top of page

ZEMRA IME ËSHTË PLOT GRADË


ËSHTË NXËNËS I ERRËSIRRËS


Fatmir Terziu


Gojëhapur. Frymor: Pështjella e një gazete për “tërheq-qerpikët”.

Poshtë okelios, fare poshtë,

dhëmbët e qenit janë të mbushura me llucë të zmaltit të kafesë

nga çizmet e pagoja të pastruesve mbi fshesë.

E gjithë hija e Frymorit është po aq e tendosur sa “Skampa”,

turizmi që flet si kukull me kukullat e sojshme.

Kapelja e tij

një strehë imagjinatë që mundohet të qëndrojë,

pë inat të Rrapit të Bezistanit,

ku djersa përshfaqet si gjerbat nën çati, pika e tronditur e kokës

matet me gjerbjen gjysëmshterëse të shuplakës

rrjedhë e Kalasë.

Ai nuk e sheh njeriun,

as femrën që shket me këmbët shishe mbi asfalt,

ai ngul sytë vetëm tek pronat e saj të artificuara,

duke zmadhuar retinat e hyrë vetmendjeshëm nën shalë,

në majat e ngritura malth,

plot temperaturë që s’kapet nga termometri më modern.

Njeriu Frymor,

ngjit dhe zbret shkallët e sallonit të madh,

as ngrohtë as ftohtë,

është i tëri në hall. Frymor,

kapërcim i një rrjeshti në gazetën në fjalë,

rrëshqet gjithandej si ngjalë.

Njeriu frymor jeton dhe ditëkalon në Qytetin tim.

Njeriu frymor lind si gjithë syreshët e tillë.

Ai mendon se Qyteti është një vrimë e vogël,

pikasje, perceptim, buzëtrashje, mullaqe, shëtitje

molë e trotuareve,

deri në reklamën për salçiçet e shijshme,

në sheshin “Gensher” para Rrapit të Bezistanit,

hija e tij kafshon pa frikë pllakat e ftohta të asfaltit.

Pastaj Frymori pushton tokën e zbehtë të çimentos, shtëpinë e tij.

Ai fluturon, po aq sa fluturakët e tjerë dhe retë,

gjithë ditën i ngeshëm, i lodhur,

i përmjerë në Qytetin e vet.

Është nxënës i errësirrës

çdo natë ai merr leksione prej saj,

flet dhe përsërit përditjen me Hënën. Megjithatë,

nëse shikoni, Ai jeton në Qytetin e tij,

por nuk dihet ku do të vdesë,

fundja a vdes ndonjëherë ndonjë Frymor i lirë?!

Është dhe nuk është në listë!

Është nxënës i errësirrës…


LETRAGJIA E KËNGËS


Ekrani i ftohtë, mbrëmë, më flaku këngën udhëve,

kështu dita, nisi sot zgjimin pas ëndërrës.

Kënga e një bulkthi të mbetur paligjshëm në çantën e shpinës,

mbyti zhurmat e autoambulancës në rrugën kryesore.

Pa lidhjen mes këngës?!

Një grua e re e sapodështuar të quhet e tillë, jo më nënë

pason lotët si gragëza akulloresh. Flet me veten: “Ishte e vetmja ditë

që s’këndova!”

Vdekja më fali rastin e tillë të njomja sytë.

Dhe freskon mes gishtave grepat e thurrjes së rrobave

për fëmijën që nuk e njohu në dritë.

Kështu qenka jeta që nuk jetohet qoftë një minutë…,

një ditë,

dhe gjithë jetët që tkurren si një sakrificë…

… për të Tjerët, meloditë e jetës,

frymëterren sa hap e mbyll sytë:

Kjo është Letragjia e Këngës!

Ekrani i zhurmshëm, që më la mendimet udhëve,

u vetëhumb në kërkimin pas ëndërrës,

për vdekjen e Këngës

trotuarit të hutuar mes përhumbjes … së „nënës“.


ZEMRA IME ËSHTË PLOT GRADË


Kam mbledhur 28 mijë kilometra katrorë mesazhe,

milje të tjera tokë dardane

musht Iliride

shtatë milionë telefonata të humbura nga ju,

një vargmal kordash zanore,

dhjetra male me emaile në tru,

qindra lotë si liqenet përrallore,

piskama lumenjsh fushave të gjera,

dhe disa kokriza të vjedhura padashje nga rëra e deteve,

flakërrima 'Rrugës së Kombit',

përtej derteve.

Kam provuar të shkruaj patjetër

flurudhë mbi trokun intim,

e di që diku është ende një letër,

trishtimi mbush shpirtin tim,

Guri gungaç tek dera

vjeshta troshit gjethet me dëshpërim

mbi shkurre dhe ferra.

Kam menduar se ju kishit të njëjtin trisht

shpirtin tuaj për ta lehtësuar

por kudo, mashtrim, shtirje... bisht

...ngado afera.

Kafja thjesht rrëkëllim stresi

në trotuaret e dheut tim

dhimbjen nuk e mban më thesi

ikja shëtit si i vetmi shpëtim.

Keni shkelur aq shumë në rrënjët e mia,

toka është e thatë dhe shterpë,

edhe në qoftë se unë lëshoj miliona lotë të fryra,

e them me zemër, pa tekst

fjalët më mbetën të ngrira,

ky mesazh nuk është pretekst.

Asgjë nuk mund të mbijë mbi fjalë të ndyra,

e jo më afera të japë bereqet.

Në këtë pikë aferash në hartë,

zemra ime është plot gradë.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page