Zylfie Gërvalla: Malli në sytë e pritjes
Fatmir Terziu
Poetesha shqiptare Zylfie Gërvalla ka tashmë përmbledhjen e saj të katërt me poezi – „Malli në sytë e pritjes“, që vjen pas vëllimeve „Ëndra ime“ (2021); „Mbi krahët e shqiponjës“ (2022) dhe „Kur qesh Elisa“ (2022).
Zylfie Gërvallën e takova për herë të parë në Borås të Suedisë, në krah të vajzës së saj Blerta, ku ishim të ftuar bashkërisht në Festivalin e 13 Ndërkombëtar të Poezisë, në „Norrbyhuset“ të organizuar nga „Migjeni“ e Sokol Demakut dhe stafi i tij, dhe pastaj në faqet e Antologjisë së përkthyer në suedisht nga poeti Rizah Sheqiri, me titullin „Kurorë fjalësh“ (En krans av ord), e më pas në faqet e përmbledhjes së saj debutuese me poezi „Malli në sytë e pritjes“. Mes faqeve dhe prezantim-promovimit të këtij libri nën drejtimin e Gladiola Jorbus njoha dhe protagonistët e tjerë, profesorin, shkrimtarin, poetin e çmuar Nexhat Rexha, që ishte përkujdesur për redaktimin e këtij libri me rreth dyqind faqe e mbi njëqind poezi, dhe profesorin, shkrimtarin, poetin Hysen Këçiku, që ishte recensent.
Nga çdo rresht vështronte imazhi i një personi rrezatues me ëndrra të mëdha dhe një zemër që e shpërndan në sytë e njerëzimit mallin dhe dashurinë më të madhe. Dhe më vonë, në disa biseda të lira gjatë eventit, u njoha me gruan që qëndron pas profesionit të humanizmit dhe shëndetit të njeriut, pikërisht poeten Zylfie Gërvalla. Në ditët e sotme, ne shohim shpesh njerëz në pasqyra të shtrembëruara, ku imazhet rrallë përputhen me përshtypjen tonë fillestare. Epo, Zylfie Gërvalla, në pasqyrën e syve të mallit poetik, është e pastër si imazhi i pikës së vesës së vetë frymëzimit të saj të begatë.
Dhe në biseda mësojmë prej saj të na thotë se „Unë kam shkruar poezi që kur kam qenë shumë e vogël. Në shkollë kam shkruar edhe përralla, tregime, ese për fëmijë. E megjithatë poezia mbetet dashuria ime e parë dhe e madhe. Më pëlqen të shprehem me vjersha dhe jam e lumtur kur edhe të panjohurit për mua i ndjejnë si të tyre poezitë. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme në art, të prekësh me emocione, të bësh dikë të qajë, apo të buzëqeshë. Në shtëpi bëjnë shaka me mua, se nuk duhet të lexoj libra apo të shikoj filma, sepse unë vetë ndjej emocione të forta dhe shpesh më lotojnë sytë. E kthej kasetën edhe një herë për të gjetur se cili është vargu i parë i mallit, që e bën atë të na përlotë. Po, e mbaj mend sepse e kam ende fletoren me poezi të klasës së parë. Ishin katër rreshta dhe poezia ime thoshte „Duam liri dhe paqe“. Më tej ishte Ëndrra e hapësirës… e cila në ditët e sotme, duke pasur parasysh kohën e mbingarkuar me lajmë dhe dhimbje, të cilën e shëroj duke shkruar poezi gjatë momenteve të ndryshme, thjesht më lehtëson mendjen.
Dhe kështu mësojmë se ideja e parë për të mbledhur poezitë e mia më të mira në një libër erdhi pas një vendimi personl që u bë dhe një vendim familjar.
Dhe ndaj ajo thotë se frymëzimet e saj i gjen tek familja, dashuria, në të gjitha dimensionet e saj. Për veten time mund të them që përmbledhjen me poezi e lexova në një fluturim mbi Goteborg, por më duhej të ndalesha tek disa që i ceka që në momentin e parë. Dhe aty ndjeva pse ajo më tha se „Unë shkruaj me një frymë. Dikur mbaja gjithmonë një stilolaps dhe letër në komodinën time, sepse ndonjëherë shkruaj natën. Tani po i ruaj në telefonin tim. Është bërë një e-libër plot me poezi.
