top of page

ZOGJTË DHE POETI


ZOGJTË DHE POETI

Niko Kacalidha

Nga Timo Mërkuri

Do të vdisja i virgjër në tempujt e gurit. Do vdisja i virgjër

…unë thirra zogjtë e virgjërisë të më shpëtonin nga vdekja e

harrimit me spirancën e hënës anëdeteve dhe perin e Arjanës

pyjeve….

………..Mua më shpëtuan zogjtë se do të vdisja i virgjër

në suicidin e hënës varur në shpellën e Polifemit me litarin

e jaseminit në lteret dimërore të borës”.(f.221)


I-Është kjo një poezi e Niko Kacalidhës, botuar fillimisht te libri i tij ”Pagëzimi i zogjve[1]”, përfshirë te përmbledhja “Heraldikët e borës” që të befason sa me metaforën poetike aq dhe me formnën e vargut. Arsyeja është e dukëshme, në poezinë shqipe, natyrshëm ka qënë njeriu ai që ka shpëtuar dhe ndihmuar zogjtë[2], por ja që në poezinë e Niko Kacalidhës ndodh e kundërta: “Mua më shpëtuan zogjtë se do të vdisja i virgjër në suicidin e hënës..”. Sigurisht që “zogjtë e virgjërisë” janë “zogjtë e fëminisë”, të cilët poeti i thirri në vargun dhe jetën e tij qysh në moshë të re, pa u rritur të shijojë bukurinë dhe brishtësinë e jetës, sepse nuk dihej se çfarë rruge do i mirrte ajo (jeta) në kushtet e vendit tonë. Një varg i gabuar jashtë formatit të soc-realizmit dhe ai mund të përfundonte i: “varur në shpellën e Polifemit me litarin /e jaseminit në lteret dimërore të bores..”. Nuk është nevoja ta ilustrojmë me emra si-vëllezërish poetë, por themi se do mjaftonte kjo poezi, publikimi i të cilës në kohën e gabuar ta çonte poetin: “në suicidin (vetëvrasjen) e hënës varur në shpellën e Polifemit..”.

Niko Kacalidha ka folur me metaforat e “gjelbërta” për t’i shpëtuar Polifemit monist, jetëgjatësia e të cilit u ushqye me “frikën” e qytetarëve, “frikë” që rritej nga dashuria njerëzore e tyre për fatin e pjestarëve të tjerë të familjes, nqse ata do revoltoheshin publikisht. Ne që e kemi përjetuar e dimë se lufta e klasave ka qenë “kuçedra” më e egër që ra mbi kombin tonë. Niko Kacalidha u “struk si bilbili” në metaforat poetike mes drurëve e zogjve dhe duhet zbërthimi i simbolikës së tyre për të kuptuar se vargu i tij poetik ishte një rezistencë dhe sfidë ndaj monizmit të kohës së “virgjërisë” së tij.

Tipari i dytë i dallueshëm është forma e paraqitjes së poezisë, ku poeti është larguar nga konceptimi në formë vargjesh të rregullta apo të lira duke na e prurë poezinë në një formë të re, sa të ngjashme me prozën (si formë) aq larg saj në stil. Kjo formë poetike, e cila do mbartë poezinë e autorit deri në lartësinë e saj më të arirrë në “Blatimet e borës”, është vendosur prej tij në mënyrë të ndërgjegjëshme në krye të librit “Pagëzimi i zogjve”, sikur do të na thotë se Niko Kacalidha tani flet me një tjetër nivel dhe formë poetike. Në leximin e këtyre krijimeve ndjen se kjo është forma më e lartë e poezisë së tij, më e ngjeshura në mendime, më e përsosura në art, ndërkohë që është forma më e preferuar sot në botë, çka tregon se poeti ka një ngjitje cilësore në formë e përmbajtje të poezisë së tij, ngjitje në atë nivel , sa me të drejtë duhet ta quajmë një poet i madh. Të kuptohemi, Niko Kacalidha është poet i madh jo pse nuk ka patur vargje të “dobëta” në fillimet e tij, Niko Kacalidha është një poet i madh pse e përsos dhe lartëson çdo ditë poezinë e tij, në art dhe formë, duke e bërë atë sa moderne aq dhe me ide të reja të shprehura poetikisht. Niko Kacalidha është një poet i madh pse ka një poezi të gjallë që rritet çdo ditë, siç rriten çunat e bëhen djem, siç rriten djemtë e bëhen trima.


