
-Joni i kaltër, Bistrica e kaltër , endrra të kaltëra....në PRANVERË E KALTËR-
-Shenime kritike për vellimin me poezi PRANVERË E KALTËR të autorit PANAJOT BOLI, që nxjerr se shpejti në qarkullim shtëpia botuese NERAIDA
NGA ZHANETA KËMBORA
Teorikisht, një vepër letrare është një krijim i cili mishëron një realitet të riprodhuar, si në përmbajtje letrare ashtu dhe në formë artistike për të përçuar një tërësi domethëniesh me mesazhe letrare. Panajot Boli në tërësinë e botimeve të tij, këtë realitet e sjell në një mënyrë trajtimi të vetën që i përshtatet mirë horizontit të lexuesit.
Lëvrimi i llojeve të ndryshme të poezive dhe zgjerimi i tematikës së tyre në vjersha moralizuese, me dukuri të natyrës e të jetës sociale, me fjalët e të urtëve dhe shprehjeve popullore, ku mishërohen ide të caktuara dhe bëhet vlerësimi i virtyteve, ndjenjave të pastra njerëzore, bëhet përshkrimi i sjelljeve dhe qëndrimeve të ndryshme në marrëdhëniet e komunikimit, tregohet vlera që ka puna dhe dija në jetën e përditshme , qortohen veset e dëmshme dhe lartësohet ndjenja e dashurisë…
Rrëfime shpirti, Lirika dhe Meditime janë tri pjesë të përmbledhura të vëllimit poetik “ Pranverë e kaltër” që sjellin tek lexuesi një tematikë jetësore
Me anë të figurave të thjeshta, në të jepen dukuri të caktuara të natyrës, të cilat me bukurinë e tyre joshëse përftojnë një gjendje të veçantë në çastin kur ndeshesh për herë të parë me to. Ndërsa tema lirike trajtohet tërësisht si një shqetësim i brendshëm i njeriut duke udhëtuar paralelisht me elementet romantike që përdor autori në poezitë e tij. Kjo tregon një tipar të veçantë i cili flet për pasqyrimin e ndjenjave të lira, për pasionet e fuqishme të dashurisë së tij. E themi këtë se çdo vepër ka profilin e vet të veçantë, por shkalla e përpunimit të formave letrare dhe të gjuhës kombëtare tregojnë aftësinë e autorit për të shfrytëzuar në mënyra vetiake modelet artistike dhe organizimet stilistike për çdo krijim poetik të tij… Ajo që e dallon ndryshimin, është këndvështrimi i rrethanave dhe shumëllojshmëria e formave të shprehjes së mendimit. Parë në vështrimin tre dimensional nga autori, nostalgjia, dashuria dhe ëndrra të cilat mbartin temat dominante të veprës që ndërthuren bukur me njëra-tjetrën për të pasqyruar rrethanat, idetë dhe klimën letrare të kohës, të grupit shoqëror që i përket autorit dhe idealeve estetike të tij. Është zgjedhur një mënyrë trajtimi që i përshtatet mirë përmbajtjes së veprës. Forca shprehëse dhe bukuria e gjuhës që përdor poeti janë mjetet teknike në shumëllojshmëri formash dhe stili letrar në përputhje me përmbajtjen.
Poezia e tij e kryen misionin e vet njohës, kombëtar, moral, psikologjik, estetik, kulturor, edukues, pedagogjik, gjuhësor e njëkohësisht është e kënaqëshme. Ajo u shërben nevojave të gjithëanëshme të lexuesit si shprehëse e historiesë së kohës, shprehëse e jetës së tij familjare e shoqërore, shprehëse e kulturës dhe e shpirtit të tij krijues.
Dashuria për vendlindjen, Sarandën, e në veçanti fshatin e tij, Velahovë , janë rrëfime shpirti. Ato shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën. Nostalgjia, malli dhe dashuria për to, jepet me ngjyra të forta e tronditëse ku autori e shfaq veten si njeri i gjallë, me pasion dhe veprimet e tij në jetën personale… Vetë simbolika e tokës ( Atdheu) e shoqëruar me shprehje fjalësh metaforike në varg brenda vargut (Buzët eshkë të tokës), (me lutje qiellit i përgjërohen), si dhe fjalë-shprehje që shoqërohen njëherësh nga një varg tipash ligjërimi (Të shuajnë afshin e zjarrtë), ( në ekstazë të lumturohen), tek poezia “ Kjo etje e çmendur ”, autori shfrytëzon me mjeshtëri tipin e ligjërimit popullor, të lojës me kuptimin e fjalëve. E shprehur në vargjet: “Buzët eshkë të tokës me lutje qiellit i përgjërohen / Të shuajnë afshin e zjarrtë, në ekstazë të lumturohen” bindemi për pasurimin gjuhësor të autorit në këtë vepër. Stili i tij i veçantë e bën të thjeshtë dhe të qartë idenë e tij. Poeti, jo vetëm është i ndjeshëm ndaj situatës, shprehur me ngjyra tronditëse në anën sipërfaqsores (formë), por duke i shfrytëzuar ato në mënyra vetiake e ndihmon lexuesin të kuptojë idenë pasi e lexon poezinë deri në fund.
