top of page

ZEMËRGURI


Vullnet Mato

ZEMËRGURI

Tregim

Te balli i galerisë ishin mbushur birat me dinamit, ishte bërë taposja dhe ishin gati për plasjen e minave. Brigada e Kadri Elezit i dha fund pushimit të shkurtër nën rrezet e diellit të prillit dhe u ngrit në këmbë. -Kush vjen sot me mua? -pyeti brigadieri shokët. -Vij unë! -tha në çast Qamili dhe u çua vrikthi në këmbë. Kadriu ndjeu një prerje të lehtë në zemër dhe e këqyri minatorin mendueshëm. Kishin kohë që punonin në atë galeri të thellë dhe për çudi s’kishte rastisur asnjëherë të ndiznin minat bashkë. Ai u pendua që nuk e caktoi vet minatorin shoqërues, por e mblodhi veten, s’mund ta kthente. Ç'do të mendonin shokët. -Shkojmë Qamil! -tha pas pak me një ton të vendosur. Balli i galerisë 840 ishte krejt i heshtur. Fitilat e varur, si bishta gjarpërinjsh të përgjumur, prisnin aty dorën e zjarrtë të minatorit, t'u jepte zgjimin e tmerrshëm, që shpërthimi i fuqishëm të shkallmonte nga themelet shkëmbinjtë e hekurt të nëntokës. Befas përmes atij ndriçimi, gati fosforik, brigadier Kadriu vuri re një rreze egërsie që vetëtiu në ninëzat tinzare të Qamilit. Fytyrën e kishte të zverdhur dhe të prishur. Në ballë i shkëlqenin pika djerse dhe dridhej i tëri nga afrimi i çastit, për kryerjen e krimit të paramenduar. Urrejtja e vjetër qenka si një minë e fshehur në trurin e njeriut, mendoi Kadriu. Ajo e kishte kapsollën në bebet e syve të tij. Kërkon të më vrasë, tha me vete, që të quhet aksident minash e t'i shpëtoj ligjit?... Mbase ka lënë ndonjë birë të pataposur, që kur të ndizen fitilat, ta tërheqë dinamitin për të ma hedhur nëpër këmbë... -Ç'ke, sikur s'më dukesh mirë sot! -i tha ai qetësisht. -Jam më mirë nga gjithë herët e tjera. -u përgjigj Qamili nëpër dhëmbë. Kadriu lëvizi drejt ballit të galerisë me vendimin që mori aty për aty.-Bëj dritë! - urdhëroi me një zë të ngjeshur. Do t’i kontrolloj edhe një herë. Hija e errët e vetullave sterrë të zeza, të Qamilit, ngjanin sikur dikush qysh në fëmijëri t'i kishte kaluar në ballë dy vija të forta thëngjilli. Rretheqark mbretëronte heshtja e një mjedisi të lagur nga rrjedhjet nëntokësore, që shpërndanin mijëra xixëllime të imta. Të varur gjer poshtë, bishtat e kobrave të llahtarshme, me kokat e fshehura nëpër të çarat e shkëmbit, e shtonin edhe më tepër atmosferën e frikshme në ato çaste. Qamilit iu lodh krahu dhe e kaloi llambën e karbitit në dorën tjetër. Duke kundruar shpatullat e gjera të Kadriut, qafën e tij të bëshme dhe flokët kuqalash, që dilnin nga kasketa e tij, i erdhën ndërmend atë çast ca vizione dhe tinguj të largët. Qafa të bardha delesh, tringëllima këmborësh dhe mes tyre silueta e brishtë e asaj vajze të paharruar, e cila kishte lënë gjurmë të pashlyera në jetën e tij. Pastaj në veshë i erdhi thirrja e saj gazmore: O Qamo oreee!... O Qamo oreee!... Dhe ndjeu vrapin e saj nëpër zajet e lumit. Mandej Qamili solli ndërmend diçka që kishte të bënte me buzët e saj të ëmbla e me shpatullat e gjera të Kadriut. Dhe papritmas iu duk sikur i dolën nofullat nga vendi. -Fole gjë? e pyeti Kadriu. -Jo. Mos të kanë bërë veshët. -ia ktheu Qamili me ton të lodhur nga pesha e rëndë e kujtimeve tronditëse. Atëherë Kadriu iu afrua me llambën e karbitit në dorë. Dy hije të mëdha, të errëta, u përplasën në dy faqet shkëmbore të galerisë. -Pse kërkove të vish sot me mua?