II-Tani Niko Kacalidha nis e këndon si zogu në pemë poemën e tij “Pagëzimin e zogjve”. E parë në tërësinë e poezisë, kjo poemë është një mrekulli poetike, sa që dyshon se është vepër e poetit apo këngë engjëjsh. Ai ështe vetë zog, sa në tokë, aq dhe në qiell e në drurë, ai është pagëzori i zogjve dhe këngëtari i tyre.

Në poezinë shqipe, zogjtë rinë nëpër vargje si në degë pemësh në krijimet e çdo autori dhe ne admirojmë ngjyrat dhe cicërimat e tyre në pranverë. Në artin gojor ndodh që zogjtë të klithin plot tmerr për “të vdekurin me të gjallë/hipur në të njëjtin kalë”, klithin “për motrën që u bë qyqe dhe vajton brigje më brigje” apo për nënën që do ta ndërpresë vajtimin për të birin kur të zbardhen “pendët e korbit”. Në hershmëri pëllumbat postierë sillnin porositë e Zotit te njerëzit, pëllumbat e lëshuar nga Noe, me një dege ulliri në sqep prunë lajmin e gëzuar të uljes së ujrave të përmysjes së përbotëshme mbi dhe, shenjë kjo e nisjen së jetës të re në tokë. Është e natyrëshme të jenë zogjtë në artet gojore dhe të kultivuara, por askush si Niko Kacalidha nuk e ka ngritur jetën dhe botën e zogjve në poezi në mënyrën kaq shpirtwrore, sa që leximi i kësaj poeme është një nga impresionet më të mëdha të leximit poetik. “Poeti Niko Kacalidha, në librin e tij të bukur "Heraldikët e borës", ka një poemë të mrekullueshme, e cila është një Apoteozë me A të madhe për zogjtë me përjetime e imazhe poetike mirëfilli vetjake dhe mbresëlënëse..” shkruan studiuesi Ilia Lwngu nw profilin e tij tw fb tw dt 02,02,20223.

Niko Kacalidha e ka krijuar botën e zogjve sipas shëmbullit të jetës së njeriut në tokë, ndaj: “Janë zogj a gjethe apo shpirtrat/tanë që po enden nëpër qiej? ...(f.222) pyet poeti. “I pari, /në vesh ciklamini i tha gurit zanafillën e zogjve” (f.222) nis e tregon poeti e shton: “Me zogjtë flas agimeve në mbretërinë e drurit”, për të vazhduar më tejë:

Erdhi mbrëmja e erdhi agullimi dhe jargavani

betohej në bebëzen e zogjve: “Për kokën e zogjve!” (strofa 2.f,223).

…………………………………………….

“Në pisha e bredha është koncili i zogjve.

Kokë më kokë dalë nga muzgu, në një këmbë,

në formë korale, mësojnë formulën e pagëzimit”(strofa 4. f.224)

dhe si për ti dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme poeti shkruan:

Dhe psalte patriarku i fundit drurëve, mullizeza,

rekuiemin e fundit” (strofa 13. f. 228)

Zogjtë janë si fëmijët, të qeshur e të padjallëzuar, ata duan të jetojnë në harmoni mes tyre dhe nuk bëjnë dallime race a besimi, kryqet që mbanë në qafë janë simbole harmonie:

“Zogjtë, me mijëra kryqe vocërrakë mbi kurrizin

e bjeshkës.

Zogjtë, nga një kryq secili varur midis qiejve.

Zogjtë, të kryqëzuar për shpëtimin e brigjeve,

vesuar me mjedrën e amshimi” ( strofa 14. f.230)

Pafajësia e tyre zbut edhe zotat e ashpër të luftës e të dhunës:

“Artemida m’u betua se s’ka vrarë asnjë zog, pyjeve.

Orfeu m’u betua se s’ka prerë asnjë kordë zogu për

lirën.

Pani m’u betua se s’ka prerë asnjë fije bari nga

racioni i zogjve.

Persefoni m’u betua se s’ka hequr asnjë gjeth nga

shtrojet e zogjve”. ( strofa 17 f.231)

Lodrat e tyre janë lodra adoloshentësh të padjallëzuar:

“Zogjtë pickojnë qerpikët e virgjërisë dhe zgjojnë

vajzën e dehur nga puthja ndanë lumit, njëqind vjet

ëndërruese në krahët e një statuje.

Zogjtë shkopsitin sumbullat e limonit anëdetit.

Nga shkuma shfaqet, frushullon gjifryrë Afërdita”.

Poeti jeton në botën e zogjve, madje ai është pagëzori i tyre:

Unë, pagëzori i tyre duke shfletuar ungjillin

e gjetherimit, u mësoj formulën e pagëzimit:

“Në emër të atit, të birit, të zogut të shenjtë…” (strofa 16 fq. 230)


Madje deklaron se:Në fillim ishin zogjtë dhe shpirti i zogjve”duke shtuar:


“Nga zogjtë,

tha, nga zogjtë u bënë konstelacionet e yjeve.

