Grua

Grua
 
Fatmir Terziu

Dhe Ti…vjen në kuvertë lundron si e panjohur
 
me frymën, me grimcën më të ndjeshme të oksigjenit
 
udhëton me Fjalën,
 
të parën nyje të genit,
 
pasagjer i ftohtë i moshës së prushtë,
 
bashkëudhëse në trokitjet e zemrës,
 
ndërsa rrethon gishtin me bekimin e artë në ritmin e butë,
 
loton në kristale diamanti
 
hyn në armatën e madhe të njerëzve të dashuruar,
 
dhe Ti,
 
je bukë, je kripë, je jetë, s'je më pasagjer i huaj për mua,
 
dhe Ti,
 
je Grua!
 
Je Grua, e njëjta me udhën që bëri nëna ime,
 
dhe rruga e gjatë me katragjyshe,
 
je Grua, një shenjtore e përjetshme e virgjër,
 
në zemrën time troket diçka më ndryshe,
 
je Grua, je dashuria që shkruaj,
 
kurrë s'mund të mbarohet për Ty një libër,
 
a ke qenë ndonjëherë e huaj?!
 
Dhe Ti…
 
Je vetë dialekti i gjuhës së gjuhëve,
 
lundron në ujësinë e madhe të dhimbjes
 
me biletën e brumit të bluar prej mushtit të drurëve,
 
me qumështin e jetës që vjen prej lindjes,
 
në buzët e njoma të fëmijëve…
 
…dhe Ti…
 
e thek rininë në bulëzat e gotës sime të dehur
 
ka mjaft fjalë brenda një gradacioni të tillë,
 
e di që je zemëruar, por ke heshtur,
 
dhe Ti… e ke zgjuar natën deri në të gdhirë,
 
nuk ka ndonjë grindje që s'ka vdekur,
 
dhe Ti … e ke bërë për të mirë,
 
dashurinë për të mos e tretur.
 
Dhe Ti, … ke harruar se ke ndonjë hall,
 
si një Perëndeshë e ëmbël ke buzëqeshur,
 
ka mjaft prej arsyeve për të gjithë, përveç durimit të madh,
 
dhe Ti, … si një bukuroshe e përfjetur,
 
e ke gëlltitur dashurisht çdo fjalë,
 
s'ka Fjalë që toka s'e ka tretur
 
kur dashuria lundron në rrugët e saj.
 
Dhe Ti, njësohesh në cipalin e ëndrrave me mua,
 
dhe Ti,
 
je Grua!
 
Më thuaj pastaj që të mos të dua.

    267
    0