- e pyeti brigadieri. -Sepse pyete, kush vjen. -shfryu ai një duf ajri të rëndë. -Më urren shumë?...Qamili mezi u rimbush me frymë, sikur ajri i galerisë kishte shteruar papritmas. -Të urrej, aq sa dua të të shoh xhenaze! –tha dhe në sytë e tij egërshan shkreptiu një flakë ogurzezë. Me një pasion prej të çmenduri, futi dorën në xhepin e mushamasë dhe gishtat e tij shtrënguan eksplozivin e ftohtë që kishte marrë me vete. Ndërkohë Kadriu kishte arritur në përfundimin, se duhej bërë patjetër diçka për ta zbutur egërsinë e tij. -Çudi, -i tha me nënqeshje të lehtë. -mua asnjëherë s'më ka shkuar ndërmend se mund të vritem nga shokët e punës, se i kam ditur të tërë vëllezër... -Mua më ke ditur me kohë që më ke hasmë. -Sa turp! - tha Kadriu me keqardhje. -Ke pritur kaq kohë për të shfryrë zemërimin e vjetër, duke jetuar mes nesh, si në mes të vëllezërve!... -S'kam ardhur këtu për tu bërë vëlla me ty. -ia priti Qamili me ton përbuzës. -Kjo është pabesi! -Më i pabesë, u tregove ti, që më bëre gjysmë njeri... -E shoh e të kuptoj. -tha Kadriu me një keqardhje të sinqertë. -Jo, jo, zemrën time dhe të asaj, që i mbushe me helm, nuk i sheh e nuk i kupton dot. - zëri i tij u drodh nga ngërçi... Sakaq, Kadriut iu kujtua qëndrimi i akullt i gruas së tij muajt e parë të martesës... -Ke shumë të drejtë, or Qamil, që nuk e kuptova atëherë sefte, po nuk kam si e ndreq atë që prishi mblesëria. -Unë të çova haber, që kishim lidhur fjalën me njëri-tjetrin, pse na hyre në mes? -Kur erdhi haberi yt, zakoni e kishte mbaruar punën e vet. -Të thashë që s'do të të ndahem gjer në varr... Kadriu vështroi sytë e lëngëzuar të tjetrit dhe tha: -Ore Qamil, fshati ynë ka ca vajza të mira . Motra ime dhe shoqet e saj i pëlqejnë shumë minatorët. Pa shih mos i hysh ndonjërës në zemër! Djalë i mirë je dhe minator i zoti, vetëm kjo urrejtje sikur ta shëmton pak shpirtin... Qamili bëri pa vetëdije një gjest kundërshtimi me kokë. -Jo, or, jo, për mua s’ka më grua tjetër. Unë martohem vetëm nën dhé... Atëherë Kadriu sajoi në buzët e veta një nënqeshje dhembshurie. -Më vjen keq për ty, por s’kam ç'bëj tjetër. Po a ndreqet halli yt me një hakmarrje si kjo? -pyeti sinqerisht. -Po s'u ndreq, mu në djall le të vejë! -Mirë atëherë, po qe se jeta jote ndreqet me vdekjen time, ja ku më ke, vramë! -tha burrërisht dhe drejtoi trupin... Qamili ia mbërtheu sytë për disa çaste i çuditur së tepërmi, që pas pendimit të thellë, kundërshtari po dorëzohej me dëshirë në duart e tij. Nga