra nga larg...
 
Tjetra nga afër...
 
Natyrë e qetë...
 
Një burrë, kokulur deri në thyerje qafe...
 
Në dorën e lëshuar... një gotë letër karton ku shkruhej “VENETI”...
 
Një qeskë të boshatisur...
 
Bri saj pesë kokrra të shpërndara kokoshkash...
 
Një këmbë e zbathur dalë tej shtresash...
 
Një engjëll me sytë mbyllë...
 
Një fytyrë e pastër fëmije...
 
E bukur deri në madhështi...
 
E dëlirë deri në skajshmëri...
 
Flokë të gjata,
 
Të bukura...
 
Perri...
 
Nuk gjeta fjalë...
 
Portretit ti jap jetë...
 
Thirra Migjenin...
 
Më shkroi...
 
...Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
 
ku foshnjën përkundin lott edhe të fshamit...

Mjerimi punon, punon ditë e natë
 
tu’ i vu djersa në gjoks edhe në ballë...
 

 
Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba
 
dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh...

Mjerimi s’don mshirë...

Përditë shoh qartë e ma qartë
 
Dhe vuej thellë e ma thellë...

O si nuk kam një grusht të fortë
 
t’i bij në zemër malit që s’bzan.
 
Unë – lugat! Si hije...

...”Zotni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!” Por njeriu – zotni notonte ndër mendime: Sezona e re vjen; sezona! sezona! sezona! dhe gjithnjë sezona: ndrron sezona, do të ndrrohet grueja, ai, fmitë – si e lyp sezona. Me këto mendime i okupuem, nuk e kish në mend lypsin e vogël, të cilin nuk e trazojshin aspak sezonat, por i cili mendonte në heshtje, tinzë, se sa mirë do të ushqehet ky zotni, sa pallto të ngrohtë, sa këpucë të bukura ka...
 
Dhe i shtypun prej këso mendimesh, tue tërheqë ma fort zotnin, i këndoi me za të naltë.
 
“Zozni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!”...

E tash, mbyllas, duke u larguar, thirra përsëri Migjenin...

“Merrnie e çonie në qytet këtë shtatore. Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputetit, e ndokujt tjetër... E në rasë se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndis klasike”.
 

 
Po njerëz, ju që dini të lexoni e të shkruani, që keni faqe në internet, facebook, instagram, You tube, adresa presidentësh, kryeministrash, ministrash, miliarderë, barkderrë... merreni këtë fotografi dhe dërgojuani, e në mos e marrtë kush, shpërndajeni rrugëve të vendeve ku mjerimi ka foletë...

#Abdurahim #Ashiku

Athinë 10 shkurt 2020

    220
    2