Por në cilën botë jeton poezia e poetes shqiptare Zylfie Gërvalla, jeton si e jashtme, apo më mirë e fshehur në shpirtin e saj? Këtë e gjejmë në bisedë e sipër kur na thotë se „Bota e jashtme dhe e brendshme duhet të jenë në harmoni. Nuk mund të jetosh e izoluar nga bota e jashtme, vetëm me ndjenjat dhe emocionet e tua dhe anasjelltas, apo jo? E di që është shumë e vështirë të arrihet, por për mua kryefjala është ekuilibri. Kjo për jetën në përgjithësi. Dhe për poezitë, mbështetem në imagjinatën time.“
Pikërisht kjo imagjinatë na shërben si arsyeja më domethënëse për të kuptuar se poetja adreson krijimtarinë e saj kah lirizmit dhe modernizmit, edhe pse ka një ndërthurje midis asaj tradicionales dhe që rrekt tek rima tradicionale. Pra si drejtim letrar, modernizmi i poezisë së saj ofron mundësi dhe realizim të ri të vlerave poetike. Ndërsa dimë se shkrimtarët modernistë kundërshtuan metodat realiste dhe përmes idealit u përpoqën të zbulonin problemet e përbashkëta njerëzore, në krijimtarinë e kësaj autoreje nuk gjëjme një arsye të tillë, përveç angazhimit të saj të gjerë në këtë ndërrthurje të mishëruar poetike. Duke përdorur gjerësisht simbolin dhe metaforën për të zbuluar gjendjen shpirtërore të protagonistit lirik, ajo e zhvendos temën e imazheve në përvojat e brendshme të individit. Ndaj mund të themi se ajo me këtë vëllim poetik shërben dhe si një shembull tipik i perceptimit modern të botës e cila përpiqet të arrijë harmoninë në ekuilibrin mendor.
E ndërthurur dhe e mirëformuar nga kontradiktat mes idealit të lartë dhe realitetit, e ndikuar nga pakënaqësia, nga pamundësia për të realizuar aspiratat dhe dëshirat e saj, ajo është e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse. Zylfie Gërvalla nuk është një poete e errësirës, e vetmisë, e vuajtjes, por ajo i jep dritë në tërësinë e saj poezisë së kudokrijuar, si ajo që është frymëzuar në Elbasanin e lashtë, ashtu dhe në dimensionin e saj të gjerë mbarëshqiptar. Por në të njëjtën kohë në poezinë e saj nuk ka vetëm dritë, diell, vitalitet, dhe dridhje pranverore. Strofat e errëta të dëshpërimit dhe dhimbjes ndërthuren me këngët dhe lavdërimet e ndritshme, dhimbëse të jetës dhe dashurisë, dhe në këtë mënyrë del në pah kontradikta midis idealit dhe realitetit. Në zbulimin e kësaj mospërputhjeje ndihmon interpretimi i llojeve lirike, të cilat i japin përparësi një toni të heshtur dhe lirik. Veçoritë e kohës artistike, duke shprehur divergjencën midis ëndrrave dhe realitetit, plotësojnë harmoninë në veprat e Zylfie Gërvallës, ku tema e së kaluarës dallohet nga tema e kujtesës. Kjo për faktin se kujtesa nuk është e kaluara, ndaj së cilës supozohet një qëndrim më objektiv. Heroi lirik nuk e kujton kujtimin në mendjen e saj, por i kthehet. Pavarësisht gjithçkaje, ai nuk i ndahet ndjenjës së realitetit që e shtyp. Është pikërisht kjo mospërputhje mes ëndrrës së përshkruar nga kujtesa dhe realiteti i zymtë që lind dramën dhe dikotominë e heroit lirik. Kontradikta e tij shkaktohet nga përplasja midis dëshirës së tij të fortë për bukuri dhe harmoni dhe ndjenjës torturuese se arritja e tyre është e pamundur në botën përreth tij. Mospërputhja midis kohës reale dhe artistike në krijimtarinë poetike të Gërvallës lidhet me dy bërthamat emocionale-psikologjike në veprën e saj. Bërthama e parë përqendrohet në temën e vetmisë, të dëshpërimit, por shpesh "modulohet" drejt besimit, shpresës dhe gëzimit. Bërthama e dytë përcaktohet nga qëndrimi ndaj kujtesës dhe të kaluarës dhimbëse dhe formave të mallit në sytë e pritjes që dallohen ashpër, por ndërthuren dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën.