kjo e papritur ndjeu sikur i krisi diçka në shtyllën kurrizore. Por iu kujtua prapë betimi i bërë para asaj që donte. -Do të të vras, se më ke vrarë! -shkrofëtiu me një zë të kobshëm. Kadriu këqyri me gjakftohtësi dorën e tjetrit, që u bë gati të nxjerrë nga xhepi mjetin me të cilin do ta sulmonte. -Nejse, pa hë tani, vraje shokun e punës dhe kënaqu me një turp të tillë. - tha kështu dhe ia nguli sytë për të kapur çdo lëvizje të krahut të tij e për ta shmangur në ajër mjetin vdekjeprurës. Qamili i kishte bërë të gjitha gatitjet dhe i kishte thënë të tëra fjalët si në ëndërr. Por tani u përmend, sikur të zgjohej nga një gjumë i thellë. Fjalët e Kadriut ia goditën egërsinë çuditërisht. Ai ndjeu befas një dhimbje, që i theri përbrenda dhe dora i ngriu. Papritmas poshtë supit të tij kishte vdekur gjithçka. Muskujt i ishin bërë të flashkët, si sfungjer. Ç'të ishte kjo gjë që i ndodhi tani në çastin e shumëpritur ? Frikë?... Jo. Po çfarë tjetër ishte ajo që i kishte hyrë aq thellë në trup dhe e kishte zbutur pak nga pak të gjithë qenien e tij?...Nuk e vras dot jo!...tha Qamili me vete dhe uli sytë përtokë. Jo! gati sa nuk thirri me zë dhe e mbuluan djersë të përvëluara. Ndikimi i karakterit të çuditshëm të Kadriut dhe rrethi i gjerë i shokëve të brigadës, kishin qenë shumë më të fortë nga vendosmëria shkëmbore e karakterit të tij. Kadriu e kuptoi përmbysjen që po ndodhte përbrenda njeriut të egërsuar përballë. -O, u vonuam shumë Qamil! -tha me ton miqësor, shokët po rrinë pa punë!... Qamili mendoi se sa shumë e habitshme ishte ajo keqardhja e tij pak më parë, kur i kishte hedhur fjalën për të motrën dhe shoqet e saj? Ç'ishte ai shpirt që fliste ashtu? Ç'e kishte atë zemër aq të ngrohtë për të gjithë shokët? Ndante cigaret, bukën, mollët që sillte të hënën nga shtëpia..Jo, jo, ai vet nuk e kishte kurrë shpirtin dhe zemrën e Kadriut. Ndjeu diferencën e madhe që kishte me atë njeri të mirë dhe, sikur të shihej në pasqyrën përballë, iu duk vetja shumë i shëmtuar.I erdhi vërtet turp, që ndodhej aty, për të vepruar pas shpinës së shokëve. Befas gremisi kokën aq, sa mjekra iu ngul në gjoks dhe mbeti si një kërcu, në degën e thatë të të cilit, ishte varur llamba e karbitit, me një dritë të dobët, pothuajse si drita e një ylli...-Po filloj ndezjen! -urdhëroi me tonin e njohur brigadieri. - Tani ne të dy, o Qamil, do vrasim shkëmbin e madh të mineralit, të na gëzohen shokët, se ata kanë shumë fëmijë dhe në këtë fund dyjavori, presin nga ne të dy. Ti vështro fitilat, mos na mbetet ndonjëri pa zjarr! Qamili nuk u përgjigj fare se ishte goditur keqas në zemër. Ndiqte me sy prej fajtori lëvizjet e matura të Kadriut. Më shumë se vdekja, atë e shqetësonte puna dhe hallet familjare të shokëve. Kadriu ndezi fitilin e parë, që ishte më i gjati nga të tjerët, me një gjakftohtësi e shkathtësi, që tregonin për një sistem nervor të fortë, sa edhe objekti i gurtë mbi të cilin