Krahasimi i zgjeruar që përfshin strofën e parë cituar më lartë me strofën e fundit “Kjo etje e çmendur, gjithë qiellin me një frymë ta rufit / Si buzët e së dashurës që veç temperatura të tilla rrit” krijon një paralelizëm figurativ duke vënë përballë një situatë të natyrës me vetë jetën intime të autorit, shërben për të ndriçuar idenë e për ta bërë më të pasur mendimin e tij vetiak. Këtë e trgojnë dhe figurat e pasura letrare brenda dy vargjeve si epiteti metaforik (etje e çmendur) , shprehja metaforike (qiellin me një frymë ta rufit), hiperbola (gjithë qiellin me një frymë ta rrufit) rrisin nivelin estetik të poezisë dhe të lënë të kuptosh që kemi të bëjmë me një vepër letrare të mirëfilltë.
Në “mënyrë tërthore” e tipit të ligjërimit, siç ndodh kur tregohet një histori a ndodhi për të kuptuar apo zgjidhur rastin real jepet realiteti i kohës , njerëz me vese dhe vetë autori që mban qëndrim ndaj tyre.
Në poezitë “Bukëvalë e vegjëlisë”, “ Kamarja e gjyshit”, “Ulliri i gjyshit” “ Keci i larushës” , “Pranë oxhakut”... të cilat i përcillen lexuesit, tregon se mjeshtëria e autorit nuk ka të bëjë vetëm me formën e veprës letrare, por me atë unitet që rrjedh së brendshmi nga vepra e tij. Megjithse kanë struktura të ndryshme, ato kanë në qëndër të tematikës së tyre si personazh (gjyshin e zgjuar dhe të ditur, bujar) Zbërthimi i karakterit të këtij personazhi, si mishërues konkret i një karakteri të caktuar shoqëror në to, pëcaktohen nga roli i fjalës në strukturën poetike. Autori vendos krijim situatash të ndyshme veprimi të jashtëm e të brendshëm. Dy vargëshi që jo rrallë përdoret në vepër , tek “ Kamarja e gjyshit ” për çdo strofë tregohet një situatë: e para-“Bri oxhakut një kamare e vogël te shtëpia e vjetër në fshat / Gjyshi im në të vinte xhezven, filxhanë dhe të paktat paratë ... “ e dyta- Një ditë i erdhi një hallexhi në konak, i kërkoi hua një napolon / Pa e zgjatur gjyshi fut dorën në kamare , të ngratin e nderon. Në rrëfimin e tij, autori ndërthur strof pas strofe gjuhën e personazheve me nuanca të ndryshme emocionale dhe depërton në thelbin e brendshëm të tij për të dhënë mesazhin përfundimtar ... situatat e njëpasnjëshme na çojnë në strofën e fundit të cilën vetë autori ia përcjell lexuesit pas komunikimit të të dy personazheve “ U gajas fort kamarja, ngeli si i shastisur i shkreti hallexhiu / Hapi derën e iku si hije , ia mbathi këmbëve, dheu e përpiu.Mesazhi, në formë këshille si në shkrimet folklorike, përcillet artistikisht shprehur me ironi ; “U gajas fort kamarja” , apo krahasimet “ngeli si i shastisur i shkreti hallexhiu” , “ iku si hije, dheu e përpiu”
Poezia lirike merr ngjyra më të forta gjuhësore. Ajo është një himn për hapësirën qiellore e cila me bukurinë dhe harmoninë e saj, zgjon dëshirën për ta përjetuar atë. Në nivelin e sipërfaqsores (formë), duket sikur është natyra që vepron sipas titullit të poezisë, një nocion i estetikës e cila përbën motivin e parë dhe është bukuria e realitetit të pamjeve dhe bukuria e pasqyrimit të artit që i jep vlerë vargur poetik. Ato reflektohen në komunikimin e tij, shqip.
Gjuha shqipe është një shumëfjalësh, trajtash e rregullash për ndërtimin e fjalëve dhe fjalive dhe autori e përdor atë me mjeshtëri artistike dhe me elemente romantike në poezitë e tij. Në të gjitha poezitë , lumturia personale është e lidhur me natyrën, bukurinë e saj universale dhe botën e tij shpirtërore që nuk e shkëput asnjë çast prej saj. Lëvizjet dridhëruese të shpirtit mes pritjeve dhe vonesave në takime, ndjesive të çiltra që e ruajnë sekretin e patreguar dëshmojnë për natyrën lirike të veprës. Dashuria është për poetin diçka e shenjtë, hyjnore. Ajo përshkruhet e tillë në ëndrrat e tij për të dashurën, të cilat pasqyrohen artistikisht përmes përshkrimit të fenomeneve natyrore që e pengojnë apo, edhe i japin ndihmesën që kërkon nga ato që ta përjetojë këtë dashuri. E bukura e tij ka ngyrat e natyrës.
