top of page

ZVOGËLIMI I ATDHEUT




Atdheu bëhet më i vogël çdo ditë, ikin të rinjtë, si gjethet nga era, shkojnë gjethet, ku stuhia i vërvit, bien largësive, në troje të tjera.


Lisi i atdheut do mbetet i mjerë, si një trung gjigant i përcëlluar, me gjethe të verdha në degë, gati të shkërmoqet i shkrumbuar.


Pleqtë pa limfë e pa vezore, nuk çelin dot gjethe në këtë lis dhe do vijë vdekja madhështore, trungu i lisit, do bjerë përmbys.


Do pyesë Pashko Vasa nga yllësia: “Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?” Do i gjegjet, me rënkim Shqipëria: ”Po sikur lisi, i rrëxuem përdhe.”...


Shkon afgani, më shkel me këmbë, vjen aziatiku, më urinon përsipër, sulet afrikani me sëpatën e rëndë, më bën dru zjarri, për në dimër...


Atdhe, “Ke pas shum t'mira e begati, me varza t'bukura e me djelm t'ri, gja e vend shumë, ara e bashtina, me burra trima, me gra të dlira”;


Por qielli e dënoi lisin tonë vigan, t’i bien gjethet, pas çdo suferine, kur lisat e tjerë, kudo anembanë, çelin gjethe, përgjatë çdo stine?...


Sot lisi thërret bijtë e shpëtimit, të përtërijnë degët dhe rrënjët, të kthehen zogjtë prej shtegtimit, të thurin foletë, të fillojnë këngët...

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page