top of page

ZEMRA QË RREH BASHKË ME TOKËN DHE NJERËZIT




Vullnet Mato

ZEMRA QË RREH BASHKË ME TOKËN DHE NJERËZIT

Rrallë poetë kanë durimin e madh të bletës, për ta përpunuar nektarin e vargut të tyre, deri në përsosjen maksimale, pasi e kanë vjelë nga hapësirat e gjera të truallit, ku vegjetojnë, për t’i dhënë ëmbëlsinë dhe shijen e veçantë. Ashtu siç bën poeti i shquar myzeqar, Hamit Greca, një autor i shfaqur këto kohët e fundit, i cili brenda pak viteve, vjen para lexuesve të tij me librin e katërt, të titulluar: “Magjia Myzeqare”. Lima e mprehtë me te cilën ai lëmon vargun tetërrokësh, për t’i dhenë metrikën dhe muzikalitetin që karakterizon lirizmin e tij, të befason. Madje mund të them me plot gojën, të mahnit, me fjalorin origjinal, frazeologjinë e mençur popullore e qytetare, me metaforat e rralla të një botëkuptimi të ri, me nivel mjaft të kulturuar, me njohuri të thella nga shumë fusha, rrafshina e horizonte të jetës. Ky poet i lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen e tij të shtrenjtë, Darsinë, me tokën e baltës myzeqare, me rrethin e gjerë familjar, me të gjallët dhe të vdekurit, të cilit i zgjon nga varret, për t’i risjellë në jetë me kujtime të pavdekshme, të lë pa mend e pa frymë, në çdo krijim të përsosur të penës së tij me majë floriri.

Ndonëse nga tre librat e parë që i kam redaktuar, e kam quajtur Esenin të Myzeqesë, me ketë përmbledhje të re poetike, më duhet ta quaj “Gdhendës pasionant të vargut shqiptar”. Shpesh herë në lexim e sipër të poezive të tij, kur kam mbetur pa frymë nga gjetjet dhe shprehjet e veta të çuditshme, kam menduar, në ç’lartësi mund të ishte sot, ky poet i moshës shtatëdhjetëvjeçare, po ta kishte lëvruar poezinë qysh në rini, e për me tepër të ishte arsimuar kryesisht për letërsi, në vend të oficerit ushtarak. Sepse kur lexon lirikat e tij thua, kam të bëj jo vetëm me Eseninin rus të sotëm, por edhe me Pushkinin, Lermomtovin e Skocezin Robert Bërns.

Ja si i drejtohet ai vendlindjes se tij të dashur, Darsisë, nga pozicioni i moshës ku ndodhet:

“Vargje ngjis, në palcën tënde,/Se ti ma largove pleqërinë! /Vitet të gjithë m’i çmende,/Kur më ktheve sërish rininë. /Ndaj për ty, kurrë nuk heshta, /Moj e bukura Darsi!/Gurët e tu, i bëra vjersha/Dhe i shpërndava nëpër Shqipëri. /Tek ti, ujërat me dorë i shtyj,/Aty ndjehem guri i rëndë. /Brenda zemrës tënde hyj,/Mbështetur dorën në parmendë.”

Ka në këtë përmbledhje, disa krijime me nivel të admiruar për pjesëtarët e familjes së tij, farefisin dhe për figura te rëndësishme, që kanë punuar për përparimin e krahinës së tij. Në këto vargje kushtuar bijës së tij emigrante, ai shpreh mallin e madh të largësisë që i ndan:

“Të kam larg, moj bija ime,/Për ty shpirtin e heq zvarrë. /Gjithmonë të vij, duke qeshur, /Edhe kthehem, duke qarë./Zëri yt më ndjek nga pas, /Unë kthej kokën për të parë /Por nga syri loti më plas, /Të bëj ty, për të qarë.”

