A je gjallë Sali Berisha

Ilir Levonja

Ilir Levonja

A je gjallë Sali Berisha

Nuk e di sa e sa herë më vjen ta them këtë që, a je gjallë Sali Berisha apo jo? E kam fjalën për Saliun opozitar, jo atë dixhital. Pasi denoncimi nuk pi më ujë. Eshtë strategjia më pa rezultat më e gabuara në aspektin e funksionit të opozitarizmit aktualisht në Shqipëri. Me një fjalë denoncimi pa efekte vepruese, a kundërshtuese me forcë. Sali Berisha në rrugëtimin e tij si qeverisës apo opozitar, midis sukseseve dhe firove me shumicë kishte sharmin e një opozitari të fortë, modelin e të cilit e përvetësoi deri diku edhe Edi Rama. Të paktën do mbahet mend për një opozitar i llojit të vet, unik, i cili i shkonte deri në fund nismës. Ndofta vetëm në kohën e tij qeveritari apo ligjëvënësi do të thoshte se, mirë do e bëjmë këtë ligj, do veprojmë kështu apo ashtu, por a është apo jo dakort Saliu, nënkupto opozitën e kohës. Pra një opozitë e tërë konsolidohej në një emër dhe ky ishte emri i Sali Berishës. Dhe kjo për meritën e tij pasi në atë kohë nismat opozitare kishin një destinacion, o triumfin o hapjen e krahut.

Sot opozitarizmi bën një lojë oportune ku mbi të gjitha nuk i shkon fare për shtat racës apo sojit nga vjen. Nuk e di se sa kontribut ka Sali Berisha këtu, por pa faj nuk është.

Momentalisht Shqipëria kalon ditët nga një bum publik në tjetrin dhe opozita është e pakuptueshme se kurrë ndonjëherë, vetëm denoncon dhe nuk vepron. Jo rastësisht dalin në disa televizione deklaratat të Amerikës, mbi presionin opozitar, njohjen a mos njohjen, arsye që serviren si dominonte për stepjen e opozitës. Skupet ia lënë vendin njëri-tjetrit si Babale, vjedhja votave me vidio e zë të qartë se një qeveri e tërë ia shkërdhyen nënën të drejtës së votës, grupet e drogës, skandalet me reformën në drejtësi, kandidaturat me precedentë panalë etj., pastaj erdhi tërmeti dhe shqiptarët shohin ditë natë një ''gjeni'' me shkop magjik a gju më gju me popullin në çadra beduinësh, plakun e vitit të ri me dhurata e shishe vere. Nga ana tjetër Shqipëria përfshihet totalisht në skandalet e shpërdorimit të të drejtës qytetare duke nëpërkëmbur deri azilin politik. Megjithëse vet jemi një komb i shqyer nga firot a ikjet dhe kërkesa për azil politik, nuk e kemi problem t'i servirim gijotinës së Erdoganit një mësues gylenist. Si nuk ju vjen turp kur akoma i japim komunitetit europian azilantë të politikës dhe se kemi për gjë të dorëzojmë një arsimtar gylenist tek Erdogani vetëm se na ka premtuar ca para për ndonjë aeroport a për ca shtëpi banimi në Laç. Ndërkohë vet ''shenjtori'' lavdëron sulmin e Donald Trumpit në ekzekutimin e një gjenerali iranian në shenjë solidariteti me Amerikën. Kaq dhe shqiptarët janë aktivizuar në një publicitet social mbi të drejtat dhe meritat e Amerikës, duke u a bërë në kokë mijëra halleve të veta dhe arkës bosh të buxhetit të tyre.

Por mbi të gjitha krizës së parë kombëtare midis vedi, Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk janë asgjë tjetër por moda e ngjarjeve që mbulojnë ngjarjet dhe rezultati është ky që është, Edi Rama vret e pret dhe opozita nuk është asgjë tjetër por një gjindje e mefshët, e vakët, gjumashe, shkurt ka vdekur. Sot frymën e saj e përfaqëson një dështim listash, një bjonde analfabete dhe një kauboj ngjyrash e ca të tjerë duke ia bërë shurrën hapur opozitarizmit të kohës që u duk se u ngjall me protestat e vitit të kaluar. Atij opozitarizmi që na la përshtypjen se po identifikohej me një emër atë të Sali Berishës. Ndaj për të kuptuar se çfarë do kishte ndodhur pas vidopërgjimeve të tabloit gjerman Bildit duhej të ishte opozitë Sali Berisha i viteve 98-të 2000 dhe jo Lulëzim Basha i sotshëm. Por Sali Berisha duket se ka vdekur dhe kjo për dy arsye, produktin që na solli në krye të opozitarizmit dhe identifikimin me rubrikën e denoncuesit dixhital. Nëse do na kishte lënë një produkt të tipit a racës së vetë, sot nuk do kishim luksin të shikonim votimet e frontit demokratik të kohës, por as paradën me shallvare të Edi Ramës. Nuk do kishim luksin e syshqyerit, grafomanit, pritësit me sy nga qielli, as do ndiheshim inferior, pasi do kumbonin veshët nga ankesat qeverisëse se çfarë do thotë opozita, çfarë do thotë Saliu. Sot jemi kaq pa gjak, kaq të vobektë sa shkojmë e ulemi në tavolinë dhe i bëjmë temana atij që na vodhi dhe na shkërdheu duke na vjedhur, për çfarë, për një të ashtuquajtur reformë zgjedhore. Ky është një dështim total opozitar dhe afërmendësh edhe dështim social i një Shqipërie që aspiron të anëtarësohet në Europë. Mbi të gjitha dështim i merituar pasi opozitarizmi i dikurshëm i sojit Sali Berisha ka vdekur një herë e përgjithmonë.

#ilir #levonja

    621
    0