Nga shpirtrat e tyre galaktikat në qiejt e qershive.

Dita korrigjon strabizmin e saj në syrin e zogjve”.(strofa 18.f231)


Madje zogjtë kanë aftësinë të anashkalojnë disa ligjësi të natyrës:


Zogjtë shkrumbuar nga zjarri i Heraklidit

në lumenjtë e zjarrit me psalmet e tyre.

Ringjalleshin nga hiri e ripagëzoheshin sa herë

të donin në lumin e Leshnicës. Nuk hynin

në të njëjtin lumë dy herë, zogjtë e pagëzuar.

Njëmijë vjet dalë nga lumi i njëjtë i pagëzimit.

Njëmijë herë në ditë e prapë si në ditën e parë

të krijimit” (strofa 20 f. 233).


Leximi i kësaj poeme të Niko Kacalidhës të mban mbërthyer mbi vargje si një ëndërr e bukur, që i dëshiron gjumë. Te kjo poemë kuptojmë se poezia e Niko Kacalidhës është shkolla më e mirë e simbolikës dhe metaforës letrare dhe tekstet më ideale të kësaj shkolle janë vetë poezitë e tij.

Le ti lexojmë bashkë disa vargje poetike të kësaj poeme: “Në fillim ishin zogjtë dhe shpirti i zogjve”, pra në fillim bota ishte e bukur dhe e virgjër, pa vese e dhunë, “Duke tunduar Perëndinë pas Yllit të Karvanit”, pra kaq e bukur ishte bota sa dhe Perëndia e kishte zili, “Dallëndyshet të kapura në jakën e babait. /Pëllumbat të strukur në gjirin e nënës. /Sqepitën nyjen gordiane dhe vërshuan gurrat/e agullimit” sepse dallëndyshet dhe pëllumbat lidhen me prindërit dhe shtëpinë (ku e bëjnë folenë) dhe zgjidhjen e problemeve familjare (ardhjen e agullimit) prindërit e bënin sa me diplomaci aq dhe duke “prerë nyjen gordiane” të çastit, “Dhe unë pagëzori pres në krisjen e shegës, / me peshqirin e purpurt të pagëzimit” sepse pret të çahet shega nga tejpjekia, të pikojë lëngu i saj e të pagëzohen zogjtë, “Bjeshkët bronxore kanë në kreshtat e tyre çapat /e yjeve dhe në krifë belbëzimet e zogjve” sepse bjeshket ngjyrë si bronxi, duket sikur përbëhen nga gjurmët e çapave të yjeve dhe bëlbëzimet e zogjve, “Koka e Gjon Pagëzorit prerë për foletë e zogjve” se koka e Gjon Pagëzorit e vendosur në tepsi, sipas urdhërit të mbreti Herod ngjante me folenë e zogjve në degë etj.

Natyrshëm shpërthen admirimi si shatërvan për vargjet e goditur në poemë, si: “Nëna thërriste zogjtë me emrat e bijve të vrarë”, “Xheloze Afërdita nga puthjet e zogjve”, “Në vatër,/ kokë më kokë, flinin zogjtë e mi, pranë bijve”, (shihni cilësimin: zogjtë e mi, pranë bijve dhe jo bijtë e mi pranë zogjve), apo strofat”, “Zogjtë shkojnë e flenë në gëmushën e hënës, zogjtë,/ shkojnë falen në faltoren e hënës, mëkatarët e hënës” etj. dhe të gëzohemi si poeti për pavdekësinë e zogjve:

“Ikni, u tha Karonti në brigjet e Akeronit,

për ju s’ka varre, për ju s’ka vdekje!” (strofa 32 f.240)

dhe mirëkuptimin e harmoninë e tyre:

Shkuan mbi kullën e Babelit për gjuhën e tyre.

“Ikni, u tha një zë nëpër qiej! Një gjuhë keni ju,

me ciu…ciu… ciu…” Gjithmonë do të merret

vesh trumcaku me gushëkuqin kur bie mbrëmja.

Gjithnjë do t’i përgjigjet dallëndyshja mëllenjës

në maternitetin e prillit”. (strofa 32 f.242).



Sarandë, më shkurt 2023

[1] Niko Kacalidha “Pagëzimi i zogjve” Onufri Tiranë, 2006. [2] Naim Frashëri “Zogu dhe djali”:Një zog të vogël zuri një djalë/Ai po dridhej dhe i thosh ca fjalë

43 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page