ZHGËNJIMI I FILOZOFIT ISUF LUZAJ



Nga Dilaver Goxhaj

Isuf Luzaj ka lindur në Kaninë-Vlorë, më 21.2.1913. Pasi mbaroi Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ndoqi studimet në Universitetin e Sorbonës në Paris dhe ktehet në Shqipëri në 1936. Më 7 prill 1939 (ishte pedagog në Shkollën Tregëtare) e priti me pushkë pushtuesin fashist në Skelë të Vlorës. Për këtë u internua nga italianët në ishullin Ventotene prej vitit 1939-1942 bashkë me Abes Ermenjin e Llazar Fundon si dhe kontakton me Ali Këlcyrën. Kur kthehet nga internimi ai është thirrur disa herë në takim nga Enver Hoxha për t’u bashkuar me LANC-in, (sikundër shkruan vetë), pasi kishin qenë kolegë në Liceun e Korçës 1936-1938, por ai i është përgjigjur: “Jam i sigurt që ju do ta fitoni luftën, por unë nuk besoj në ideologjinë marksiste-leniniste. Besoj në demokracinë.” I ndikuar nga Abas Ermenji e Ali Këlcyra, shkoi e u bashkua me organizatën e Ballit Kombëtar, duke u udhëhequr nga parapëlqimi dhe jo nga veprimet e BK. Në Mledhjen e Mukjes ishte pjestar i delegacionit të BK. Në atë Mbledhje është Isuf Luzaj ai që hodhi tezën “ncionaliste” për Kosovën dhe Shqipërinë Etnike, edhe pse binte ndesh me vendimet e “Kartës së Atllantikut” e gushtit 1941 midis Ruzveltit dhe Çurçillit, më vonë pranuar edhe nga Stalini, e cila “nuk njihte ndryshim me rrugën e dhunës të kufijve në Evropë”.

Interesi i këtij propozimi të bërë në emër të BK prej Isuf Luzaj ishte për ta devijuar qëllimin e thirrjes së asaj mbledhjeje nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili ishte për t’i bërë thirrje për herë të fundit BK të hiqte dorë nga veprimtaria përçarse, të hynte në këshillat nacionalçlirimtare si dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe, duke bashkrenduar veprimet e forcave në luftë kundër pushtuesit të arrihej më pas në një konferencë të përbashkët në shkallë kombëtare. Ai propozim, sikundër u tregua më pas, u shpik nga BK për ta përdorur si shkak për të mos hyrë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë. Kjo teori nuk i falej këtij intelektuali të shquar. Në nënëtor 1944, i zhgënjyer, Isufi mori rrugët e mërgimit, fillimisht në Austri, pastaj në Itali. Në vitin 1946, ndër 10 të kërkuarit me këmbëngulje nga shteti shqiptar për t’iu dhënë gjyqit të popullit, Italia nuk i dorëzoi, po e dënoi atje me nga 2 vjet burg si i dyshuar për vrasjen e gjeneralit Zanini. Kur doli nga burgu shkoi në Argjentinë dhe prej vitit 1965 jetoi në SHBA, ku punoi profesor i filozofisë në Universitetin Nju Hempshire si dhe profesor i letërsisë spanjolle e franceze në Barat College, Ilinios; më pas titullar i Katedrës së filozoficë në Universitetin e Indianës dhe Ilinoisit. Në vitin 1984, presidenti Regan, i ftuar nderi në Universitetin e Indianës, i dhuron Isuf Luzaj medaljen më të lartë në fushën e arsimit: “Profesor i Amerikës”, për të cilën, në dorëshkrimin e tij “Ditari i mësonjësit” shkruan: “Do të doja që kjo medalje të varej në një gozhdë muri në Muze të Tiranës”. Vdes më 25.11. 2000 në Çikago-SHBA.

Isuf Luzaj, kur udhëheqja e LDK-Kosovë, i shkuan në shtëpi në Cikago (Ali Aliu dhe Ramazan Bekteshi) për t’i marrë mendim për zgjidhjen e problemit të Kosovës, ai u tha: ''Pa luftë, pa revolucion, nuk ka fitore! Rrëmbeni armët për liri!'', sikundëer tregon i biri i tij Dalan Luzaj.

Prodhimtaria e tij në fushën e letërsisë, historisë, filozofisë e gjuhësisë është e begatë, por që nuk njihet në Shqipëri, e cila ngërthen mbi 100 vëllime, (një pjesë e mire me poezi e poema), por shumica e pabotuar dhe ruhen prej vajzës së tij Elisabeta. Në Shqipëri janë botuar disa prej tyre pas vitit 2000 nga “Ombra GVG”.

Duke qenë pluralist në mendime, kjo nuk e ka penguar Isuf Luzajn gati 30 vjeçar të ishte balllist fanatik, por përballja më pas edhe me demokracinë në Perëndim fillon të korrigjohet në mendime. Duke qenë me karakter, ai e shfaq zhgënjimin e tij se pse gjatë luftës i besoi “demokracisë” së Ballit Kombëtar, duke e shprehur këtë shpesh herë në poezinë e bollshme të tij. Përparimi i ndërgjegjes s’është veçse një diferencim i problematikave. Më hapur e shpreh atë zhgënjim në poezinë e tij “Zhgënjimi”. Zhgënjimi është një shkrepëtimë që fërgëllon brenda ndërgjegjes.