vepronte... Një vërshëllimë shurdhuese tymi zuri të përdridhej me shpejtësi, duke iu ngjitur shkëmbit përpjetë. Pastaj fitilin e dytë, të tretin e me radhë. Tani mbi shkëmbin e lagur kobrat e llahtarshme zunë të këndojnë në një kor të përbashkët, shkatërrimtar. Kadriu bëri ndezjen e fundit dhe thirri me gjëmim: -Nisu! Ik shpejt! dhe vet u kthye për të ndezur një fitil, që u shfaq papritmas i pandezur. Qamili vrapoi në brendësi të galerisë, për të hyrë te xhepi i caktuar për strehim. Por s'kishte bërë as pesëmbëdhjetë hapa, kur u dëgjua një gjëmim shurdhues i atillë qëu duk sikur krisi e u thye vet boshti i tokës. Shkulmi i ajrit, që shkaktoi shpërthimi i eksplozivit të parë, i dha Qamilit një shtytje aq të fuqishme, sa e bëri të kërcej padashur disa hapa përpara. Ai ktheu kokën pas rrëmbyeshëm, i pushtuar nga një tmerr i papritur dhe përmes tymit dalloi Kadriun, që vraponte duke u lëkundur. Por pas disa hapave të zvarritur brigadieri ra përtokë. Qamili u kthye me turravrap dhe arriti pranë tij. -Ik, shpëto për vete! -ushtoi nëpër tym zëri i plagosur i brigadierit, që kishte mbetur përmbys. Por sakaq Qamili e mbërtheu me të dy krahët e vet të fuqishëm, e ngriti peshë dhe u turr tutje. E gjithë kjo ndodhi për pak sekonda. Pastaj plasi eksplozivët me radhë. Krismat e tyre e mbushën hapësirën e galerisë me gurë, gazra dhe tym të errët. Teksa mbante shtrënguar me të dy krahët Kadriun dhe vraponte për ta nxjerrë nga lëmshi i shpërthimeve, Qamili ndjeu befas diçka të fortë që e goditi shpinën e tij të kërrusur nga pesha. Ishte një goditje e gurtë, që e bëri të dridhet deri në fund të këmbëve dhe iu duk sikur iu shkallmua tërë trupi. Ai bëri edhe një hap të luhatur dhe ra me gjithë peshën e rëndë që mbante mbi supe... Minat kishin shpërthyer të tëra dhe te hyrja e galerisë minatorët kishin numëruar plasjet me radhë. Kur vonesa e atyre të dyve u duk se zgjati tepër e po bëhej e dyshimtë, ata u lëshuan të gjithë brenda duke fuguar. Sakaq, Kadriu i plagosur ishte shkëputur nga krahët e kontraktuar të Qamilit. Me gjithë gjurin dhe njërin krah të gjakosur, ai po rrekej ta sillte në vete minatorin që kishte humbur ndjenjat. Në çastin kur u përmend, Qamili pa rreth vetes gjithë brigadën që priste në ankth. Dhe ndërsa ndeshi në buzëqeshjen mirënjohëse të Kadriut, një pikë loti i njomi padashur qepallat e zeza. Sytë e tij të përvuajtur u sollën disa herë përqark me një shkëlqim të veçantë respekti dhe dukeshin sikur thoshin: "Zemra ime ishte gur, por ju më keni bërë tjetër njeri..." Tani tymi i ngjeshur i minave, si një re e murrme, po vraponte drejt daljes së galerisë. Ajri i keq zuri të pastrohej me shpejtësi, duke ia lënë vendin vërshimit të furishëm të oksigjenit, që ishte aq i nevojshëm për mushkëritë e pluhurosura të njerëzve të nëntokës. Po ndodhte frymëmarrja madhështore e thellësive të dheut.

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page