Dr Fatmir Terziu
Në tiganin e vendosur mbi stufë temperatura kërkon të huazojë frymën e vajit të derdhur në të. Po skuqen patate. Patate të skuqura dridhen dhe mblidhen në tigan pa ndonjë problem. Fasule të bardhëborta nga Fshati i Ri (Novosell), kokrra të shpërndara në mënyrë të barabartë (nëse unë them kështu me veten time.) Salca braktis enën e vetë të qelqtë dhe rrjedh mirë për të shkuar në bardhësinë e pjatës që është vendosur në një tryezë ku dominohet nga tenteneja dhe qëndismat e një dore që s’di se ku ka pushuar së ushtruari art. Pastaj vendoset djathi i Sharrit. Shenja gjenerike e përzier me djathë. Unë i rrokullis gishtat e mi (të larë) në çantën e qafuar fytazi prej zinxhirit, kap një mjet të bujshëm dhe një zhurmak djallëzor për ta vendosur kokëposhtë, fare poshtë me fytyrën e tij treguese në vaktin e tij gustator. Dhe ndjej se ndërtimi i lotëve ka filluar herët në atë mjedis.
“Jo,” përhumbjet e vetëdijshme, “ju nuk do të qani për shpirtin e copëtuar”. Unë shtoj një çikë grimë në leximin tim, pastaj një tjetër shfletim në brendësi të librave të Selim Adilit, për të vendosur dominimin.
E rrëshqas lehtë fletëzën e vogël dhe kundroj brenda saj leximin e thershëm…
… trishtuese! “Vdiq poeti për fëmijë Selim Adili”, shkruan nga Çikago Profesor Skënder Karaçica.
Dhe detyra tjetër përtej leximit më zhgryhet në planin tjetër të ujtë, të dhimbshëm, plani prishet. Ngrihem dhe përpiqem ta rregulloj qasjen e nxehtësisë, që lëvron mes një bote të tillë.
Dëgjoj zërin tuaj në mënyrë kaq të qartë, sikur po thërrisni akoma nga ana tjetër e librit: “Kujdes, kujdes! Zogjtë e Kërçovës!”
“Duhet të shtypni butonin …, ai larbon dhimbjet shumë më shpejt”.
Lotët fillojnë të rrokullisen. Unë mendoj se sa i ngazëllyer ishit kur flladi i Sharrit u shndërrua në mënyrë të përkryer në një përkujdesje shpirtërore, memorje, kujtesë, përtej dashurisë së vendlindjes që të hynte me katërmbëdhjetë vëllimet e tilla ndjesore në frymën e vegjëlisë dhe lirinë e mendimit të shprehjes, edhe dhimbja ishte për shkak të arsyes dhe më së shumti prej Tjetrit:
“Fshati Novosell,
ose Fshati i Ri
i rri fshatit Sërbicë
si kapuç mbi kry.
Në këtë fshat të vogël
u rritën shumë trima
në kohën e komunizmit
kanë rënë shumë viktima…”
Vetëm pak kafe, fjalëpak gjithashtu, gjithnjë kaq lartësues, i freskët në respektin ndaj vlerave. Poeti Selim Adili edhe si mësues i shkollës shqipe në Kërçovë, bashkë me ditarin e klasës ai mbante në shpirt diçka të mirë për të vegjlit shqiptarë dhe si lum frymëzimi ai nga koha e mërgimit në Amerikën e largët niste mesazhin e tij poetik për rritë të mbarë dhe zogj jo shtegtarë të udhëve të mërgimit. Dhe vlerat kapërcëjnë gjeografi. Pikëtakojnë njeriun, mikun, bashkëvendasin në Atdhe Tjetër, Dr Xhelkun, njeriun e mirë për të cilin poeti ndjen krenari se:
“…edhe sot krenohet me Dr. Xhelkun
në Rumani që jeton
dhe çështjes kombëtare
kujdes të madh i kushton…”
Ne do të mbajmë në memorje gjatë dhimbjet e persekutimit të Njeriut të Lirë, ndoshta një produkt i shijes tuaj superiore, që mbartte në brendësi të fjalës së thjeshtë poetike vetëm dashurinë për të gjithë. Natyrisht, duke vlerësuar gjithçka që mban dhe përcjell vlerë, por gjithnjë mirë e më mirë kur fati i Njeriut përputhej me idenë në kokën tënde, për mikpritjen, bujarinë, lirinë, dashurinë dhe respektin për gjakun e derdhur ...
“Burrat e këtij fshati
Që prej kohësh më parë
Kanë qenë e janë të dalluar
Si mikpritësa e bujarë.
Fshati është krenuar me Rexhepin
Me patriotin kombëtar
Me Baki Alilin
Mikpritës e bujar.
Krenohet me Sali Ramadanin
Luftëtarin e lirisë
Që e flijoi jetën
Për të drejtat e shqiptarisë…”
Tashmë Kërçova ndjen fluturimin e freskët të zogjve. Dhe mbi tryezën e shtruar atje tej në të tashmen, ende ndjehet era e patateve të fërguara. Ende ndjehet aroma e Djathit të Sharrit. Ti, poeti që e doje shumë fëmijërinë, vendlindjen ende je aty i ulur në odë, mbahesh rrëndë në divan dhe lotët shpërbëhen, duke u dhënë frymëmarrje fjalëve të teksteve të tua në stuhi fëminore.
“Na mungon?”, nuk do të ishte një fjalë e goditur, se mbete mes nesh, dhe pse vajtimi nuk shkon dhe shuhet në një shtëpi të zbrazët. Coha e ngrohtë mbulon faqet e prushta në vendlindje dhe gjelbërimi kashtisës e i pastër natyror zbret sikurse enigmat dhe stolisjet në dhomën me ajër të kondicionuar.
Ndihem kaq i vogël. Dhe mundohem të zhbëhem nga ndjesia e të qënit ndryshe. Ndihem kaq i marrë për të qarë për të rilexuar një botë të madhe, një botë të bërë gjigante edhe me gjëra të vogla.
Ndihem kështu ... kështu ... Një zile depërton në mes të hapësirës së shkruar. Tingëllon. Cingërron. Më zgjon me vetëdije. Shoh një fëmijë. Vrapon dhe fshin me mëngë të gjithë fytyrën e tij të mbuluar me lotë … dhe tutje sytë bëjnë rikoshetë në tryezën me qëndosje e tantella … në tryezën e shtruar amanet për të ngritur përsëri në këtë botë vetëm dolli. Dolli nga amaneti i tij… Dolli nga shpirti i lirë i poetit të mirë se:
“Ky fshat i vogël
me prejardhje të Ilirit
i ruan traditat shqiptare
si dritën e syrit …”
Qielli tashmë ka filluar të dorëzojë detyrimin e tij ditor të dritës. I kap retë si me pinceta të vogla dhe i palit tufa-tufa mbi Kërçovë. Copat e tjera, ende jo të zbrazura nga kreu i maruleve i shpëlan nën rubinetin e dhimbjes dhe dashurisë së saj. E përfundon recetën... I nxjerr një karrige. Aty ulet dhe vazhdon të shfletojë e të shfletojë ... përtej ikjes së poetit. Dhe në kaltërsi rishkruhet me të bardhën e bardhësisë nga Zogjtë e Kërçovës, ikja e poetit është një emocion i tillë i çuditshëm. E pra, Zogjtë e Kërçovës lexohen në librat e Selim Adilit!
Comments