Detyra e autorit është të tregojë lexuesit ndjenjën e fuqishme të dashurisë e cila bukur përcillet përmes ëndrrës, realitetit, imazhit dhe vizionit të largët të saj në çaste dëshpërimi, pritjeje, shprese dhe lumturie…gjithmonë pranë detit, lumit Bistrica apo Syrit të kaltër, në vëllimin poetik “Pranverë e kaltër” ajo gjendet e shoqëruar me zemërimin apo ëmbëlsinë e valëve, çmendurinë e Erës apo ngrohtësinë e Diellit, me dritën vezulluese të Hënës apo ujin blu të Jonit… Ai është i ankthuar për shkak të dashurisë. Në poezitë e tij, si një dritë e ngrohtë hyjnë bukuria konkrete e vajzës dhe ndjenja tokësore e poetit duke e lartësuar atë si ndjenjë universale e cila i ngjan hyjnive, neraidave dhe dukuritë natyrore që bashkëshoqërojnë dhe miratojnë çdo veprim … Ai shpreh një botë plot ndjenja dhe mendime: Dashuri, ngrohtësi, thjeshtësi ku zbulon emocionet e tij intime, të fshehtat e zemrës…
Poezia ( Ma fsheh mëngjesin kjo natë) shpreh shqetësim për këtë arsye “... Diku janë fshehur malet, e fusha e lodhur këtu afër po fle. / Dëgjoj gurgullimën e lumit, por sytë e bukur, të kaltër, s’i shoh...” Autori ndjen dridhjet shpirtërore , të rrahurat e zemrës fort dhe reflekton pas çdo situate të tillë si në poezinë (Mërdhin limoni im):“... Dhe dridhet i tëri limoni, buzët i zverdhen nga pak / Struket , tulatet, e fëmijët e saj i ngroh me përgjërim / Më vjen keq, nxitoj me çarçaf ta mbështjellë si fëmijë / Ta sfidoj bastardin thëllim, gjersa të vijë i miri agim...”
Karakteristikë e poezisë në pak vargje e me një thjeshtësi të veçantë ku shpaloset bukuria e natyrës në gërshetim me gjendjen shpirtërore të vagëlluar e ëndërruese të poetit është një veçori tjetër e krijimtarisë së Panajotit të cilën ee gjejmë edhe tek poezia (Lulja margaritë):
“ Më kot prisja ato sy gështenjë në kthesën e rrugës /Të ndrisnin poshtë flokëve të dallgëzuar si kurorë // Besova te lulja e dashurisë dhe me sa ankth e luta / Por, oh, më mbeti petalja e fundit ‘s’më do’ në dorë.
Lirika erotike shfaq një karakter të lënduar nga dashuria si poetja SAFO ku ndjejmë vuajtjet dhe ropatjet nëpër të cilat ka kaluar dashuria… Në vargjet e Panajotit ndihen emocione të tilla si ankthi, shqetësimi deri në përpëlitje për të gjetur dashurinë, por ndryshe nga Safo që fton Afërditën (perëndeshën e dashurisë) të vijë e ta çlirojë nga mundimi, autori ynë , duke e konsideruar dashurinë të bukur , të brishtë, me fisnikërinë e tij kërkon ndihmë për ta ruajtur këtë dashuri në përjetim. “ Pranverës i kërkova” duke iu drejtuar me vargjet: “...Po pres edhe ti, pse nuk vjen, ka renë aq shumë mjaltëkëtë mëngjes/ Lulet përvëlohen nga epshi, buzët, vetëm ti mund t’i shuash si vesë...”
Ai derdh pa kursim ndjenjat e tij në vargje me një ngrohtësi të thjeshtë e të veçantë, përpiqet dhe pret …Pret duke duruar heshtjen e duke shprehur shqetësimin…pret diellin me shpresën se do e arrijë shpëtimin… Natyrshëm e shkruar me pak fjalë, plot ndjesi dhe art, poezia “Ti hesht” e lë në mëdyshje… midis ankthit dhe shpresës e mbushur me dinamikë të brendshme ndjenjash. “zemra ngadalë po pulson”
“ Pret diellin të ndezë malin në ekstazë, ndofta vjen dhe ti si vesë” “Por ah, ti, mes mëdyshjeve përlotesh, po unë, heshtjen si ta tres?”
Tek poezia (Përgjumje) “Asfiksohem në mjegullnajë, në agoni përpëlitem /Më dërgo sytë e tu e dashur dhe varkën, hëna ime.” Çdo titull poezie të orienton një situatë. Po të vërejmë
Rendin e varguar njëra pas tjetrës të poezive që përshkruajnë situata të vështira shpirtërore “Koha gri”, Ky dreq muzg”, Ditë e vrenjtur”, “Pas shiut” për të dhënë imazhin e shpirtit të tij sa vjen e bëhet më i rënduar, por kjo e bën autorin më të fort, më luftarak për të mbrojtur dashurinë e tij.tek poezia “Të munda një herë moj erë”..
Comments