Divergjenca mes kohës artistike dhe asaj reale është një koncept mbizotërues në poezitë „Rrymë malli“ dhe „Të dua Atdhe“, të cilat përfaqësojnë mishërimin e shtytjes romantike për të kaluarën, të lindur nga pakënaqësia dhe mungesa e mbështetjeve morale. Në to gjejnë vend edhe pjesa tjetër e tipareve të stilit poetik të poetes. Kështu, p.sh., te “Kosova ime” personazhi lirik futet përmes vetës së dytë, njëjës, gjë që ndihmon në tingullin intim të veprës kryesisht për të krijuar një pyetësor të heshtur dhe të butë, që bie ndesh me finalen ("Ku është vallë qytetërimi?/Përse Europa nuk i sheh dhunuesit...") Imazhi "flaka po i del mbi retë" zëvendëson formën dialoguese dhe këtë degëzim në paraqitjen figurative të lirikes, personazhi vjen për të kujtuar të „karbonizuar nënën me foshnjë në bark“. Në këtë mënyrë, poetja thekson dallimin midis ëndrrave dhe realitetit, dhe qëllimi i sistemit të imazhit është të shprehë nderimin e heroit lirik për shtëpinë e tij - në idetë e saj, ajo është shumë e ngritur dhe e idealizuar. I vetmi detaj i përditshëm - "më digjet shpirti" - bëhet gjithashtu një simbol, kështu që Gërvalla distancohet nga kujtesa, skicat e vërteta të së cilës janë të humbura. Përdorimi i imazheve poetike nxjerr në pah idenë e dëshirës së heroit lirik për paqen. I tillë është imazhi i nënës, i nënvizuar përmes papërcaktueshmërisë. Peizazhi bëhet një simbol, duke inkuadruar trishtimin gjithëpërfshirës, dhe tabloja e natës imponohet me metaforën e saj të thellë ("Kosova ime nën presion jeton!“). Kjo sugjeron gjendjen shpirtërore dhe nga përsëritja e brendshme e figurës letrare të qëlluar “Evropa sa shumë bënë dredhi” në këtë mënyrë sugjerimi kap majën e akuzës publike ndaj asaj që po ndodh, e cila shpesh modulohet në frikë dhe terror të lidhur me realitetin.
Një kalim midis drejtimit mallim dhe shoqëror të teksteve të Gërvallës vërehet edhe në poezinë "Në Shqipëri". Por edhe këtu, përsëri lëvizja është nga vargjet hapëse ritmike në finalen e heshtur, ku përsëritet ideja e vetmisë dhe e tjetërsimit, e paraqitur përmes një figure interesante stilistike - "për të ardhur tek ti sot/kaluam fusha e male/të çlodhemi në bregdetin shqiptar/shpirtit t'ia largojmë ca halle“. Poetja përgatit rrjedhën e veprimit të dikurshëm që shkonte drejt izolimit përfundimtar nga bota, pohon kërkimin e paqes, dhe tregon hapur se „me shekuj të ëndërruan ty Shqipëri“. Në poezinë "Në Shqipëri"., kujtesa është dënimi më mizor për të shkuarën e dënuar dhe autorja shpalos bredhjet e pafundme të memorjes dhe mallit mes ëndrrave dhe realitetit.
Gradualisht, disa nga nga poezitë e autores bëhen më realiste, dhe skicat e imazheve bëhen më të qarta dhe më të dukshme. Të tilla janë poezi të tilla si „Grackat tinëzare“ dhe „Janari i pikëlluar“. Në disa poezi, ajo tregon rënien morale të shumë shtetarëve që rrethojnë shtetin. Kjo është një nga poezitë e pakta në të cilat Gërvalla i përmbahet stilit epik tradicional. Këtë larmi e imponon edhe tema humane. I vetëdijshëm për pasurinë e saj të brendshme, me vetëkontrollin shpirtëror dhe qetësinë përballë pashmangshmërisë së mallit, ajo pohon jashtëzakonisht sinqerisht dhe në mënyrë mbresëlënëse, sepse përkundër realitetit mizor dhe të ashpër, ajo ka ruajtur besimin dhe nxitjen drejt një ideali.
Në veprën e saj, tekstshkruesja arrin qartësi dhe shkathtësi në stil, pavarësisht se nuk përdor një gamë të pasur dhe të larmishme tematike. Për shembull, peizazhi luan rolin e një pjesëmarrësi, një imazh i pavarur në vepra, dhe simboli dhe metaforat përdoren për të arritur lirizëm dhe për të sugjeruar idenë e të përmalluarit dhe të pritjes. Ato nxjerrin në pah kontradiktën e thellë mes idealit, ëndrrave dhe realitetit. Krijimtaria e saj, si formë lirike bëhet personifikimi i gjithë botës emocionale. Koha artistike, duke shprehur mospërputhjen midis idealit dhe realitetit, ndërtohet me një qëllim thjesht estetik që të afirmojë harmoninë dhe ekuilibrin lirik. Kështu, kjo poete me këtë vëllim poetik e vendos veten si një interpretuese virtuoze, e cila kombinon jo vetëm format e shkëlqyera lirike me llojet e ndryshme lirike, por njëkohësisht arriti të krijoj dhe shprehjen e tre metodave artistike, realizmit, romantizmit dhe simbolizmit.
Comments