top of page

Zonja që lau kufomën e ish-lajmësit të fejesës së saj


Zonja që lau kufomën e ish-lajmësit të fejesës së saj


Tregim i jetuar nga Fatmir Terziu


Tezja ime jetonte në fshat. Emrin e kishte Zepije Sinani Cenaj. Ishte më e madhe se nëna ime, por më e madhe dhe se tezja tjetër. Ajo rriti një familje të madhe me shumë djem e vajza. Djem e vajza model për familjet e tyre. I shoqi u largua më herët se ajo nga kjo jetë. Ajo pas atij momenti të largimit të të shoqit u bë në atë shtëpi edhe zonjë, edhe zotëri. Gjithnjë në fakt kishte po atë rol. Si gjithnjë një rol. Zonjë Grua!

Ky ishte togfjalëshi që adresohej sa herë që dikush përmendte emrin e tezes sime. Edhe atë moment… Edhe atë moment ashtu u përmend ai togfjalësh. Vetëm një fjalë duhej. Dhe ajo u ngrit nga vendi.

Historia është e shkurtër. Vetëm lexojeni me kujdes.

***

U dha lajmi se kishte ndërruar jetë një nga mësuesit më të moshuar të fshatit. Një mësues që ishte komshi me tezen time. Një mësues që kishte edukuar mjaft mirë familjen e tij, ku të gjithë fëmijët ishin me shkollë të lartë. Një familje me të cilën krenohej, jo vetëm fshati, por e gjithë zona. Por, krenaria mbetet në të gjallë, se kur ikën tjetri disi bëhet një metaforë fjalësh. Të gjithë flisnin e ngisnin malin e metaforave ato momente. Dhe kështu fjalët ishin nga më të mirat, për Njeriun, që sapo kishte mbyllur sytë, por tërhiqeshin si një llastik për ata që i kishte lënë pas. Eh, sa ngushtë zihesh në jetë?! Jo të gjithë mund ta nënkuptojnë. Jo të gjithë mund ta marrin rolin e duhur praktik në jetë… Kjo, sepse mbyllja e syve, sidomos në atë fshat, kërkonte dhe disa adete. Adete që lidheshin me traditën dhe me respektin për kufomën. Shkurt duhej larë trupi i pajetë.

Larja e kufomës në ato zona bëhet nga burrat, kur kufoma është e gjinisë mashkull, dhe nga gratë kur kufoma ishte femër. Kufoma ishte mashkull, sikurse e thamë. Dhe kështu që duhej bërë adeti i traditës dhe respekti i përcjelljes. Të gjithë silleshin përqark. Askush nuk e kishte idenë. Askush nuk dinte se çfarë duhej bërë.

Duhet larë kufoma. – u tha më i moshuari, që sapo mori vesh lajmin, por që mezi ngrihej nga minderi, e që i dridheshin duart.

Duhet larë? Po si? Dhe sytë vetëm nguleshin sa tek njëri e tek tjetri.

Lajmi shkoi tek tezja ime. Ajo brofi në këmbë. Dhe natyrshëm lotët ishin shenjat e para të dhimbjes për një njeri që ikën, aq më shumë për një komshi të nderuar, për një familjar e kryefamiljar që u gjendej të gjithëve sa ishte në jetë. Sakaq iu kujtua mirësa e të birit doktor, që kishte treguar për të shoqin, kur ai ishte i sëmurë. Nuk e bëri më dysh. Hapin e ndaloi atje…

I pa të gjithë. Ishin të shokuar. Askush nuk dinte nga t'ia niste. Frika ishte se kufoma po të ftohej, do të ishte vështirë t'i shtrihej trupi. Kërkoi mjetet që i duheshin. Mori tre gra të tjera si ndihmëse. Kërkoi disa mbulesa të bardha dhe ia nisi vetë.

Përgatiti ujin. Mori sapunin. E lau ashtu sikurse duhej kufomën dhe më pas iu kthye të tjerëve që vajtonin për atë që tashmë ishte në rrugën e tij të përjetësisë. Për atë që ishte tashmë në duart e Zotit.

Pasi mbaroi punë, ashtu sikurse ishte në këmbë iu drejtua dhe njëherë të tjerëve. Dëgjoni, u tha, tani do të ju tregoj rrëfenjën e parë që na e ka treguar kur na mësonte në shkollë. Ai na tregonte dhe ne strukeshim pas njëri-tjetrit. E dini pse? Kishim frikë. Na pyeti. „Cila është ëndrra e një të vdekuri që dëshiron të lahet?“ Ju thashë ne kishim frikë. Por ai na mësoi se si ta largonim frikën.

Na tha kështu: „Në një ëndërr të tillë, dy shenja kombinohen menjëherë. Është larja, e cila shoqërohet me pastrimin dhe tjetra është vetë i ndjeri, i cili është lidhja midis botës së të gjallëve dhe të vdekurve.“ Ai fliste ne dridheshim. Gati ishim zverdhur nga frika. Atëherë edhe pse ishte ëndërr e treguar nga mësuesi, që sapo ia lamë trupin, ne kishim frikë, por ashtu sikurse na e tregoi ai atë mesele, ne e flakëm frikën ngadalë, ndërsa ai vazhdonte rrëfimin…

„Ëndrrat në të cilat lahet një i vdekur mund të kenë kuptime pozitive dhe negative. E gjitha varet nga ajo që shihet saktësisht. Në shumicën e rasteve, larja e një personi të vdekur në ëndërr, pa marrë parasysh sa e çuditshme mund të duket, i premton ëndërrimtarit një mesazh të mirë.“ Dhe unë e mbajta këtë vathë në vesh. Isha një vajzë e re. Dhe normalisht sapo kisha filluar të shihja ëndrra. Një natë pashë dhe një ëndërr tjetër… Unë në ëndrrën time po laja një kufomë. Ia tregova nënës dhe ajo buzëqeshi. Dëgjo bija ime më tha, „kur një vajzë e pamartuar sheh ëndërr duke larë një të vdekur, është shenjë nga Zoti, se së shpejti do të martohet.“

E dini se unë në fakt nuk doja ta besoja? Por ja që vetëm një ditë më ndau nga ëndrra që pashë, kur ky, që lava sot, babai juaj i nderuar, ishte ai që trokiti në derë si lajmës për djalin e mikut të tij, që u bë bashkëshorti im i jetës. Prandaj, duart nuk hahen. I qoftë hallall e gjitha…

Të gjithë ishin të hutuar, gati kishin harruar se i dashuri i zemrës së tyre kishte ndërruar jetë, madje kishin harruar edhe të vajtonin. I ishin afruar afër e më afër tezes sime, asaj që lau kufomën e ish-lajmësit të fejesës së saj, dhe të gjithë e përqafonin. Dhe vetëm e përqafonin…

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page