               



Vargje prekëse, me mall të pakufishëm, zbraz në këtë poezi, të pritjes së paduruar, për kthimin e emigrantit:

“Eja, eja, kalorësi im i natës,/ Se shpirtin, tapet do ta shtroj! /S’e duroj dot helmin e mërgatës, /Gjatë gjithë natës, do të këndoj! /Eja, hidhe këmbën mbi prag,/ Se ai ngeli duke qarë! /Eja shpirt, mos më rri larg,

Këmba jote, ogur i mbarë!”

            Në disa lirika dashurie bie në sy, gjetja artistike origjinale nga jeta e vendlindjes, që përdor poeti i talentuar Hamit Greca:

“Hipte e zbriste si një hije, /Engjëll të tillë, nuk kisha parë! /Kur vilte kokrra qershie, /Më mirë, të mos isha i gjallë! /Zemrën e trupin ma bëri zjarr, /Këtë lloj zjarri, kush e fiku? /I thash vetes, bëhu djall, /Të mos lëshojë lot qerpiku!”

                Po ashtu, e gjetur artistikisht, është dhe kjo lirikë dashurie, për xhinden e bukur:

“Syri im, s’e ndal shikimin, /Ndaj ty xhinde të ngre pusi./Durimi s’e do më durimin, /Ndaj kaloj, nga kalon ti.../ S’kam frikë se më shikon njeri, /Unë ndjek pas, zemrën tënde./S’e ndal dot, këtë dashuri, /Më thotë, o i çmendur, pse më çmende?”

            Ashtu si edhe në botimet e para, poeti Hamit Greca, ka një dobësi të madhe, aq sa, shpesh i shpërthejnë lotët, për nënën e shtrenjtë, e cila kishte vuajtur shumë në të kaluarën:

“Më ke thënë, për ty çohem nga varri, /Kur ngacmonim njëri-tjetrin në zgjim! /Sot të kam ardhur, se më ka marrë malli, /Të lutem çohu, mbaj atë premtim!/ Zgjohu, se ke fjetur shumë! /Kanë çelur lulet, era fëshfërin. /Çohu, se të kam ardhur unë, /Boll ndenje në amshim!/Zgjohu, si nëpër legjenda, /Të më mbushesh shpirtin e zbrazur! /Dil të shohësh botën, mos rri brenda, /Të më bësh trahana, në të zbardhur!”

                Në këtë poezi tjetër, për nënën, Hamir Greca pohon se ka ruajtur si kujtim të shtrenjtë, flokët e nënës së tij:[C1] 

“I kam ende flokët e nënës,/I preu me dorën e vet, Unë i futa brenda zemrës, /Kështu nënën e kam në jetë./Fërkoj çdo ditë flokët në zemër, /Sa çoj dorën filloj e qaj, /Brenda flokut, kam gjallë nënën, /Kam një pjesë nga trupi i saj...”

                Ngjarje tepër tronditëse, përshkruhet mjeshtërisht në poezinë, ku fëmijët e larguar, kanë braktisur shkollën e fshatit:

“Kish ardhur mësuesi, e po priste, / Erdha dhe unë, e u bëmë dy./Një gomar i arratisur, diku pëlliste, /Gjë tjetër nuk pamë me sy./ Në atë moment, nga vetja teptisa, /Se nuk pashë asnjë fëmi... /E çorra veten time, e këmishën grisa. /Më thotë mësuesi: Më thuaj, ç’të bëj tani?!...”

Një lirikë artistike e thurur me ndjesi të holla, është edhe kjo fantazi poetike e përshkruar në mermerin e një varri:

Atë zog, e shoh përherë, /Trëndafil në sqep mban./Ta vendos ty mbi mermer, /Vjen tek unë edhe qan... /Kur qëndron në mermer, /Cicëron e diçka të thotë, /Pranë të rri, dimër e verë, /Kur ikën, lahet me lotë...”

