AROMË E PRITJES

Qazim Shehu

AROMË E PRITJES
 
Aromë e pritjes më sjell gurëzim
 
Venitje pa trishtim,
 
Hije lëkunden nga muret
 
Gjarpërinj të unët.
 
Pickojnë pritjen time
 
Dhe helm nuk derdhin,
 
Mjafton të kujtohen gjarpërinjtë
 
Që pritjes mundësinë t`i fshehin.
 
Pritja e paska një mundësi
 
Diçka si te Beketi ndodh,
 
E di, asgjë nuk do vijë
 
Por pritja n ambush me zbrazëti
 
E zbrazemi me këtë mbushje si mrekulli…


 
NË ZEMËR TË GURIT


 
Në zemër të gurit një bulkth
 
Natën me çelës kurdis,
 
Pingëron e vorbullon,trishton
 
Për përjetësinë që sjell,
 
Po përjetësia harrimin shtjell
 
Aq sa edhe gurit i dalin djersë….
 
SYRI

Syri yt i shkruar mban hartën e finesës së gëzimit,
 
Mbetet vetëm një çast,
 
Pastaj merr vetëm një ngjyrë,
 
Humbet larmia e bukurisë alarmante,
 
Ai mori ngjyrën gri
 
Si deti kur rrumbullohet krejt
 
Në stuhi…

BARBARITË


 
Për të ngushëlluar pafuqinë tënde
 
U vë përpara barbarive pritën e mirësive,
 
Por nga mirësitë shpesh je i lodhur
 
Dhe një derë u hap barbarive…

Aktin hyjnor thirr si drejtndëshkim,
 
Për çfarë rrënuan ato,
 
Je lodhur nga mirësitë dhe kjo është shfaqësim,
 
Pa forcë në mirësi,shpesh barbaritë justifiko…


 
STATUJAT


 
E vështirë mbetet të ngrihet piedestali
 
Statuja është më e lehtë,
 
Ka statuja që i zë halli,
 
Që ngrihen dhe vështrimi përskaj u shket…
 
Ishin më të shikuar, kur ishin të gjallë
 
Tani në pasjetë janë harruar,
 
Por dikush ua mori hijen dhe me daltë
 
E gdhendi atë për ta imponuar…
 
Ata nuk u imponuan kurrë
 
Dhe kjo është vuajtja e tyre,
 
Një kalimtar u shkon pranë për të kryer diçka
 
Si e vetmja vëmendje…

    220
    0