ZOGJTË E FJALËVE NJERËZORE


Vullnet Mato


ZOGJTË E FJALËVE NJERËZORE


Eh, sa hijeshi kanë zogjtë e fjalëve njerëzore,

zogjtë e bukur të fjalëve të lira fluturake,

kur dalin nga foletë e buta të gjuhëve gojore

duke plapuritur krahët në ajër me ecejake!....


Atëherë shpirti kënaqet e pranvera lulëzohet

dhe vera freskohet dhe vjeshta ëmbëlsohet...

dhe bora shkrin e dimri zbutet e ngrohet,

për të jetuar harmoninë e klimës që dëshirohet.  


Pastaj kur zogjtë tanë të fjalëve bashkohen

dhe nëpër qiell bisedash të lira, vrundullojnë,

me trumbat e zogjve gojor të botës takohen,

eh, sa kënaqësi të dëgjosh, sa ëmbël cicërojnë!


Se kur fluturojnë të lirë, lulon pranvera bleroshe,

vera shton në ajër aromën dhe freskinë, 

vjeshta mbush shportat me fruta kuqaloshe 

dhe dimri nxjerr nga palca e vet ngrohtësinë.


Por kur dalin si nga foletë e plumbta të pushkës,

skifterët e zinj të fjalëve të errëta përgjimtare, 

dhe sulmojnë egërsisht zogjtë e lirë të gjuhës,

e i shpuplojnë mizorisht me rrokje vrastare;


Atëherë edhe pranvera vyshk lulëzimin,

dhe vera me plazhe than të gjithë ajrimin,  

dhe vjeshta me shira rrëzon gjethimin

dhe dimri me borë shton më tej akullimin...


Ka pak ditë që dhe mua, në publikimet ajrore,

ma vrau trumbën e zogjve fluturak të gjuhës,

një skifter anonim i gjuhës së vjetër skifterore,

që erdhi nga korijet e errëta të gajushës;


Për shkak se i preka të djeshmen moçalike,

me ujëra të ndenjura e gjarpërinj kënetash,

kur lëshova zogjtë e mi të fjalëve poetike,

të fluturonin në qiellin me oksigjen vjershash.


Ah, si m’u vyshk frymëmarrja pranverore,

si m’u tha gjuha e lagësht, nga zagushia verore,

si m’u zverdh fytyra e qeshur nga mërzia vjeshtore,

si m’u ftoh gjaku i vakët, nga akullnaja dimërore!


Dhe mendova, se zogjtë e fjalëve njerëzore,

mund të fluturojnë të qetë, në kaltërsi të sigurta,

vetëm kur të vijë stina e madhe e lirisë gjuhësore,

pasi të zhduket specia e skifterëve të zinj në gajusha.


#vullnet #mato

10 views

Shkrimet e fundit