Vullnet Mato Trumbetarët veror thanë, virusi është zhdukur, bashkë me varrmihësit e mortjes aziatike. U flakën maskat me filtrat e pambukut për frymën e kontrolluar në hundore frike.
Qeshën fytyrat me lundrimin e diellit në sy, shpërthyen zërat e ndrydhur prej llahtarisë, gëluan fustanet shumëngjyrësh në lirshmëri, brofën peshqit, nëpër kofshët e djalërisë.
Dukej se Covidi u shua, në kujtesën e secilit, filluan të pluskojnë ëndrrat e ardhmërisë, erëmuan aromat e këndshme të trëndafilit, gjelbëruan gjethet, nëpër degët e miqësisë...
Por papritur ndodhi zhgënjimi i tmerrshëm, viruse të shumuar, në embrione fshehtësie, u përhapën nga zgjimi i tufanit të djeshëm, pllakosi paniku vjeshtor me dridhma lemerie...
Vdekja u ringjall bashkë me veladonin e zisë, mprehu kosën, me arkivolë viktimash t’i mbushi. Tmerri çau shtigjet e ajrit dhe dritaret e shtëpisë, duke mbuluar gjithë hapësirat me maska virusi.
Por blozën e kohës, do bjerë mbi fytyra fajtorësh, që lejuan të rikthehet epidemia me kanosje të rrepta, kur për vete rrëmbejnë pasuri e mbyllen dora-dorës, me mendimin se do shpëtojnë në kupola të qelqta...
Harrojnë se koronavirusi nuk pyet për krerë bosësh, kur kap për fyti dhe presidentet e mëdhenj të botës.
Comentários