
Zoti lexon gjuhën e panjohur të heshtjes
Fatmir Terziu
… edhe ikjet janë gjuhë.
Në zanoret e tyre lahen shtatë palë heshtje,
shtatë palë retina lajnë grimin e mishtë syve.
Ti je aty në mjedisin e qelqtë,
një sipërfaqe e mbajtur rëndë,
një bulë e pavdekshme e lehtë,
ndërsa miliona lotë njomin kurmin tënd…
… është gjuhë e panjohur heshtja e moçme
është rregull i pashkruar edhe sot,
nga fjala në fjalë,
dhimbës në zemrën ende të ngrohtë
duke gjerbur një mol në ballë…
… e dhimbshme,
e shtrenjtë…
e pavdekshme ikja jote
në këtë përkorje gjuhësh të moçme
shtatë palë heshtje struken në lëkurën e kësaj bote…
… e hëna,
e marta,
nga e mërkura përtej të enjtes
e tutje deri të dielën
zoti lexon gjuhën e panjohur të heshtjes.
Ikonë
Fatmir Terziu
… ka kohë që e mbajmë të racionuar gjumin
kurse ëndërrat i shohim edhe pa praninë e natës,
dita është e gjerbshme në dy qelqe të lëngshëm
rrjedh në filtrat që s’numërohen
e struket në poret e fotografive
pa bërë zhurmë,
është ikona e syve
që rri në çark të sekondave të pandjeshme
dhe s’lodhet kur qepallat në mënyrë lakonike
tumirin largësinë e dremitjes…
… kjo dremitje është sitëlot,
e grimuar, e ujdisur, e veshur
koha që të pret e përcjell çdo sekondë
si një lloj Prometeu pa zjarr që perceptohet i qeshur.
Trishtimi
Fatmir Terziu
… edhe kur shtirem se kaloi
shoh degëzën që ulliri im i vockël gjethen e lëshoi
e di çfarë më sjell ndërmend…?!
…Pëllumbat që fluturonin poshtë tespive të tua
ndërsa duhej të mos e përfshije arithmetikën e syve
në numra që iknin vetvetiu
nuk ka nevojë të shtirem
se pse kjo Lëndë është e përzgjedhur mes lëndëve
në këtë shkollë të madhe të Jetës
ku ndryshe nga rastet e tjera,
“nuk ka ca të nënës, e ca të njerkës”…
… ndaj zbres sytë e përhumbem rishtas
ku gjethëzat bien netëve si kërcitje gishtash.
… asnjë ndryshim
Fatmir Terziu
… asnjë ndryshim
… e di çdo gjë është shkruar. E di
shkrimi është si një anekdotë e tejzgjatur e njeriut
çdo gjë ngjan me fytyrën e një kali në udhë të largët
të lodh
të kall frikë
kur sheh ushtrinë e fjalëve të përdorur nga të përdorurat
pak fjalë s’gjenden lehtë
kushtojnë mjaft shtrenjtë
brenda një merakotje që zbret nga lartësitë
nga dora jote tek dora e stërlodhur e kësaj bote
kaq shumë ëndërrza zgjojnë fjalët
kaq shumë zbresin në të bardhë
duke grisur me fjalë kostumet e tyre …
… të pres me sy të ujtë s’po fle prapë
u kam vënë melhem për mosmbyllje syve.
Edhe në këtë vegim … asnjë ndryshim.
Comments