ZI NË FAMILJEN E XHIM XHEMËS


Mrika Xhema

Nga Frank Shkreli

Ndërroi jetë bashkshortja e Xhim Xhemës, Mrika -- një bashkshorte e dedikuar, mike dhe e dashur për të gjithë ata që e njohën dhe filantropiste e dalluar e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjërë. Fillimisht, dëshiroj që mikut dhe bashkatdhetarit tonë Xhim Xhema dhe familjes t’i shprehi ngushëllimet -- e mia dhe të familjes time -- më të sinqerta për këtë pikëllim. Me ketë rast të dhimbshëm jemi afër bashkatdhetarit dhe dashamirsit tone të kahmotshëm, njëherazi edhe përkrahsit të ndritur të çështjeve madhore kombëtare, duke marrë pjesë në pikëllimin e tij, me ndjenjat më të gjalla miqësie, ndërsa i dërgojmë përdhimbtimet tona më të sinqerta. Lutem që Xhimit, i Madhi Zot t’i japë forcë për të bartë këtë humbje të rëndë, për të, familjen dhe për farefisin e tyre.

Vet Xhim Xhema, të cilin unë e konsideroj si njeriun në krye të listës të aktivistëve më të dalluar, në mos dhe më i efektshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan për çështjet shqiptare, por edhe familja e tij kanë preferuar gjithmonë të bëjnë një jetë private, por për dekada kanë bërë punë të mëdha dhe pa zhurmë, “pa rrahur gjoksin” se unë bëra këtë, e unë kontribova këtu, e tjera, siç thotë një fjalë popullore. Si rrejdhim, besoj se është e dobishme të ndajmë me publikun shqiptar, këtu në Amerikë dhe në trojet tona në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë pak hollësi mbi jetën dhe veprimtarinë e të ndjerës Mrikë, ashtu siç janë shënuar në nekrologjinë e botuar në median amerikane, me rastin e kalimit në amshim të Mrikës, nga shkrimtari amerikan Rob Taub.

Mrikë Xhema ka jetuar me bashkshortin e saj Xhim Xhema prej një kohe të gjatë në qytetin Greenwhich të shtetit Konetikut. Ajo ndërroi jetë më 17 prill, 2020. Mrika ka lindur në Tivarin shqiptar, nën Malin e Zi më 26 Shkurt, 1946. Në vitin 1969, ajo ka ardhur me bashkshortin e saj Xhimin në Shtetet e Bashkuara ku ajo punoi si Sekretare Ekzekutive në ndërmarrjen e ndërtimtarisë të bashkshortit të saj Xhim Xhemës, “Xhema Industries”.

Autori amerikan Rob Taub shkruan në nekrologjinë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Mrika Xhemës, se ajo ishte një katolike e devotshme, anëtare e Kishës St. Mary në qytetin Greenwich, ku ajo njihej për njerëzinë dhe aktet e shumta filantropike. Ajo është shpërblyer shumë herë për aktet e saja bujare dhe zemërgjërsie, sidomos për dhuratat e konsiderueshme të familjes Xhema për ndërtimin e Katedralës Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Republika e Kosovës, që siç dihet është ndërtuar pas luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për çlirimin e Kosovës, në vitin 1999. Ajo njihej në rrethin ku vepronte, sipas autorit Taub, nga miqtë dhe anëtarët e kishës që ajo frekventonte si një, “person i pa kursyeshëm, e gatshëme për të ndihmuar gjithmonë njerëzit më në nevojë, e cila nuk kishte kurrë asnjë fjalë të keqe për të thënë, për askënd.”

Ata që e kanë njohur, shkruan Rob Taub, se megjithë sëmundjen e gjatë nga e cila vuante, Mrika ishte gjithmonë e qeshur, e lumtur dhe optimiste dhe këto cilësi i reflektonte pozitivisht edhe tek njerzit me të cilët bisedonte e punonte. Mrika njihej edhe për humorin e saj, sipas miqëve dhe bashkpuntorëve të saj. Një mikeshë e saj e ngusht e përshkroi Mrikën kohët e fundit si “një grua të jashtzakonshme, plot dinjitet, njerzillëk, inteligjencë dhe bukuri.” Megjithëse vitet e fundit ishin të vështira për Mrikën për arsye të sëmundjes së rëndë që e kishte goditur, ajo kurrë nuk ankohej.

