Sakip Cami: Buqetë lulegjaku
- May 4
- 3 min read

Buqetë lulegjaku
(Poezi kushtuar ushtarakëve dëshmorë)
Nga Sakip Cami
1. Sefedin Tomçinit (Aviatorit dëshmor që ra për të shpëtuar qytetin e Lushnjës)
Ti atë ditë kishe ditëlindjen
Të përcolli Zana me dritë në sy
Ti e përshëndete me dorën lart
Do të vij e dashur, do të vij.
Ti atë ditë kishe fluturim
Dhe Zana ndjente një gulç në kraharor
Fluturimi për ty ishte rutinë
Por vajzat e vogla qanin në kor.
Do të vijë babi, do të vijë
Do të vijë për mua dhe për ju
Do të fluturojë për Shqipërinë
Në mbrëmje do të jetë këtu
O Sefe, të thërrisnin shokët
Dhe ti buzëqeshje si askush si ti
Se dashurinë për njerëzit
E kishe në gen, e mbaje në sy.
Fluturove mbi Lushnje, mbi Adriatik
Mbi tokën arbërore që e dashuroje
Defekti i mallkuar ndodhi me vërtik
Ndaj qytetin dhe njerëzit ti do ti mbroje
Do ti mbroje duke sakrifikuar
Jetën tënde duke bërë sublim
Jetën e doje, jetën e mbrojte
Në të fundit, tëndin fluturim.
Dhe mbete në qiell, në përjetësi
Toka arbërore të mori në gji
Që Ti të prehesh pranë nënës
Nënës në madhe Shqipëri.
2. Majorit dëshmor Klodian Tanushi
(Që ra në krye të detyrës në një mision ushtarak të NATO-s)
Ti u rrite me kapelën e babait mbi krye
U rrite me kangët e trimërisë
U rrite rrëzë Korabit dhe buzë Drinit
Gjëmimet e tyre, pjesë e historisë.
Kur kthehej babai nga shërbimii
“ O babi, babi Basri’
Pse u vonove kaq shumë ?
Pse vjen kaq rrallë në shtëpi ?
Në prehrin e babait kërkonte shpjegim Ç’kuptim të shenjtë kishte detyra
Pa ditur se dhe ai një ditë me gëzim
Do të shkonte ku do ta thirrte detyra
Major babai, major i biri
Renditur në ushtri si zinxhiri
Basriu luftonte mos shkelej kufiri
Klodiani në NATO më i miri.
Eh, ndryshuan kohët, por jo shqiptaria
Majori shqiptar Klodian Tanushi
Në kuadër të NATO-s u nis me detyrë
Në krye të grupit detyrën e përmbushi.
Misioni ishte i vështirë
Fusha e minuar sa më s’ka
Duke çminuar, fshehur një minë
I mori jetën, por jo shqiptarinë.
Jo vetën Shqipëria, por dhe Letonia
Të mbajnë në zemër, s’të harrojnë kurrë
Ti derdhe gjakun për një botë më të mirë
Nënat të mbështollën me flamur.
Prehu pranë Nënës Shqipëri
Prehu ti, dëshmor i Atdheut
Emrin tënd mban një shkollë
Emrin tënd s’e harron Mëmëdheu.
3. Kapiten Floran Delia, ti do të rrosh sa Shqipëria
(Kushtuar dëshmorëve të Atdheut, aviatorve Floran Delia dhe Donald Hoxha)
Fluturon shqipja mbi Korab
Nuk asht shqipe, asht Florani
Fluturon përmbi fshat
Fluturon ku e thërret vatani
Dalin nxënësit në oborr
Fluturon Floran Delia
Të gëzuar duart lart
Eja Flori, eja ke shpia
Nuk e joshi pasuria
As stërlna dhe Anglia
Kur thërret zëri i Atdheut
Mbi të gjitha Shqipëria
Kapiteni Floran Delia
Dhe togeri Donald Hoxha
Ma të mirët aviatorë
U besuan në mision.
Nuk i trembi vështirësia
Nuk i trembi mali i thepisur
Aksidenti i mallkuar
Ua ndërpreu rrugën e nisur
Mbahu Jahe, mbahu babë
Mbahu nuse, mbahu nanë
Mbahu ti o mor Korab
Se Florani asht ngjit lart
Pranë tokës, pranë dheut
Që u mëkoi si heronj
Pranë bustit të Skënderbeut
Ju u shpallët dëshmorë të Atdheut.
Kapiten Floran Delia
Ti do të rrosh sa Shqipëria
Kapiten Floran Selmani
Ti do të rrosh sa Vatani
4. Dëshmorit Hilmi Hasan Alimani (1938-1958), Bllacë, Dibër
Rënë në krye të detyrës si ushtar kufitar në Qafën e Ali Çelës, Tropojë më 1958, ngriu në dëborë.
GURI I KUFITARIT
Është një vend në malin e Jezercës
Ku shkëmbi është gërryer
në formën e ushtarit
Me automatik në dorë.
Është një vend në malin e Jezercës
Ku kufitari ngriu një ditë janari
në formën e këtij shkëmbi
Dhe nuk shkriu, por ndrit si qelibari
Është një vend në malin e Jezercës
Ku kufitari ngriu një ditë janari
Dhe nuk u shkri kurrë
Njerzit i thonë: Guri i kufitarit
5. Shqiponjat dibrane
(Dy pilotëve dibranë Sabri Toçi dhe Armando Gjoka që ranë në krye të deyrës më 29 mars 1980)
Ajo ditë marsi me shi e stuhi
Ju gjeti ju në fluturim, në qiell
Për ju nuk kishte të ndalur
Për ju kishte vetëm diell.
Sabri Toçi dhe Armand Gjoka
Një nga dyshet aviatorë
Fluturuan mbi Atdhe
Porsi yje, si meteorë.
Armando lindur në Tiranë
Kurrë s’harroi Okshtunin e tij
Vinte shpesh me babanë
Drejt Dibrës fluturim.
Sabri Toçi nga Maqellara
Deri në palcë atdhetar
Më i miri aviator
Aviator i klasit të parë.
Në stërvitjen e vështirë
Reaktivi nuk u bind
Manovrim pas manovrimi
Në përpjekje për shpëtim.
Për ta mbrojtur
Shmangën qytetin
Për të mos humbur
Shmangën dhe detin.
Toka i mori në gjirin e saj
Lotoi qielli i tmerruar
Nënat hapën krahët
Për t’i përqafuar.
Dhe mbetët tek Nëna
Ju përjetësisht
Lartësohet kënga
Hymn, madhërisht.









Comments