BUJAR QESJA: Si vera e vjetër… një miqësi që nuk tretet
- Apr 18
- 3 min read

Nga BUJAR QESJA
Trokitje që zgjojnë kohën
Ka trokitje që nuk të vijnë në derë, ashtu kot, por të trokasin në kujtesë. Të zgjojnë vite, njerëz, ngjarje, emocione që duken sikur kanë qenë aty gjithmonë, duke pritur vetëm një çast për t’u rikthyer.
E tillë ishte kjo ditë.
Në konakun tim erdhi Niazi Zhakolli, mik i hershëm, bashkëudhëtar i një kohe që nuk harrohet. Unë 75 vjeç, ai 86. Dy mosha që nuk rëndojnë, por përkundrazi, japin kuptim. Sepse nuk janë formalisht vite, por përvojë, janë kujtime, janë jetë e jetuar me personalitet.
Miqësia jonë, nuk është nga ato që zbehen me kalimin e kohës. Është nga ato që forcohen. Është si vera e vjetër. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë merr vlerë.
Takim që mbante brenda një kohë
U ulëm si të barabartë. Si gjithmonë. Pa ceremoni, pa zhurmë. Një gotë raki përpara, pak djathë parmixhiano dhe përballë njëri tjetrit, dy jetë që njihen mirë. E ftova të provonte rakinë, madje me këmbëngulje:
“Është 30-vjeçare, e sigurtë, e sjellë nga miqtë e mi…”
Niaziu buzëqeshi me atë qetësinë e tij origjin ale dhe si gjithmonë, mbeti i kursyer. “Ruhem nga shëndeti”, më tha.
Dhe në atë fjali, fshihej i gjithë karakteri i tij, masë, disiplinë, vetëkontroll. Por nëse është i kursyer në gotë, Niaziu është i pasur në kujtime. Është si ai thesi i çimentos që sapo e godet, nxjerr shtëllunga. Dhe çdo shtellungë është një histori. Një emër. Një ngjarje. Një copëz Durrësi. Flet me qetësi që të dikton dëgjimin, me një finesë që të bën të mos e ndërpresësh. Nuk ngre zërin, nuk kërkon të mbizotërojë, por e fiton vëmendjen natyrshëm.
Niaziu është nga ata njerëz, që nuk kanë bërë zhurmë në jetë, por kanë ndërtuar themele. E nisi rrugën si mekanik në ORMN, vend pune që ka qenë shkollë karakteri, për shumë burra të këtij qyteti. U rrit hap pas hapi, me punë, me përkushtim, por mbi të gjitha me ndershmëri. Dhe këtë ndershmëri, e ruajti si sytë e ballit deri në fund.
Shoqëria për të, nuk është formalitet. Është besë. Është përgjegjësi. Është lidhje që nuk prishet. Kur përmend emra si Xhemali Dume, Kristaq Prifti, Mersin Voda etj. çelet si trëndafil në pranverë. Rikthen pas një kohë të tërë. Një brez që jetonte ndryshe, që punonte ndryshe, që e kishte shoqërinë shtyllë të jetës.

Dhe kjo është ajo, që të godet më shumë, ndjeshmëria e tij. Kur flasim për Durrësin, për historinë, për njerëzit që nuk jetojnë më, Niaziu nuk është spektator. Bëhet pjesë. I përjeton. I ndjen. Sepse me shumicën ka ndarë vite, punë, rrugë.
Edhe pse jeton në Milano, nuk është shkëputur asnjëherë nga qyteti i tij. Durrësi për të nuk është një kujtim, por prani e vazhdueshme. I ndjek shkrimet për Durrësin, i lexon me kujdes, emocionohet, reagon. Është një lidhje, që nuk e zëvendëson asnjë largësi.
Në familje gjen mbështetje dhe vazhdimësi. Vajza, Blerina, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, është figurë e respektuar. Djali në Milano, gjithashtu pranë tij. Dhe mbi të gjitha, dhëndri, Adrian Reçi, një djalë i dalë nga një lagje me emër, Sefer Efendiu, që me humor e përkufizon bukur Niaziun:
“Kur do të tregojë forcë, thotë jam nga Skrapari. Kur do të tregojë butësi, thotë jam nga Përmeti.”
Kjo batutë, nuk është vetëmshaka. Është përkufizim i saktë. Sepse Niaziu është pikërisht kështu, i fortë në parime, i butë në sjellje. I qëndrueshëm në karakter, i ëmbël në komunikim.
Pleqëria e tij, është një shembull më vete. Nuk është tërheqje nga jeta. Është vazhdimësi me krenari. Nuk harron miqtë, nuk harron rrënjët, nuk humbet interesin për njerëzit dhe për jetën. Dhe kjo është pasuri e rrallë.
Sepse sot, këto lidhje po zbehen. Shoqëria po bëhet më e shpejtë, më sipërfaqësore, më e ftohtë. Ndërsa ai mbetet dëshmi e gjallë e një kohe tjetër, e një kohe ku fjala kishte peshë dhe miku kishte vend.
Premtim që ngroh vazhdimësinë
Orët kaluan pa u ndjerë. Si gjithmonë kur biseda ka shpirt. Erdhi momenti i largimit. Jo i rëndë, por i ndjerë. Sepse kur ndahesh nga një mik i tillë, nuk shkëputesh plotësisht. Lë një pjesë të vetes dhe merr një pjesë me vete.
Lamë një takim për majin. Dhe ky nuk është vetëmnjë takim i radhës. Është një vazhdimësi. Një dëshmi që kjo miqësi nuk është episod, por rrugëtim. Sepse në fund, ajo që mbetet nga jeta nuk janë vitet, as sukseset, as largësitë. Janë njerëzit.
Dhe kur ke pranë një mik si Niazi Xhakolli, e kupton se sa e vyer është kjo pasuri. Një pasuri që nuk blihet. Nuk zëvendësohet. Dhe nuk shuhet. Si vera e vjetër.








Comments