Isuf Luzaj duhet besuar se flet për atë që ka provuar. Zhgënjimi i filozofit-ballist Isuf Luzaj është i njëjtë me zhgënjimin që ka pësuar gjithë populli shqiptar me pluralizmin demokratik të këtyre 32 viteve. Ndoshta, Ai, duke i njohur mirë bëmat e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit gjatë luftës, si dhe duke dëgjuar deklaratat e Fatos Nanos, Sali Berishës dhe Edi Ramës me shokë për “demokracinë pluraliste”, prandaj dhe nuk ka marrë mundimin të vinte në Shqipëri kur u vendos pluralizmi politik edhe pse gjithë familjen e kishte këtu. Aq më shumë duke dëgjuar për largimin e pareshtur nga kjo “demokraci” të 2,5 milionë shqiptarëve, nga 3,5 milionë që ishim në vitin 1990.

Duke qenë se Isuf Luzaj e ka shprehur disa herë përmes botimeve të tij letrare zhgënjimin për ëndrrën e dikurshme të “demokracisë” së Ballin Kombëtar, prandaj Balli Kombëtar, Legaliteti, PD-ja, PS-ja dhe vet Edi Rama jo vetëm që nuk i kanë ngritur bust a monument, por nuk i përmendin as emrin dhe as veprën, ndërkohë që nuk kanë lënë tradhëtarë të popullit e kriminelë në shërbim të nazifashizmit pa u ngritur buste e monumente.

ZHGËNJIMI

Nga Isuf Luzaj


Shekulli hajdut me urë në dorë

I vuri zjarrin kryq e tërthor planetit.

Dogji male e fusha, lumenj dhe detin.

I thau popullit zemrën me borë

Me mëri gjaksori, me dredhitë e Dreqit.


Po mua fakirin, ku erdh’ e më gjeti

Me një kalidhe labi, buzë deti?


Erdhën dhe shirat me ujë të tërbuar,

E pinë popujt që ishin etur.

Sa më shumë gjerbën, aq më shumë u harbuan.

Gjithsekush zgjodhi një udhë të tij

Shtigjesh të ujqve, që e shpinin në ngjirë.

Provoi i pafajshmi tragjikomedinë

Përtej çdo të lige, përtej çdo të mire

I çmendur endej nga e shpinte furia.


Po ç’mu desh mua, pa pirë e pa u dehur

Ta përqafoja mirazhin dhe magjinë,

Të çmëndesha fantazmash si dashnori i thekur.

Pas fantazmës dhe unë duke thirrur e mbledhur

Të thjeshtët pa mend, që u futën në çmendinë.

U vërtita fakiri shkalluar nga dehja,

Zjarr më zjarr, betejë më betejë.

As shihja, as kuptoja ku më shpinte përpjekja,

Me thonj e me dhëmbë duke shpuar tunele.


Sa më i egër rreziku, më e këndshme është dehja.

Sa më e bukur dehja, aq më i ëmbël rreziku.

Si vashëz e bukur, buzëqeshte përpjekja;

Aq më tërheqëse theroria dhe vdekja

Kur zu të përgjunjej, kolovitej armiku.


Kur mbaroi muzika, kur mbaroi kremtimi

Lodhur, rraskapitur, u dorëzua armiku.

Fitorja u bë korb, rrahi krahët dhe iku…

Kur hapa grushtet – një tufë me miza.


Mallkova mëmën që më lindi e më rriti…

Nuk gjej dot më prehje dëshpërimi.


Dhimbja më e hidhur qenka ZHGËNJIMI!


***

Ja dhe disa fragmente të tjera poezish ku shfaqet zhgënjimi i tij:


Errësira njohu dritën, kur shkëlqeu;

Njeriu njohu fatin, kur e gënjeu;

Ura njohu lumin, kur e theu;

Shiu njohu veten, kur e gjerbi dhéu.

Ju njohët ëndrrën, kur ju pëlqeu.

***

Ku do qe fshehur ndjenja e frikës

Të mos më lejonte t’i hidhesha zjarrit?

Do të isha endur nëpër stanet e Çikës,

Myhyp i thjeshtë në Teqenë e Zallit.

***

Ku do qe fshehur drita e logjikës

Të ma hiqte duarsh hekurin e zjarrit?

***

Luftëtari i fundit me emër vullnetari

Lagu me lot udhët e mërgimit,

Harruar nga populli, nga fshati, nga fqinji

Pa shqetësuar asnjë shpirt të gjallë

Pa ditur kush isha, pse i vajta varrit.

Cili qe ideali i armikut dhe imi,

Cili qe tradhëtor dhe cili qe trimi,

Cila është historia e shqiptarit?

***

E pashë që u bë vonë, dita më të thyer,

Kur piqet mendimi, po të jetë ushqyer

Me sa është shkruar në libra të vyer,

Do më gënjëjë ëndrra? Kë nuk ka gënjyer?

Heronjtë e mendimit me atë qenë ushqyer,

Poetë e shënjtorë në atë qenë mbërthyer,

Ajo i tërhoqi gjatë çdo udhëtimi,

Deri edhe ata i hidhëroi ZHGËNJIMI.


Shënim: Marrë prej vëllimit me poezi, esse dhe mendime filozofike: “Përtej së mirës dhe së ligës”, “Ombra GVG”, Tiranë, dhjetor 2003.