            Ky autor, që njeh mirë psikologjinë e myzeqareve, dëshirat, pasionet dhe marrëdhëniet e tyre me gratë, shpjegon e dhe ilaçin e nevojshëm për shërimin e zemrës:

“Nëse doni ilaç zemre, /Është e thjeshtë, për çdo njeri, /Del nga shpirti i një femre, /Duke i falur dashuri...”

            Guri, ndonëse i rrallë në fushën e Myzeqesë, është një simbol i jetës së vështirë të banorëve të asaj zonë në të kaluarën:

“Dyshek për ne, na u bë guri, /Dhe jastëkun e kemi pas gur, /Ai na bëri me zemër burri, /Dhe s’na tradhtoi kurrë. /Me zjarre e gur lidhem jetën,

Zoti vetë na i kish falë,/Gur e zjarre këtu i gjetëm./Gjysh, stërgjysh, baba e djalë.”

                Në këtë botim të katërt, autori lirik Hamit Greca, ka përshkruar me nostalgji disa pamje panoramike, të natyrës së bukur myzeqare, që nga koha e fëmijërisë:

“Atje na çonte vetëdija,/ Atje, atje tek ara e Kuqit. /Atje ku na ka ngelur fëmijëria, /Atje ku dëgjonim këngën e bulkthit. /Atje te përroi, ku peshkonim, /Ku zhabat bënin kuak, kuak!... /Sa mirë që bashkë sërish të shkonim, /Ta shuanim një herë mallin flakë... /Atje bilbili veç këndon, /Atje ku na ftonte hija e fikut... /Për atë vend, shpirti më gufon,/Ende kam në vesh trokitjen e qukapikut...

             Ky autor me sy gati fotografik, ka fiksuar me talent prej piktori, disa portrete njerëzish të gjallë e të shuar nga jeta. Në  ketë poezi lirike, ka vizatuar me linja të spikatura, portretin e një vajze:

“Floku yt, lastar hardhie, /Të arrin gjer te thembra, /Prodhon valë dashurie, /Që më shpojnë mua te zemra. /Herë më dukesh si prill i bukur,

Herë si maji me plot ngjyra./Nëpër lule bredh, si flutur,/Brenda teje fle natyra.”

                Në këtë përmbledhje te re poetike, poeti Hamit Greca, ka thurur poezi për disa vende dhe njerëz, që nga Darsia e tij, nga fshatrat përqark fushës, nga Vlora, Pogradeci, e deri te “Pisha Flamur”e Llogorait. Në libër bien në sy, dy poema të rëndësishme, për Kongresin Historik të Lushnjës dhe për magjinë e fushës së Myzeqesë, ku fusha hambar e Shqipërisë përshkruhet mrekullisht, me të gjithë madhështinë e tokës dhe të njerëzve të saj:   

“Gjëmon sheshi rëndë, rëndë,/Të gjithë kapur dorë për dorë, /Gjithë lushnjaret janë në këmbë,/Presin mysafirët si dasmorë./Janë stërnipat e Skënderbeut,/Kërkojnë shtetin e vërtetë,/I kanë dhënë fjalën Atdheut Tiranën e duan kryeqytet...”

                “Myzeqeja ime,/Fushë rreth e rrotull,/Për ty në gjunjë,/Përkulet i gjithë ky popull./Shpirtin, myzeqarit,/Fusha ia ngroh si furrë,’/Plot ia mbush hambarin,/Bosh nuk ia lë kurrë!”

            Në mbyllje të parathënies së këtij botimi, më duhet të theksoj me kënaqësi, se libri “Magjia Muzeqare”, përcjell në opinionin e lexuesve, një tonalitet poetik me të vërtetë magjik, sepse shënon një lartësim të dukshëm të nivelit artistik. Duke dëshmuar se ky poet, thuajse fenomenal, i pa publikuar sa duhet në opinionin artistik të vendit, po i imponohet qartazi, me krijimtarinë e tij brilante, panteonit të poezisë bashkëkohore shqiptare.      

78 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page