Zhurmështriqje


Zhurmështriqje

Fatmir Terziu


Se si do të shkruaj Fjali. Se si?! Se si do të shkruaj në gjuhën e duhur. Se si?! Një gjurmë…, edhe në gjumë. Një gjurmë e tillë, e (pa)qartë e mbetur në ekstazë më vë në lojë skriptin, lapsin, bojën e mendjes dhe letrën e hollë, më bëhet „batall“, se si do të formoj fjalë. Në mënyrë elegante, duke hedhur format e tyre, ato forma të quajtura “madhështore” në një letër bosh, të përqendruar në krijimin e Përrallës: një truk i regjistrimit të kohës ka humbur.

Tani tingulli i vetmuar i gërvishtjes ka arsyet e veta. Është i tëri kundër letrës së hollë. I udhëhequr nga kalueshmëria e prishjes së tij, është tingulli i vetëm që mund të dëgjojmë. Ajo që dikur ishte një botë për të krijuar fantazi është mbytur.

Është e zezë si bojë në errësirën e kësaj përralle të pafund.

Koha nuk mjafton dhe koha përsëri e pamjaftueshme.

Dekada të tjera ne, lapsat, letrat dhe … vetë koka personazhe të kësaj Përralle kohore.

Sikur kërkon tashmë të mbajë përpara intrigantët, harbutët dhe hajdutët, të frikësuar se po humbasin të gjithë dritën kur të dalë agdita e fundit e skriptit që gatuhet këtë pas-Gusht.

A bëhet lufta për një errësirë të ftohtë, të pashpirtëruar dhe të ndezur nga mendjet e tyre? A duhet grusht?! E kush e di, kush e lexon, e kush e gjen, duhet një tjetër Migjen!(?)

Me misionin për ta shoqëruar atë në të gjithë këtë shkresërimë, secilën në një këndëzim të vogël në këtë shkrim, ndërsa (zh)bëhet tërësia e ciklit, bëhet pjesa tjetër në jetë dhe thjesht lulëzon në krenari të përrallës.

Përralla vazhdon pafund.

Ndërsa shoh një buzëqeshje të hedhur në fytyrën e saj (vetë Përrallës), vendosmëria për të vazhduar më tej ndriçon mbi flakë, dhe pandërprerë mposht trupin e tërësisë së personazheve në këtë skript.

Kur gjurmët e shenjës intime fillojnë të veniten, pyetja se sa do të zgjasë, ndoshta është më e gabuara. Ajo tashmë dihet, derisa të mos ketë asgjë më shumë për të thënë, për të bërë, ose për të menduar.

Edhe sikur kjo përrallë e ëndërrueshme, e pafund, e vazhdueshme nuk do të mbaronte kurrë ose të rrënohej, kurrë nuk do të shtrembërohej e as nuk do të ndërpritej cikli:


Edhe nëse nuk duhet të vdesësh në ëndërr,

dikush është i detyruar të zgjohet herët a vonë,

si një dorë e lodhur pa kujdes, përafërsisht, të shtron,

pyes lapsin se sa skripte mund të shkruaj,

para se të mbarojë nga boja e mendjes e këtij cikli… të (mes)jetës.


Cikli i (mes)jetës?


Heshtje. Heshta-dinakëri e zhurmshme terret në siparin e vetes, tek pas-Gushti. Pas-Gusht në mbrolim zërrash. Duke marrë zërin e mbrolur mësyva në zemër të saj. U gjenda për të parë zhurmën që bredh rreth e qark kësaj heshtjeje. Heshtja më shtriqej gjerë e gjatë dhe zhurmështriqej nga lart…, nga atje Lart mbi shtratin e një marrëveshjeje të gjatë. Mbi një krevat, aty ku sipas kronikanëve mesjetarë zërat ishin kthyer pa pikë turpi në kryekurvëtarë.

Dhe aty terra dritën krenare të shkëlqimit të mëngjesit për të ngrohur lëkurën intime të vetmuar.

Nga lart … nga atje Lart nuk vinin vetëm fjalë. Ishte e gjitha orgazmë. Të gjithë zhurmërat ishin në garë. Të gjithë ishin me mendjen vërdallë. Të padëgjuar dhe të padukshëm nga kushdo, vetëm për shkak të frikës, që sillet si vjeshta rrumpallë.

Si Vjeshta? Si vargjet e rrebeshta në vjersha. Ajo po riparon sitën e saj. Atë sitë të shpuar sa nga mallkimet e Jugut, aq nga Shfryrjet e Veriut. E gatshme të riprodhojë retë e shiut.

Fundja le të ndodhë. Le të ndodhë sipas shiut… Sipas Tjetrit, fundja fundit, ndoshta mund të lajë atë pluhur që la pas ikja e Gushtit. Dhe mëkatorëve heshtanakë po i del për hunde edhe pika e fundit të qumështit.

Vjeshta, po aq edhe shirrat për të bërë marrëzira në fakt, tashmë më duket se po synojnë të bëhen bashkë. Megjithatë, çmimi për marrëzi të tilla konsiderohet shumë i lartë. Ndërsa edhe Vjeshta po e përkund ende në djep besimin, për çfarë tjetër do të duhet të merakoset e nesërmja.

Nga malet.

Nga lart … nga atje Lart po i del edhe kësaj rradhe boja së vërtetës… Cikli i (mes)jetës?


Nga lart … nga atje Lart


Nga malet?

Nga majat?

Vjeshta e sapozbritur ia sheh më shumë kurrizin vetvetes. Po aq sa zvarritmës. E gatshme për t’u ngjitur përtej qiejve, lart … atje Lart? Një rrugë me yje. Një rrugë që i përket lakuriqësive. Një udhë që lidh skeletimin e trupave, qelqërimin e mbulesës së ajërt, deri në zvetënimin që u shpalos sot në retinën e syve. Një lidhje në errësirë të plotë. Një lidhje nën re e mbi re. Një lidhje për ata dhe jo për ne. Një imazh i një peizazhi të pajetë, memec, shurdhaplotë, … zverdhanak, dështak, spurlljak, i zbehtë. Ajri i hollë. Aq i hollë sa ia merr frymën, në heshtje tërë kësaj zallamahie. Pa mëshirë.