Kur ishte në gjëndje të mirë shëndetsore, Mrikës i pëlqente të kalonte kohë në shoqëri dhe të udhëtonte me bashkshortin e saj Xhimin dhe me miqtë e tyre të shumtë. Mrika ishte mirënjohëse për të gjitha të mirat në jetë dhe ndjehej sinqerisht e bekuar për përvojën që kishte patur mundësi të vizitonte aq shumë shtete e kultura të ndryshme. Ajo fliste katër gjuhë të huaja dhe kishte një memorie të përsosur. Ndërsa shëndeti i saj po keqësohej, në ditët e saj të fundit, ajo gjithnjë veshej në mënyrë elegnate e të përsosur çdo ditë, edhe pse disa nga ato ditë, ajo nuk mund të dilte nga shtëpia, thuhet në nekroligjinë e saj.

Mrika Pecaj Xhema la pas burrin e saj Jim Xhema dhe një familje të madhe dhe krenare, e prëhapur në të gjithë zonën tre-shtetërore. Ajo i mbylli sytë në paqë e rrethuar nga bashkshorti Xhimi dhe miqtë e saj ndërsa dëgjonte muzikë Jazz.

Njoftohet se për shkak të rregullave të distancës sociale në këtë kohë epidemie, Mrika Xhema do të varroset gjatë një ceremonie katolike private. Një meshë e plotë funerali dhe celebrimi i jetës së saj do të planifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur, thuhet në njoftimin për kalimin në amshim të Mrika Xhema, bashkshortes së aktivisti dhe patriotit të njohur shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema.

NJË SHËNIM I SHKURTËR PËR XHIM XHEMËN --

Xhim Xhema nuk ka nevojë për paraqitje. Shqiptaro-amerikani, Xhim (Xhemail) Xhema, është biznesmeni dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar në tërë historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Xhimi, siç njihet nga miqtë dhe dashamirësit e tij, jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte vendosur prej më shumë sëe një gjysëm shekulli. Ai ka lindur në fshatin Tupallë të Medvegjës të “Shqipërisë lindore”, por pohon se familja e tij e ka origjinën prej Shkrelit të Malësisë së Madhe. Për të gjithë ata që e njohin, Xhimi është tepër modest dhe nuk flet për veten dhe për as sukseset e tij në jetë, si njëri prej biznesmenëve më të dalluar – i njohur si i tillë në qarqet amerikane dhe ato shqiptare, jo vetëm si mjeshtër i madh i profesionit të tij në ndërtimtari, por i njohur edhe në fushën politike si patriot, që e ka provuar veten gjatë veprimtarisë së tij politike 40-vjeçare këtu në Amerikë.

Ai ishte dhe, me të vërtetë, mbetet i pa-arritshëm në këtë fushë. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), të cilin ai me bashkëpunëtorë të tjerë shqiptaro-amerikanë, kishte ndihmuar në themelimin e tij, e që falë përkushtimit të Xhimit, luajti një rol të rëndësishëm, ndoshta të pazëvendësueshëm, në mbrojtje të Kosovës gjatë viteve ’90 dhe në mbështetje të interesave shqiptare në përgjithësi. KKSHA – e kishte dekoruar Xhimin më 2003, me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirësimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Përkushtimi dhe devocioni i Xhim Xhemës – dje dhe sot – ndaj interesave shqiptare në Shtetet e Bashkuar dhe në trojet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, nuk kanë kufi. Xhim Xhema e kishte kuptuar shumë mirë, se fati i shqiptarëve në të kaluarën kishte qenë i lidhur me Amerikën. Ai ishte i vetëdijshëm për rolin që kishte luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Fan Nolin -në fillim të shekullit XX – me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Woodrow Wilson, në favor të pavarësisë së Shqipërisë. Xhimi me disa pjesëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan kishte ardhur në përfundimin, se vetëm Amerika do të ndihmonte shqiptarët dhe të drejtat e tyre edhe në fund të shekullit XX. Ai filloi të trokiste në dyert e senatorëve dhe kongresmenëve më të njohur të jetës politike amerikane, për t’i njohur ata me situatën tepër të vështirë, përballë të cilës gjendeshin shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta. Dyert e tyre nuk ishin kurrë të mbyllura për Xhimin.

Frank Shkreli

37 views

Shkrimet e fundit